Kosova ka kaluar shumicën e diskursit ndërkombëtar mbi statusin e saj pa kontributin aktiv nga ana e shqiptarëve. Të lumtur me fitoren e para tetë viteve, shqiptarët e Kosovës u tërhoqën në vetvete të bindur se e drejta morale është në anën e tyre dhe se bota doemos do ta njoh atë se shpejti. Fatkeqësisht, vet fakti që tetë vite më vonë ne ende po luftojmë për statusin përfundimtarë tregon se diçka po ngec.
Përderisa një kohë opinioni botëror ishte fuqimisht në anën e Kosovarëve, trazirat e marsit 2004 dhe vrasjet e civileve serbë pas luftës, ndërrimi i regjimit në Beograd, dhe vetë kalimi i kohës kanë bërë që ky opinion sot të jetë më afër një balance.
Ndërsa Kosova ka debatuar një kohë të gjatë hapjen e zyrave apo ambasadave që do të merreshin me promovimin e çështjeve të Kosovës, plasimi i informatave në internet nga Kosova për publikun e huaj është pothuajse jo ekzistues edhe pse kjo ka mundur të bëhet shumë lehtë.
Një lexues i huaj sot mund të informohet mbi Kosovën ose nëpërmjet ueb faqeve serbe si www.b92.net/eng dhe www.serbianna.com ose nëpërmjet agjencive a gazetave ndërkombëtare të cilat shkruajnë vetëm në raste dhune ndëretnike dhe zakonisht përfundojnë me një paragraf monoton ku shpjegohet rëndësia historike e Kosovës për Serbinë. Kjo është pikërisht imazhi qe Kosova nuk duhet ta projektoj në botë, prej nga priten të vijnë investitorët dhe pavarësia.
Përderisa në Shtetet e Bashkuara lobimi bëhet tek liderët, gjë që është aplikuar me shumë sukses nga organizatat lobuese shqiptarë atje, në Evropë presioni i qytetarëve tek liderët e tyre politikë është shumë më i efektshëm, dhe ata duhet të jenë caku ynë. Kosova ka ngecë në fitimin e përkrahjes në Evrope, e sidomos në Gjermani, sepse zëri i shqiptarëve atje pothuajse nuk është dëgjuar fare.
Për ta ndërruar këtë situatë të pafavorshme për popullin e Kosovës, disa të rinj kosovarë kanë filluar një projekt në www.newkosovareport.com për të mbledhur lajme dhe opinione të cilat do të ishin më të afërta me jetën e qytetarëve të Kosovës dhe ku do të prezantoheshin arritjet, problemet dhe ëndrrat e tyre për publikun e huaj në gjuhën angleze. Qëllimi është që kjo faqe të jetë burim interaktiv, i freskët dhe gjithëpërfshirës i informacionit për statusin, ekonominë, dhe shoqërinë kosovare. Për ta arritur këtë qëllim, ne kërkojmë përkrahjen e kosovarëve dhe të të tjerëve me shkrimet e tyre. Ky është rasti ynë të flasim me botën dhe të tregojmë se ëndrrat tona janë po aq evropiane sa ato të çdo evropiani tjetër. Le ta definojmë vetveten para se dikush tjetër ta bëjë atë për ne.
Arianiti mund të kontaktohet në Arianit+nkr@gmail.com
0 Comments:
Post a Comment