Laze : Si i shpenzova 150 Mije eurot e burgut te Shullazit
TIRANË- Arrestimi i Albana Lazes, mashtrueses që mori 150 mijë euro për të liruar nga burgu Emiljano Shullazin ka zbuluar plot viktima të tjera. Gjatë muajit të fundit, 10 persona i janë drejtuar prokurorisë, pjesa më e madhe e të cilëve të futur "në grackë" për viza amerikane
Janë depozituar edhe 10 kallëzime ndaj saj për mashtrim me viza amerikane
Dhenjë bankë që ka marr kredi e ka paditru në gjykatë për mashtrim
Deklarimet e lira të Albana Lazes...
Do të jap shpjegime pa praninë e avokatit tim mbrojtës.
Kam gjeneralitetet e mësipërme dhe kam për të thënë se jam e martuar me shtetasin Ardi Laze dhe me të kam një djalë që quhet Eraldo, që është i moshës 9 vjeç. Aktualisht banoj në Tiranë. Unë merrem me aktivitet privat e konkretisht kam një bar-restorant të quajtur 'Enea', përballë shkollës 'Harry Fulltz' si dhe dy dyqane ku tregtoj rroba të përdorura.
Kam për të theksuar se kam dy vëllezër që quhen Admir dhe Erton Simeqi, që janë të moshës 30 dhe 26 vjeç. Para disa vjetësh, e konkretisht në vitin 1995 vëllai im i madh që quhet Admir ka vendosur që të emigrojë për në drejtim të Italisë, për një jetë më të mirë. Është nisur nga Vlora me gomone për të shkuar atje. Gjatë rrugës, në momentet që gomonia ka qenë duke u afruar në bregun italian, skafistët u kanë bërë thirrje që personat që ishin mbi gomone të hidheshin në ujë. Pasi janë hedhur në ujë, vëllai im ka qenë duke u mbytur së bashku me disa të tjerë, por janë ndihmuar nga persona të tjerë që ishin më të fuqishëm dhe kanë mundur të dalin në breg.
Pasi ka dalë në breg, vëllai është ndihmuar po nga ai djalë i ri, që më pas ka marrë vesh se është nga Tiranapër t'u tharë dhe për t'u ndërruar dhe me pas është larguar për në drejtim të Milanos tek dajat e tij dhe gjatë kontaktit që kam pasur me vëllanë tim në telefon, ai më ka thënë sesi kishte ndodhur ngjarja si dhe kush e kishte shpëtuar që të mos mbytej dhe të shkonte ne Milano. Më ka thënë se personi quhej Emiljano Shullazi dhe për këtë veprim ai i detyrohej jetën e tij dhe e kishte "byrazer". Në vitin 1998, unë kam qenë në një lokal, ku kam parë se një djalë quhej Emiljano Shullazi dhe unë nga kureshtja e kam pyetur se a njihte vëllanë tim, Admir Simeqi dhe ai më është përgjigjur: po. Pasi i jam prezantuar, jemi ulur, kemi pirë kafe dhe unë e kam falënderuar për atë që kishte bërë për vëllanë tim dhe më pas kemi lënë dhe adresat e banimit që mbase takoheshim më vonë.
Po atë muaj që unë e kam takuar për herë të parë Emiljano Shullazin, e kam takuar edhe një herë tjetër kur ai ka ardhur te shtëpia ime, që në atë kohë jetoja me burrin Adin në depon e ujit në 'Mihal Grameno' dhe pasi kemi biseduar tek dera, pasi unë kisha burrin në shtëpi, ai është larguar duke më ofruar ndihmë për çdo lloj halli që të kisha në Tiranë. Pas kësaj kohe, unë kam humbur lidhjet me Emiliano Shullazin dhe kam pyetur edhe vëllezërit e mi, por as ata nuk kanë pasur kontakte me të, pasi i kishte ndarë koha dhe vendi.
Në muajin shkurt të vitit 2006, unë kam parë në televizion se ishte arrestuar Emiliano Shullazi në Tiranë dhe pasi jam interesuar, e kam parë se ishte i njëjti person që unë pata takuar.
Në atë kohë kam komunikuar me vëllanë e madh, ku i kam treguar rreth arrestimit të Shullazit dhe ai më ka thënë se nëse kisha mundësi ta ndihmoja atë, pasi i detyrohej jetën e tij dhe unë i kam dhënë fjalën vëllait se do ta ndihmoj me sa të mundem. Pas porosisë së lënë nga vëllai im, unë jam interesuar që ta ndihmoja Shullazin dhe kam pasur një shoqe që quhej Flutura Tarelli dhe ajo ka pasur një shoqe që quhej Irena Isufi, e cila ishte e dashura e Shullazit. Unë i kam kërkuar Fluturës që të mundësonte një takim me të dhe ajo e ka bërë këtë gjë, duke më takuar me Irenën tek një lokal në rrugën 'Irfan Tomini'. Në muhabet unë i kam treguar Irenës se doja të ndihmoja Shullazin me ç'të kishte nevojë si dhe t'ia transmetonte fjalët e mia atij. Më pas, kur Irena ka shkuar në takim me E.Shullazin i kishte folur atij për mua dhe kur jemi takuar përsëri me Irenën, ajo ma ka kaluar atë në telefon. Unë me Shullazin kemi diskutuar për një farë kohe dhe ai ka qenë në burg tek 313.
Unë kam vazhduar të takoj Irenën dhe kam folur me Emiljanon tek celulari i saj. Emiljano më ka thënë mua që të interesohesha për të mundësuar daljen e tij nga burgu dhe unë i kam dhënë fjalën se do mundohesha.
Pasi Emiljano më ka thënë këto fjalë, unë i kam gjetur atij dy avokatë dhe konkretisht Nik Progri dhe Besnik Elezi dhe u kam treguar atyre në lidhje me Emiljanon dhe problemin e tij dhe ata kanë pranuar që ta mbrojnë. Pasi çështja është marrë nga këta dy avokatë, unë kam filluar dhe jam interesuar për çështjen dhe një ditë që mbaj mend se ka qenë data 25 korrik 2006, kur më ka marrë në telefon celular Emiljano Shullazi dhe më ka pyetur se çfarë kisha bërë ndonjë gjë për hetimin e tij dhe unë i kam thënë se kam folur me dikë që kërkon 50.000 euro. Ai më tha të merrja kontakt me dajën e tij, Agim Bonacën që të mundësojë dhënien e lekëve. Atë ditë unë kam ardhur nga Shkodra, pasi më datë 30 korrik martohej vëllai, Admiri dhe kam pasur si taksi shtetasin Qemal Kanani. Unë kam kontaktuar me shtetasin Agim Bonaca në telefon dhe e kemi lënë për t'u takuar tek shtëpia e Flutura Tarellit në orën 12.00. Në orën 12.00, unë kam shkuar me taksi tek shtëpia e Fluturës, ku aty qe Agimi vetëm në shtëpi dhe jemi ulur të tre së bashku ku unë i kam thënë Agimit se kisha gjetur një person që mund ta ndihmojë Shullazin dhe se kisha kontaktuar me të dhe se ai kërkonte 50 000 euro deri në orën 15.30. Gjithashtu i thashë Agimit se kisha folur me Shullazin dhe ai më kishte thënë që të merrja kontakte me Agimin.
Pas këtij muhabeti, Agimi ka dalë nga shtëpia e Fluturës dhe ka ikur. Është kthyer rreth orës 15.30 dhe me vete kishte marrë 50.000 euro që unë të mundësoja të nxirrja Shullazin nga burgu.
Pasi më ka dhënë shumën e caktuar, Agimi ka ikur që aty ku unë i kam thënë se Shullazi do të dalë në gjyq më datën 03 nëntor 2006. Pasi iku Agimi, mua më ka kërkuar Flutura 2500 euro si shpërblim që bëra muhabet në shtëpinë e saj dhe unë kam hapur gazetën, ku unë kam marrë 2500 euro dhe ia kam dhënë Fluturës ndërsa vetë jam larguar përsëri në drejtim të Shkodrës me taksinë që kisha në dispozicion.
Kam për të theksuar se pasi kam marrë këtë shumë lekësh, Flutura ka njoftuar shtetasin Adi Canka të cilin edhe unë e njihja e ajo i ka thënë që unë kisha marrë 50.000 euro. Ai më ka marrë në telefon duke më vënë një gjobë prej 10.000 eurosh duke më kërcënuar dhe ai ka ardhur t'i marrë ato lekë në lokal por aty ka plasur sherri dhe e kemi rrahur Adi Cankën dhe kështu ai nuk pati mundësi që ta merrte gjobën që na vuri dhe është larguar. Që atë ditë, unë nuk kam folur me të.
Pasi kam marrë shumën e lekëve, unë për një periudhë tre mujore kam mbajtur kontakte me Shullazin, dajën e tij, Agimin si dhe të dashurën, Irenën, ku u thoja se çdo gjë ishte në rregull dhe prisnim datën03 nëntor 2006 që të fillojë gjyqi. Më datën 01 nëntor mua më ka telefonuar Emiljano Shullazi, ku unë ndër të tjera i kam thënë se gjërat nuk ishin siç i kishim parashikuar, pasi personi që po negocionte për lirimin e tij kishte kërkuar edhe 25 000 euro të tjera dhe ai me ka thënë që të lidhesha përsëri me dajën e tij Agimin. Pasi kam mbyllur komunikimin me Shullazin, unë ka telefonuar Agimin ku i kam thënë të vinte tek lokali dhe pas disa orësh Agimi ka ardhur në lokal ku me vete kishte sjellë edhe 25 000 euro pasi ishte lidhur Shullazi me të dhe ia kishte sqaruar problemin.
Në momentet që Agimi më ka dhënë lekët, më ka thënë mua se nëse nuk mbaronim punë në datën 03 nëntor, t'ia ktheja lekët mbrapsht pasi i kishte marrë me interes dhe unë i kam thënë në rregull. Në datën 03 nëntor, gjyqi i Emiliano Shullazit nuk është zhvilluar dhe unë po në këtë datë kam marrë në telefon Agimin ku i kam thënë se kisha folur me personin që do të na ndihmonte dhe me shumën që kishim paguar, do mundohej të nxirrte nga burgu Gilmando Danin që ishte arrestuar me Shullazin. Mbaj mend se edhe një seancë gjyqësore është shtyrë dhe gjyqi tjetër është bërë më datë 19 janar 2007 ku në atë seancë është marrë masa e dënimit dhe të dy këta persona si Emiljano Shullazi edhe Gilmando Dani i ka kapur amnistia për veprën penale që akuzoheshin dhe është vendosur lirimi i shtetasitGilmando Dani ndërsa për Emiljano Shullazin nuk u vendos kjo masë, pasi atij i ishte çelur edhe një dosje tjetër.
Pasi ka mbaruar gjyqi më datën 19 janar, në datën 20 janar Agimi më ka kërkuar takim dhe jemi takuar tek lokali im, "Enea" ku aty më ka sjellë 25 000 euro, pasi unë isha bërë e besueshme ngaqë Dani doli nga burgu dhe kemi diskutuar përsëri që të nxirrnim edhe Emiljano Shullazin nga burgu.
Pasi kam parë që isha bërë e besueshme tek këta persona, unë kam studiuar dosjen tjetër për të cilën akuzohej Emiljano Shullazi dhe kam parë se së bashku me të akuzohej edhe shtetasi Ergys Ferhati dhe më ka lindur ideja që të negocioja edhe me të, gjasme nëpërmjet një personi të fuqishëm që edhe ai të dilte nga burgu dhe ti merrja ndonje lek.
