Katër makina janë përplasur me njëra-tjetrën pranë kryeministrisë. Dy djem, në gjendje kritike për jetën
TIRANË- Tragjedi automobilistike në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Shpejtësia tej normave të lejuara dhe dozat e tepërta të alkoolitu kanë rrezikuar jetën dy djemve mbrëmë, pak para mesnatës, në kohën që trafiku ishte rralluar në Tiranë. Një makinë tip "Benz" me targa TR 2007 N ka marrë përpara tre makina të tjera, në kryqëzimin e bulevardit me kryeministrinë, duke u shkaktuar plagë të rënda Ergys Xhakës dhe Alban Kullollit.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se përplasja në qendër të Tiranëska përfshirë katër makina, duke sjellë dëme të mëdha si për pasagjerët, ashtu edhe për makinat e tjera që ndodheshin në bulevard në atë orë. Brenda pak minutash, në vendngjarje kanë mbërritur patrulla të policisë rrugore, të cilët kanë nisur drejt spitalit ushtarak të plagosurit më rëndë, Ergys Xhakën dhe Alban Kullollin si dhe Ardi Zanin, gjendja e të cilit është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, mësohet se vëllai i tij, Andrea Kullolli është shoqëruar në mjediset e policisë rrugore, për të sqaruar rrethanat e aksidentit.
Burime nga policia bënë me dije se Andrea ka qenë duke drejtuar makinën, e cila është identifikuar si shkaktarja e përplasjeve të njëpasnjëshme. Ndërkohë, të plagosurit i janë nënshtruar terapive të menjëhershme në mjediset e spitalit ushtarak, ku gjendja e tyre shëndetsore ishte e rëndë. Burime nga spitali ushtarak bënë me dije se pas mesnatës, mjekët kanë futur në sallën e operacionit Ergys Xhakën, i cili duket se ka marrë edhe plagën më të rëndë në kokë. Mjekët kanë pohuar se operacioni parashikohet të jetë shumë i vështirë, por të dhëna të tjera për shëndetin e të aksidentuarit pritet të bëhen me dije mëngjesin e sotëm. Ndërkohë, gjendja shëndetësore e Alban Kullollit ishte disi më e stabilizuar.Ekspertët në vendngjarje kanë kryer verifikimet e duhura, për të saktësuar shkaqet e këtij aksidenti që ndodhi mesnatën e mbrëmshme në qendër të Tiranës, por paraprakisht kanë pohuar se njëra prej makinave ka qenë duke ecur me shpejtësi, ndërsa djemtë që udhëtonin me të kishin konsumuar shumë alkool. (V.Karaj / Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment