"Dua të bëhem kriminel i famshëm që vjedh banka"

Monstra i Beratit

Dërgohet në Tiranë fëmija vrasës nga Berati. Mjekët: 13- vjeçari ka zhvillimin e një krimineli të moshës 25 vjeç


BERAT- Fëmija 13- vjeçar që një javë më parë ka vrarë me gjakftohtësi një 47- vjeçare vetëm për t'i marrë 13 mijë lekë të vjetra ka shfaqur prej vitesh prirje kriminale. I ndikuar nga filmat por dhe dhuna në familje ai ka pasur si "ëndërr" të bëhej kriminel i famshëm. Madje në një temë hartimi të shkruar që në klasën e pestë ai ka shpjeguar se kur të rritej donte që të bëhej një kriminel i famshëm që vidhte banka.

Ndryshe nga të gjithë fëmijët e tjerë të moshës, ëndrra e tij ishte tepër e frikshme. Edhe mjekët psikiatër, që kanë bërë një ekspertim të parë të fëmijës, kanë pohuar se ai ka prirje të theksuara për tu bërë një njeri i dhunshëm dhe kriminel në të ardhmen. Ai është dërguar tashmë në kryeqytet ku do t'i nënshtrohet një ekspertize më të hollësishme dhe kurave të shumta nga mjekët e specializuar psikiatër.

Mjekët

Mjekët psikiatër të spitalit të Beratit, të cilët kanë vizituar autorin e këtij krimi kanë pohuar se fëmija 13- vjeçar ka një zhvillim psiko-motorik të një krimineli. "Madje ai ka të dhënat e një krimineli 25- vjeçar, i cili është klasifikuar si një monstër me mutacione të avancuara me prirje kriminale". Ky ka qënë përfundimi i analizave të 13-vjeçarit R.H të kryera në spitalin psikiatrik paraditen e djeshme. Më pas ai është dërguar në kryeqytet ku do të mbahet në spitalin psikiatrik. Edhe burimet e policisë së Beratit pohuan se përgjigjja që ka ardhur nga kryeqyteti është pothuajse e njëjtë me atë të mjekëve beratas. Edhe aty është konfirmuar se 13-vjeçari R. H. është një fëmijë që ndien vetëkënaqësi shpirtërore në çdo goditje që kryen. "Ai vuan nga një depresion mendor i shkallës së fundit, të cilin e shfaq vetëm në momente të caktuara dhe zhvillimi i tij nuk është normal. Madje zhvillimi i tij mund të krahasohet me atë të një 25-vjeçari me tendenca kriminale, i cili në momentet e krizës së rëndë psiqike bëhet mjaft i dhunshëm",- thuhet në raportin e mbërritur në polici. Bazuar në këtë raport mjekët beratas pohuan dje se në profilin kriminal të djalit kanë ndikuar mosndëshkimi për sjelljete tij të dhunshme në familje dhe mos denoncimi nga bashkëmoshatarët e dhunuar prej tij. Kjo e kishte bërë atë që ta shtrinte "gjeografinë" e krimit nga prindërit e vet, te gjyshja dhe më pas duke dalë nga qyteti drejt tregjeve të zonave përreth ku ai gjuante gra dhe fëmijë të vetmuar, të vobektë dhe njerëz me të meta mendore. Në shumë raste ai kishte ideuar një skemë perfekte duke i thënë viktimave të tij se ishte një fëmijë jetim dhe kur gjendej vetem me ta i sulmonte.