Pas kësaj unë kam shkuar në burg së bashku me Irenën, ku kam takuar Emiljano Shullazin dhe i kam thënë se mund të negocioja edhe për Ergys Ferhatin që të dilte nga burgu, por ai duhet të paguante 75 000 euro që i donte personi që do bënte punën si herën e parë dhe Emiljano Shullazi më ka thënë se do të fliste me Ergysin dhe do të më kthente përgjigje. Për pak ditë, Emiljano Shullazi më ka marrë në telefon dhe më ka thënë se në rregull edhe ai muhabet,por lekët do të bëhen avash -avash se është shumë e madhe dhe Ergysi nuk ka mundësi. Pasi ka dalë nga burgu Gilmando Dani dhe çdo gjë ishte bërë e besueshme, brenda muajit shkurt mua më kanë sjellë afërsisht 71 000 euro Agimi dhe Feriti, që ishte i ati i Ergysit dhe unë gjoja kam plotësuar lekët e tjera pra 4000 euro që të plotësohej shuma 75000 euro shumë të cilit do t'ia jepja personit që do të na mbaronte punë për të dy, pasi për Emilianin e kishte marrë pjesën që më kishte kërkuar.
Nga fundi i muajit mars, procedimi penal në ngarkim të shtetasve Emiljano Shullazi dhe Ergys Ferhati ka shkuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda për gjykim dhe mua më ka marrë Emiljano Shullazi dhe më ka thënë se ç'po bëhet, pasi çështja shkoi në gjyq dhe ngaqë ata më kishin besuar. Të gjitha këto ishin trillime të miat, pasi asgjë s'ishte e vërtetë. Pasi kanë kaluar afro dy muaj unë komunikoja me Agimin, me babanë e Ergysit, Feritin si dhe të dashurën e tij dhe gjithmonë u sajoja ndonjë pretekst apo u thoja se gjoja gjërat ishin në rregull derisa në datën 28 qershor unë u thashë se nuk do të merresha më me këtë punë dhe do tu ktheja 150.000 euro që i kisha marrë mbrapsht dhe ata ranë dakort.Në ditët e para të muajit korrik, duke parë se Agimi me Feritin më kërkonin lekët, unë kam shkuar tek noteri dhe kam bërë deklaratë noteriale me dëshirën time me të dy personat, ku njërit i kam nënshkruar se i kam 80 000 euro dhe tjetrit 70 000 euro dhe për këtë shumë lekësh, kemi vënë afat një javor për t'i shlyer. Mbas disa ditësh, pra në ditët e para të muajit korrik e mbaj mend se ka qenë e premte dhe unë kam shkuar tek zyra e prokurorit të Krimeve të Rënda, Adnand Kosova ku kam pritur tek informacioni dhe kam kërkuar takim. Më kanë çuar tek zyra e tij dhe unë pasi jam prezantuar se kush isha dhe çfarë lidhje kisha me çështjen e Emiljano Shullazit, i kam thënë atij se unë kisha marrë 150.000 euro për të ndihmuar tre personat konkretisht Emiljano Shullazin, Gilmando Dani dhe Ergys Ferhatin, por se këto lekë nuk i kam paguar tek njeri dhe ishte problemi im. Gjithashtu unë zotit Adnand i kam thënë se kisha dëgjuar që ai kishte marrë 150.000 euro që të dënonte sa më shumë Emiljano Shullazin, por ai nuk ka pranuar dhe e ka mohuar këtë gjë dhe më pas jam larguar nga zyra e tij. Gjatë këtyre muajve më kërkonin lekët, derisa më datë 08 shtator unë kam bërë aksident me makinë ku mbeti i vdekur një koleg pune, me të cilin kisha hapur një biznes për transportin e hekur -nikelit nga miniera e Debrovës në Përrenjas e më pas në Kosovë. Pas këtij aksidenti unë kam ndenjur një kohë të gjatë në spital, personat që unë u kisha lekët më kërkonin dhe vinin më takonin dhe unë ju kam thënë se do t'ua jepja lekët, sapo t'i bëja. Gjatë kohëve të fundit unë kam marrë takime edhe me shtetasin Arlind Fuga që ishte shoku i Emiljano Shullazit dhe më datë 15 tetor që ishte ditë e hënë, Arlindi më ka thënë se do të shkonim tek zyra e prokurorit Adnand Kosova së bashku me Agimin dhe Feritin dhe aty do të ishte edhe një person tjetër dhe unë kam rënë dakort. Rreth orës 14.30, unë jam takuar tek Prokuroria e Krimeve të Rënda me Agimin dhe Feritin, ndërsa Arlindi sa ka qenë aty dhe në momente që ne kemi hyrë në prokurori ai është larguar, kurse unë së bashku me Agimin dhe Feritin kemi hyrë në zyrën e prokurorit Adnand Kosova. Kur hymë brenda, ne jemi prezantuar. Në zyrë ishte vetëm Adnand Kosova, ku i jemi prezantuar se kush ishim dhe në ato momente prokurori Adnand Kosova ka thënë se nuk ishin të vërteta fjalët që kishin dalë në lidhje me Emiljano Shullazin dhe Ergys Ferhatin. Unë në ato momente i kam thënë prokurorit në sy të dy personave se: i ke marrë ti 150.000 eurot për dy personat që ti nxirrje nga burgu dhe këto lekë ia kisha dhënë unë atij në dorë personalisht dhe më pas në zyrë janë shkëmbyer debate ku Agimi me Feritin i kanë thënë atij: nuk e di pse na keni thirrur. Ne nuk kemi punë me ty, kemi punë me Albanën.Më pas kemi dashur të dalim nga zyra, por prokurori më ka thënë mua ose mohoje se m'i ke dhënë mua lekët ose do shkosh në burg, ndërsa unë kam qëndruar tek fjala ime se ia kisha dhënë atij shumën prej 150.000 euro dhe më pas na shoqëruan të treve në drejtorinë e Tiranës.
Pyetje :Mund të na thoni kush ka përfituar nga shuma prej 150.000 euro që ju i keni marrë shtetasve Agim Bonaca dhe Ferit Ferhati që ti nxirrni nga burgu atyre shtetasit Emiljano Shullazi dhe Ergys Ferhati ?
Përgjigje :Kam për të theksuar, ashtu siç e shpjegova më lart se këtë shumë e kam marrë vetëm unë, duke i gënjyer se do t'i nxirrja nga burgu dhe nga kjo shumë unë kam paguar para një viti Fluturën kundrejt shumës 2500 euro, siç e kam shpjeguar më lart.
Pyetje : Mund të na thoni është në dijeni të gjithë këtyre fakteve shtetasi Ardi Lazaj, që është bashkëshorti juaj?
Përgjigje : Ai nuk ka qenë në dijeni fare, derisa unë e njoftova para disa ditësh. Ai ka ngulmuar më pas që të gjendej mënyra që t'u kthenim lekët personave që unë uapata marrë personalisht.
Pyetje : Mund të na thoni ju se çfarë keni bërë me shumën 150.000 euro që u keni marrë shtetasveAgim Bonaca dhe Ferit Ferhati dhe kush ka përfituar nga kjo shumë?
Përgjigje : Unë me këto lekë kam rregulluar lokalin për afro 30.000 euro, ku e kam bërë restorant, kam paguar një borxh të vjetër prej 22.000 eurosh, kam paguar 10.000 euro avokatët e çështjes konkretisht Nik Progri dhe Besnik Elezi si dhe kam bërë shumë shpenzime të tjera.
Pyetje : Mund të na thoni keni folur ndonjëherë me zotin Adnand Kosova në telefon dhe çfarë numri celulari ka ai?
Përgjigje : Unë nuk kam kontaktuar asnjëherë me zotin Adnand Kosova dhe nuk e di se çfarë numri ka ky person.
Gjë tjetër nuk kam për të thënë. Fjalët e mia janë të vërteta, e pasi i lexoj i firmos pa vërejtje.
Albana Laze
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
0 Comments:
Post a Comment