Armët e shqiptarëve ndër shekuj dhe armët trofe


Aktivitetet për 95-vjetorin e Pavarësisë nisin me ekspozitën e armëve. Në koleksion, naganti i Zogut dhe shpatat e Ali Pashës

Drejtori Llojdia: Synojmë të njohim brezat me armët e shqiptarëve ndër shekuj dhe armët trofe

Vlorë-Aktivitetet për 95-vjetorin e Pavarësisë nisën në Vlorë me ekspozitën e armëve, me të cilat shqiptarët luftuan ndër shekuj në përpjekjet e tyre për liri. Parku Arkeologjik Kombëtar i Amantias organizoi në kala ekspozimin e 49 armëve trofe, të koleksioneve private, të gjitha të licencuara dhe te kataloguara.

Qëllimi, sipas drejtorit të parkut, Gëzim Llojdia, është njohja me armët me të cilët shqiptarët kanë luftuar kundër pushtuesit të huaj.

Ndër armët e ekspozuara bënin pjesë pisqollë me përbërje bronz, hekur, argjend e periudhës së Rilindjes Kombëtare. Kjo armë, sipas drejtorit Llojdia, është përdorur në luftërat kundër pushtuesit otoman. Pisqolla është prodhim i armëtarëve vendas, kryesisht të Shqipërisë së Jugut dhe mbushja bëhej nga gryka. Pak më tej pisqollës është vendosur jatagani me material hekur, bronz. "Kjo i përket kohës së rilindjes, me gjatësi 57cm,është përdorur kryesisht në kryengritjen e Shqipërisë së Jugut, në 1878 dhe është prodhim i armëtarëve vendas"- sqaron ai. Një armë tjetër ishte harbia me përbërje hekur dhe bronz, e kohës së rilindjes rreth 37cm, e cila shërben për ngjeshjen e barotit të armëve që mbushen nga gryka. Edhe kjo është prodhim i trevës.

Vezmja është një mjet tjetër armë interesante e kulturës arbërore, e kohës së rilindjes shqiptare, që peshon rreth 600gr dhe shërben për përdorim vetjak në luftërat e popullit kundër pushtuesve. Përbërja e saj, sipas Llojdias është aliazh dhe argjend. "Ka edhe nagant me material metali dhe dorezë druri, e prodhimit Italian, e kohës së viteve 1880, e cila është përdorur në luftën e parë Botërore dhe është trofe"- thotë ai, duke treguar armën.

Një ndër objektet që zgjoi interes tek vizitorët e djeshëm ishte palcorja me material aliazh e argjend. Drejtori e përshkruan atë, të teknikës artizanale me derdhje dhe sipas tij i përket kulturës arbërore me dimesione 6cmx3.5x2.5cm. Periudha e përdorur është koha e Rilindjes Shqiptare dhe ky mjet shërben për përdorim vetjak në luftërate popullit tonë kundër pushtuesve osmanë."Në mënyrë të veçantë është përdorur në kryengritjet e Shqipërisë së Jugut, të vitit 1847. Ajo është prodhuar në jug nga vendasit dhe përdorej për të mbajtur palcën me të cilën vajisej arma",- thotë ai, duke treguar se ajo është pjesë e armëve të zjarrit me stërrall dhe ruhet në gjendje shumë të mirë me të gjitha elementët e zbukurimit me motive gjeometrike floreale.

Nagantet dhe pisqollat ishin pjesë e një koleksioni më vete. Mes tyre, bie në sy naganti i Mbretit Zog, në dorezë të të cilit shkruhej A.Zogu. Pas saj, është një pushkë stërralle, një lloj i punimit artizanal i shek XIX me dimensione 143 cm me kalibër 16 mm. Sipas sqarimit poshtë saj, kupton se arma është përdorur në rrethinat e Vlorës, në kryengritjet e vitit 1910-1911. Tek tyta ka një mbishkrim "Zarzamino-Ominozo" ndërsa qyta e saj është e punuar në dru arre.

Në radhën e koleksionit të armëve vjen edhe një pushkë me kapsulë e shekullit të XVIII rreth 125 cm. Vizitorëve iu tregohet se ajo është gjetur në një terren ku ka kryer aktivitetin klubi patriotik "Labëria". Pas tyre, të renditura shpatat e përdorura nga ushtria e Ali Pashë Tepelenës kundër pushtuesit osman. Në koleksionin e servirur gjen edhe revolver të prodhimit 1908 -1942, prodhim gjerman, përdorur në Luftën e Dytë Botërore dhe krahas tyre edhe beretat italiane, të vitit 1934 me peshë 660 gr.

Armë të përdorura e të prodhuara nga vendasit dhe të tjera të kapura dhe ruajtuar si trofe. Pushkët trofe, prodhime të vendeve të ndryshme të shekujve të ndryshëm përbënin një pjesë tjetër të koleksionit të armëve. Mes tyre dallonin pushkët, prodhim i huaj rreth 3 kg;. Belcik gjerman rreth 4.3 kg, i përdorur në Luftën e Parë Botërore, nga luftëtarët popullorë, në rrethinat e Vlorës; një patickë italiane vitit 1941 me dimensione rreth 92cm e gjatë,përdorur në Luftën e Dytë Botërore. Të vendosura pas tyre renditeshin, pushkë e gjatë italiane e vitit 34; pushkë e shkurtër ruse e vitit prodhimit 44,përdorur në rrethinat e Vlorës pas çlirimit; pushkë gjermane e vitit 1880 etj. Midis armëve luftarake kuriozitetin e shuan edhe një pushkë austriake e amerikane.

Vizitorët

Ekspozita e hapur të premten, ndonënse në një pikë të largët, u vizitua nga banorë të zonës e jo vetëm. Bashkë me ta, të pranishëm gjatë ditës ishin historianë e nxënës shkolle. Qëllimi, sipas drejtorit të parkut, është nxitja dhe interesi për të tërhequr vizitorë në këtë qytezë të historisë së lashtë, e cila ka filluar të ndiejë ripërtëritjen në këto muajt e fundit. Investimet dhe përfundimi i rrugës deri në kala, rrethimi i siteve, pastrimi i objekteve e rrethimi dhe mbjellja e pemëve ka ndryshuar fytyrën e qytezës. "Vizitorë kanë qenë edhe turistë të huaj, ku numri i përgjithshëm i vizitorëve shkon në 630, shifër kjo e pa njohur në 60 vjetët e fundit"- thotë ai. Ndërsa pritet që në dy vjetët e ardhshme ky park në këtë zonë rurale të kapi kuotat e vizitorëve të Apolonisë. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors