Shkodër, Antoneta Gjin Tanushi është emri i vajzës së vrarë pa asnjë shkak nga Klodian Mrina dhe babai i tij Toma
Policia arreston Tomë Mrinën me akuzën e vrasjes. Objektivi i atentatit ishte 22- vjeçari Fatjon Lika
SHKODËR- Hakmarrja ka goditur sërish në rrethin e Shkodrës duke marrë këtë herë një jetë të pafajshme. Një vajzë 18 -vjeçare ka vdekur dhe një 22- vjeçar është plagosur pas një prite të organizuar në orët e vona të së dielës.
Ata kanë qenë duke udhëtuar me makinën e tyre por janë sulmuar nga një 21- vjeçar dhe babai i tij. Antoneta Gjin Tanushi është emri i vajzës së vrarë pa asnjë shkak nga Klodian Mrina dhe babai i tij Toma. Ata kanë synuar që të vrasin 22- vjeçarin Fatjon Lika, me të cilin kanë pasur një konflikt rreth një muaj më parë. Paraditen e djeshme policia ka mundur që të arrestojë Tomë Mrinën ndërsa djali i tij është shpallur person në kërkim për veprën penale të vrasjes në bashkëpunim.
Vrasja
Fatjon Luigj Luka, lindur e banues në fshatin Sektor–Velipojë ka qenë duke ecur me mjetin e tij "Fiat Tipo" me ngjyrë të bardhë dhe me targë "SH 2212 C". Së bashku me të në makinë ndodhej edhe 18- vjeçarja Antoneta Gjini, e cila ishte ulur në sediljen e pasme të automjetit. Teksa makina ka hyrë në rrugën për në fshatin Reç të komunës së Velipojës, një rrugë kjo e pashtruar dhe mes arave, në vendin e quajtur "Mbi Sukë" i kanë dalë përpara dy persona me armë. Pa bërë asnjë shenjë ata kanë qëlluar me breshëri automatiku mbi makinën e Lukës. Plumbat kanë goditur për vdekje vajzën, e cila ka marrë plagë të shumta në trup. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit, Fatjon Luka, është plagosur lehtë, duke marrë një plumb në pulpën e këmbës. Makina i ka dalë nga kontrolli dhe ka ndaluar në atë të rrugës dhe dy atentatorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Luka është përpjekur që të ndihmojë vajzën që ndodhej me të por ajo nuk lëvizte. Ai ka marrë telefonin dhe ka njoftuar policinë duke i treguar ngjarjen dhe vendin ku ndodheshin. Vetëm pak minuta më pas aty ka shkuar policiaqë ka marrë viktimën dhe të plagosurin. Fatjon Luka ndodhet në spitalin rajonal të Shkodrës jashtë rrezikut për jetën, ndërsa trupi pajetë i vajzës, pasi është bërë ekspertiza është dërguar në morgun e spitalit të Shkodrës e më pas i është dhënë familjes. Sipas të dhënave paraprake të policisë, autorë të kësaj ngjarjeje dyshohet se është 21- vjeçari Klodian Mrina dhe babai i tij, Tomë Mrina.
Motivi
Shkaku i vrasjes mendohet se është një konflikt i nisur para disa muajsh, mes autorit të dyshuar, 21- vjeçarit Klodian Mrina dhe drejtuesit të automjetit Fatjon Luka. Konflikti mes tyre ka nisur në muajin qershor të këtij viti, dhe ka qenë për shkaqe familjare, grindje mes familjes Mrina dhe 22- vjeçarit. Mendohet se Klodian Mrina i ka dale pritë mjetit me të cilin udhëtonte Fatjon Luka dhe ka qëlluar drejt tij në errësirë pa parë se kush ndodhej brenda. Por breshëria e automatikit, që është dëgjuar dhe nga banesat përreth ka kapur vajzën që ndodhej në sediljen e pasme, ndërsa drejtuesi i mjetit që ka qenë dhe objekt i sulmit vetëm sa është plagosur. Pas kësaj autori është larguar.
Arrestimi
Disa orë pas ngjarjes, policia e Shkodrës ka ndaluar 49 vjeçarin Tomë Mrina pasi ai akuzohet se bashkë me djalin e tij Klodian Mrina janë autorë të ngjarjes së ndodhur rreth orës 23.00 të së dielës në rrugën e fshati Reç i Ri. Ky shtetas ka qenë i shoqëruar nga policia që gjatë mesnatës, ndërsa në mesditë prokuroria ka lëshuar urdhër ndalimi për të me akuzën e vrasjes me paramendim për motive hakmarrjeje të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Nga dokumentimi ligjor i ngjarjes së ndodhur, policia ka arritur në konkluzionin se Tom Mrina ka qenë bashkë me djalin e tij në pritën që i kanë bërë Fatjon Lukës pas një konflikti që kanë patur me të muaj më parë. Në vendngjarje policia ka gjetur e sekuestruar tre gëzhoja pistolete, 13 gëzhoja automatiku dhe automjeti "Fiat Tipo" me targa "SH 2212 D".
VIKTIMAT
Antoneta Tanushi, ose Neta siç e kanë thirur të gjithë, ka qenë fëmijë i vetëm i familjes së Gjin Tanushit në fshatin Gomsiqe e Re. Ajo është rritur në një familje ku prindërit janë të sëmurë me probleme shëndetësore e fizike
Fatjon Luka, i plagosuri në spital, është djalë i vetëm dhe vajza është ndodhur në mjetin e tij pasi e kishte te dashur dhe po e shoqëronte në shtëpi. Ai ka marrë vetëm një plumb në pulpë dhe ndodhet në spital pa rrezik për jetën. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment