Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda, e vlerësoi të ligjshëm arrestin në flagrancë të shtetasit Dritan Dajti dhe caktoi ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve, duke ngritur ndaj tij akuzën e vrasjes së katër agjentëve të policisë dhe Ledion Marës.
Masa e sigurisë ishte vendosur të jepej në Spitalin e Burgut, ku dje në mëngjes ishin bërë gati të shkonin dy prokurorët, avokati mbrojtës dhe gjyqtarja.
Por, në momentin e fundit, ka qenë vetë Dajti, i cili ka kërkuar të çohet në gjykatë. Ai ka mbërritur aty i shtrirë në barelën e urgjencës, nën shoqërimin e një infermiereje të Spitalit të Burgut, e cila gjatë dy orëve të qëndrimit të Dajtit në gjykatë, i qëndroi te koka, duke i ofruar ndihmën që ai kërkonte.
Dajti ka qëndruar pa lëvizur në barelën e urgjencës, i lidhur me pranga poshtë çarçafit të bardhë, të hedhur sipër trupit. Në fjalët e tij para gjyqtares së masave, Marsela Balili, ai u është shmangur pyetjeve të prokurorisë për ngjarjen e së premtes, ku mbetën të vrarë katër agjentët e policisë dhe njëri nga tre shoqëruesit e tij, Ledion Mara.
Ai nuk ngurroi të drejtojë akuza ndaj policisë dhe personelit të Spitalit të Burgut. Sipas tij, policia, pas sekuestrimit, i ka vjedhur një shumë të konsiderueshme parash që kishte me vete, përveç 4 mijë e 500 eurove që figurojnë në procesverbalin e sekuestrimit.
"Jam keqtrajtuar që nga arrestimi e deri tani që po flasim.
Ata më kanë goditur me shkelma e grushte, edhe pse isha i plagosur. Kam tre plumba në trup, një në krah tek bërryli, një në kraharor, që më ka prek mushkërinë dhe një në këmbë,"- i tha Dajti gjyqtares.
Më pas ka shtuar se njëri nga agjentët e policisë, në momentin e arrestimit, e ka dhunuar. "Isha i shtrirë dhe i dorëzuar dhe nga plagët më dilte gjak. Ai më qëllonte me shqelma nëpër trup.
I kam kërkuar edhe duke e sharë të më vrasë më mirë se sa të më godasë me shqelma, por, ai më qëllonte, duke më thënë se "nuk do të vrasim, se duhet të vuash", - ka thënë i akuzuari. (kjo pjesë e dëshmisë së tij përputhet me dëshminë e ditës së masakrës, prej njërit nga dëshmitarët plazhistë, i cili tha se "kishte parë dikë që qëllonte me shkelma një të gjakosur të shtrirë përtokë").
Pas ankesës ndaj efektivëve të policisë, i dënuari me 25 vjet burg ka filluar ankesat në adresë të personelit të Spitalit të Burgut, duke i akuzuar ata për trajtim çnjerëzor. "Në Spital të Burgut më kanë dërguar që të vdes.
Aty kam kërkuar nga personeli i burgut që të më trajtojnë si njeri dhe jo si kafshë. Më mbajnë gjithë kohës të lidhur pas krevatit. Edhe në barelën që ma kanë sjell këtu, siç e shihni, jam i lidhur,"- tha Dajti.
Prokuroria u shpreh edhe mbi pretendimet e të arrestuarit. Dy përfaqësuesit e saj në sallë e ftuan të arrestuarin Dajti të deponojë prova dhe të bëjë kallëzim penal në prokurorinë e kryeqytetit për të gjitha pretendimet.
Pas kësaj fjale ishin vetë prokurorët që kërkuan që Dajti të izolohet në dhomat e paraburgimit me masën e sigurisë "arrest me burg", deri në përfundim të hetimeve, kërkesë kjo që u pranua nga gjyqtarja Marsela Balili.
Kërkohet i katërti i masakrës
Ai ishte ndaluar nga agjenti Kastriot Feska. Kur Dajti qëlloi pas shpine këtë të fundit, i ndaluari mundi të largohej
Është arratisur nga vendngjarja. Ishte në "Tuareg" bashkë me Dajtin, Marën dhe Xhoxhin
TIRANË - Prokuroria e Krimeve të Rënda, me ndihmën e dëshmive të agjentëve të policisë, të cilët i shpëtuan plumbave të Dritan Dajtit dhe dëshmitarëve të pranishëm në momentin e "masakrës", kanë arritur në përfundim se Dajti ka patur një "shoqërues" të tretë, i cili ka çarë rrethimin e policisë, duke u shpëtuar prangave.
Ky fakt konfirmohet nga zyrtarët e institucionit të akuzës, të cilët shtuan se deri më tani është bërë i mundur vetëm ndërtimi i identikitit të përafërt të personit misterioz, i cili falë rrëmujës së masakrës "Dajti" ka mundur të shpëtojë nga prangat e ftohta.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se ka qenë agjenti tashmë i vrarë, Kastriot Feska, i cili e kishte mbërthyer për shpatullash personin e tretë që shoqërohej me Dajtin, por, plumbat e këtij të fundit të qëlluar nga pas shpine, ishin fatalë për agjentin.
Kështu, personi i katërt ka mundur të ikë, ndërkohë që Feska ka rënë përtokë i vdekur. Ai ndodhej në makinë me të arrestuarin Dajti, kunatin e tij Ergest Xhoxhin dhe të vrarin Ledion Mara.
Nga rindërtimi i skemës së ngjarjes dhe akt-ekspertimeve mjeko-ligjore të katër agjentëve, grupi hetimor i prokurorisë ka arritur në përfundim se të katër agjentët dhe shtetasi Ledion Mara janë vrarë nga plumbat e dy pistoletave të Dritan Dajtit.
Sipas akuzës, i pari që është qëlluar me plumb në kokë ka qenë drejtuesi i grupit Festim Xhani. Në këtë pikë të aksionit, ka patur debate. Prokuroria thotë se ka prova të mjaftueshme për të rrëzuar një pretendim të mundshëm të mbrojtjes së Dajtit, se ai nuk ka ditur se po qëllonte mbi policë.
Sipas prokurorisë, i ndjeri Xhani ka patur kartën e identitetit të policisë në dorë dhe ka shqiptuar fjalët: "Policia, dorëzohuni", kur është afruar dhe ka hapur derën e parë të pasagjerit të "Tuareg"ut.
Plumbi e ka marrë në kokë anash duke e rrëzuar në përdhe. Pas vrasjes së Xhanit, Dajti është kthyer me 90 gradë në krahun tjetër të dritares së pasme ku po qëndronte kryeinspektori Saimir Duçkollari. Ka shkrepur në drejtim të tij katër plumba, duke e lënë të vdekur.
Më pas, ka zbritur nga makina, dera e pasme nga krahu i djathtë. Pak metra pas makinës ka parë "ushtarin" e tij Ledion Mare të shtrirë në tokë, duke u lidhur nga agjenti Altin Dizdari. Në drejtim të tyre ka shkrepur dy pistoletat, duke qëlluar agjentin në kraharor dhe Maren. Të dy mbetën të vdekur.
Pas këtyre shkrepjeve, Dajti ka lëshuar pistoletën tip "Revolver" në tokë dhe ka qëlluar me pistoletën tjetër tip "Glock", agjentin Kastriot Feska. Ky i fundit ishte kapur për krahësh me personin e tretë që shoqëronte Dajtin. Feska është qëlluar mbrapa shpinës.
Pasi ka qëlluar Feskën, i shumëkërkuari Dajti ka shkrepur edhe disa plumba mbi një makinë të parkuar aty afër (pas saj ishin dy agjentë të tjerë) dhe më pas ka filluar të largohet me ecje, në drejtim të plazhit. Nga një derë aty pranë ka dalë një fëmijë, që është qëlluar në ecje e sipër nga Dajti, duke mbetur i plagosur në këmbë.
Më pas ka tentuar të ndërrojë karikatorin e pistoletës "Glock". Në atë moment është qëlluar nga tre plumba, një në krah (në bërryl), një në kraharor poshtë shpatullës dhe një në këmbë.
Plumbi i fundit e ka rrëzuar përdhe. Ndërkaq, në krah të makinës "Tuareg", agjentët e tjerë kishin mundur ta arrestonin kunatin e Dajtit, shtetasin Ergest Xhoxhin, pa shumë rezistencë.
*******************************************
10 gusht
Dajti, kërkohet videoja e masakrës së Durrësit. Policia: Nuk filmuam
TIRANË - Grupi i agjentëve që mori pjesë në operacionin e Durrësit, përdor në të gjitha lëvizjet, kamera dhe aparate fotografikë.
Në fakt, zyra së cilës i përkasin agjentët në fjalë, merrej pikërisht me vëzhgime dhe dokumentime, që më pas përdoren si prova kundër kriminelëve në gjyq, ndaj, përdorimi i kamerave dhe aparateve fotografikë, është në praktikën e tyre rutinë.
Zakonisht, filmimet bëhen nga minikamera të instaluara në trupat e tyre apo nga një agjent i prapavijës.
Po në operacionin e arrestimit të Dritan Dajtit në Durrës, a janë përdorur kamerat? Dje, duket se ka nisur një hije konflikti institucional lidhur me këtë fakt. Policia thotë se grupi i agjentëve në Durrës nuk kishte marrë kësaj here kamera për të filmuar rastin.
Por, për zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët kanë kërkuar kasetën, kjo ka qenë një habi e radhës, pasi thuajse të gjitha operacionet e zhvilluara deri më tani nga ky repart, janë filmuar.
Njësia që ndërhyri për arrestimin e të shumëkërkuarit të dënuar me 25 vjet burg, Dajti, quhej "Njësia e Operacioneve Speciale", që siç përmendet edhe në statusin e tyre, përveç ndërhyrjes në arrestimin e personave në kërkim, kryente edhe vëzhgimin, filmimin dhe fotografimin e lëvizjeve të personave të dyshuar apo të kërkuar.
Zyrtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët po hetojnë dosjen "Dajti", konfirmuan se nga Policia e Shtetit janë vënë në dijeni se nuk ka asnjë pamje filmike të regjistruar nga vetë agjentët e policisë që po vëzhgonin dhe ata që kishin ndërhyrë për arrestimin e Dajtit.
Por, dyshimet janë të forta se ekziston një kasetë me pamje filmike të vëzhgimit ditor, të kryer ndaj lëvizjeve të Dajtit dhe "ushtarëve" të tij, si dhe në momentin e ndërhyrjes për arrestimin e tyre.
Zyrtarë të policisë thonë se "në këtë rast nuk kemi të bëjmë me skuadër vëzhgimi, por skuadër të ndërhyrjes për arrestim".
Nëse momenti i operacionit është filmuar nga vetë agjentët, do të zbardheshin shumë dilema të ngritura nga marrja në pyetje dhe hetimet e ditëve të para: kunati i të shumëkërkuarit, ka pretenduar madje se "nuk e dinim që ishin policë, pasi kishin maska dhe ishin civilë".
Ndërkohë që filmimi do provonte nëse agjentët kanë thirrur: "Jemi policia", ashtu siç është raportuar në dëshmitë e para.
----------------------------------------------------------
Prokuroria sekuestron urdhrat ditorë të 13 agjentëve të masakrës së Durrësit
Gjatë ditës së shtunë dhe të diel, hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të asistuar nga prokurorët e çështjes, Ardian Nezha dhe Eugen Beçi, kanë bërë edhe këqyrjen e aparateve celularë të sekuestruar në çantën e të shumëkërkuarit, marrjen në pyetje të dëshmitarëve të ndryshëm dhe agjentëve e personave përgjegjës të organizimit të këtij operacioni.
Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e të gjitha raporteve e urdhrave të shërbimit ditorë të kryer nga 13 agjentët e njësisë operacionale të vëzhgimit dhe ndërhyrjes.
Gjithashtu, janë marrë në pyetje edhe të arrestuarit Ergest Xhoxhi dhe Elvis Karoli, që nuk kanë pranuar të japin shumë shpjegime në lidhje me ngjarjen e orës 13:45 minuta të ndodhur në plazhin e Durrësit.
Urdhrat ditorë do sqarojnë edhe një pikë tjetër që mund të hidhet në "treg" nga ndonjë segment në polici, sipas të cilit, agjentët viktima nuk po ndiqnin Dajtin, por dy të rinjtë në shoqërinë e tij.
Versioni do shërbente si justifikim për t'ju larguar përgjegjësive të urdhëruesve të operacionit.
Por ai bie ndesh me të gjitha të dhënat hetimore të deritanishme, që gjithsesi do pasurohen dhe do kenë një finalizim zyrtar, kur prokuroria të ngrejë akuzën ndaj protagonistit të masakrës së Durrësit.
Urdhrat ditorë dhe komunikimet e agjentëve ditën e premte, gjithsesi provojnë lehtë nëse ata e dinin që po ndiqnin Dajtin apo jo.
6 Comments:
po ankohet pi*** nanes se po e trajtojne keq, ky pusht duhet varur ne mes te tiranes qe te tjeret ta marrin vesht. pershendetje Asllan Zalli
Thuhet qe ne grupin e forces speciale qe rrethuan makinen ku ishte Dritani dhe nje tjeter ishin 8 veta te veshur civil (ne gjuhen policore quhen agjente). Me siguri qe kane qene te armatosur. Nga ana tjeter mbasi mbaroj lufta, ne makinene Dritanit u gjenden 2 revolver, e theksoj as automatike, as shotgun, as bomba qe mund te vrisnin 4 police. Cfare ka ndodhur? E pamundur qe Dritani ne befasi dhe i rrethuar te ishte si neper filma perfekt dhe te asgjesonte me vdekje me pistolete, pra me nga 1 plumb ne "zemer" 4 oficera te stervitur policie. Dicka ketu nuk shkon.
Nuk ka ndodhur ne ndonje vend tjeter te botes te vriten 4 ose me shume police nga 2 njerez?! Altini
1 - Operacione te tilla nuk kryen ne 3 te mbasdites ne nje zone te mbipopulluar. Ato behen ne 5 te mengjesit.
2 - Kriminelet kane ditur paraprakisht per operacionin e policise. Edhe supermeni te jete ai nuk i vret dot 4 police balle per balle.
Ore, qe ka pasur rrjedhje informacioni kjo eshte e sigurte sepse kta te tre i kane zene prite policeve. Elementin e surprizes nuk e kishte policia por kta qenat. Eshte e pamundur te vrasesh 4 police te pajisur me antiplumb dhe arme te renda pa i patur armet dhe pritat gati.
Ore njerez, makina ka qene me xhama te zinj dhe policia nga jashte me diell te forte ska pare asgje brenda, keshtu qe dajti ka perfituar ngo kjo dhe ka qelluar ne koke policet rreth makines, edhe policet nuk kane menduar qe ai do te rreziztonte se nuk ka ndollur perpara nje gje e tille ne qofte se i denuari nuk ka pasur nje pozicion te mire, ai ka qene ne makine dhe policet e shkrete se kane menduar qe ai do rezistoje, per sa i perket qe ai eshte informuar perpara, sikur te kishte informata ai sdo te priste aty por policine qe ti bente prite po kishte ikur ne male. ngushellimet me te sinqerta per familjet e policeve te vrare ne deture.
Post a Comment