Shkolla

Të shokuar nga ngjarja kanë ngelur edhe shokët e tij të klasës, të cilët, kur ai është larguar, kanë pohuar se ishte i dhunshëm. "Ai na rrinte dhe nuk pyeste për njeri. Ai vinte e ikte në shkollë sipas qejfit të tij", thonë shokët e shkollës së 13- vjeçarit. Një nga shokët e klasës tregon se R.H. nga mënyra se si sillej, të bënte të kishe frike prej tij ndaj edhe ata nuk i flisnin. Ndërkohë mësuesja e letërsisë është përpjekur që ta mbrojë duke thënë se R.H. nuk ngacmonte njeri dhe shkonte rregullisht në shkollë. Sipas saj, ditën që ka kryer krimin R.H. ka qenë në klasë deri në orën e tretë dhe në pushimin mes orëve ai është larguar. Të nesërmen, ditën e martë, ai ka shkuar sërish në klasë së bashku me nxënësit e tjerë pa treguar asgjë. "Unë e mësova lajmin mbasditen e ditës së dytë nga mediat dhe u habita. Atë pasdite jam menduar ndërsa të nesërmen të gjithë mësuesit jemi përpjekur që të kuptojmë nëse ai ka pasur ndonjë shqetësim kohët e fundit. Në fakt mësuesja kujdestare, muajt e fundit, po punonte shumë me nënën e tij që edhe ajo nuk është normale për të kuptuar veprimet e mbrapshta të djalit",- thotë mësuesja. Sipas saj, nëna e tij shkonte thuajse çdo ditë në shkollë dhe kërkonte ndihmën e mësuesve. "Tani kemi mësuar nga kolegët tanë se po ky fëmijë, kur ka qenë në klasën e pestë, në një temë hartimi të lirë që i ka dhënë mësuesja për të zhvilluar kishte shkruar: Dua të bëhem kriminel të vjedh banka dhe të bëhem i famshëm. Kjo shprehje i ka trembur të gjithë në atë kohë",- pohon mësuesja.

Nëna e 13-vjeçarit R .H. Ermira,gjatë një interviste ekskluzive,të dhënë për gazetën ka pohuar se djali i saj ka qënë një tip i qetë e që nuk ka shfaqur asnjëherë probleme mendore apo depresion të çfarëdo lloji në shtëpi gjatë gjithë këtyre viteve,duke pohuar gjithashtu se gjatë takimit që ka bërë me të birin,ai i ka thënë se e kanë mësuar disa djem,të cilëve nuk ia përmend dot emrin sepse e kanë kërcënuar për ta vrarë n.q.s tregon të vërtetën.Të njëjtën gjë ka pohuar edhe gjyshja e R. H. Sosja,e cila ka thënë se nipi i saj ishte një fëmijë i urtë e pa probleme,që nuk i kishte sjellë asnjë shqetësim familjes në gjithë këto vite,ndërkohë që rezultatet e analizave,të cilave iu është nënshtruar 13-vjeçari kanë konfirmuar të kundërtën.

Krimet e kryera nga 13- vjeçari

Burimet zyrtare të Drejtorisë së Polisisë së Qarkut Berat, kanë pohuar se 13-vjeçari mund të quhet pa frikë një kriminel i vjetër pasi brënda një afati kohor prej nëntë muajsh ai ka kryer disa akte të ndryshme kriminale. Një muaj më parë, 13-vjeçari ka sulmuar një plakë 62- vjeçe në qytetin e Urës Vajgurore. Ai ka shkuar në shtëpinë e saj duke u shtirur si jetim që nuk kishte asnjë vend ku të rrinte. Më pas djali i ka kërkuar të moshuarës të gjitha lekët që kishte dhe kur ajo ka refuzuar ai e ka hedhur nga shkallët e pallatit për ta vrarë. Kur gruaja ka rënë përdhe pa ndjenja ai i ka shkuar pranë dhe i ka marrë 40 lekë që ajo kishte në xhep. Pas kësaj ai është larguar i qetë. Gruaja 62- vjeçare ka qendrura rreth dy javë në spital për shkak të plagëve të shumta që kishte marrë. Sipas policisë, 13- vjeçari R.H ka kryer edhe krime të tjera më të vogla. Ai është denoncuar disa herë për rrahjet që i ka bërë bashkëmoshatarëve të tij në lagje si dhe grabitjet me dhunë të lypësve të qytetit të Beratit. Ndërkohë ai ka rrahur e dhunuar edhe dy vajza 18- vjeçare, të cilët vuajnë nga problemet mendore. (S.G / Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors