Berisha : Cmimi i energjise do dyfishohet

Burime nga KESH, bëjnë të ditur se nuk do të ketë përmirësim në orët e furnizimit me energji.

Gjatë fjalës së tij për Buxhetin 2008, Berisha ka bërë të ditur edhe skemën e re të çmimit të energjisë

ENERGJIA

Berisha: Çmim dyfish për bizneset dhe konsumin mbi 400 kWh

Kufizimet e energjisë do të vazhdojnë të jenë të pandryshueshme. Të vetmet përmirësime, sipas KESH, mund të priten vetëm në orët e paradites, nëse HEC-i i Komanit dhe i Vaut të Dejës do të vazhdojnë që të ruajnë këtë nivel prurjesh.

TIRANË-Gjatë prezantimit të Buxhetit 2008, kryeministri Berisha ka bërë të ditur edhe skemën e re të çmimit të energjisë, që do të zbatohet në vitin 2008. Berisha ka sqaruar se "dyfishimi i çmimit të energjisë do të jetë vetëm për të gjithë ata qytetarë që do të konsumojnë më shumë se 400 kilovat/orë në muaj. Dyfishim të çmimit të energjisë do të paguajnë edhe bizneset",- ka deklaruar Berisha. Gjatë ditës së sotme pritet që të realizohet edhe seanca dëgjimore që do të realizojë Enti Rregullator i Energjisë me grupet e interesit, për çmimet që do të aplikohen në vitin 2008.

Reshjet

Java e fundit u shoqërua me reshje të shumta, duke ngjallur shpresat e gjithë shqiptarëve për një përmirësim të situatës së furnizimit me energji. Por burime nga ana e KESH, bëjnë të ditur se reshjet kanë bërë që Fierza të shkojë në 270 metër dhe ky nivel nuk është i mjaftueshëm për të vënë në punë me gjithë kapacitetin HEC-in. Në këto kushte, KESH do të vazhdojë që të ruajë të njëjtat orare të kufizimit të energjisë, në të gjithë vendin, ndërsa prodhimi shtesë i energjisë, si pasojë e vënies në punë të dy HEC-ve, Komanit dhe Vaut të Dejës, do të shkojë për rritjen në konsum të energjisë pas temperaturave të ulëta gjatë 2 ditëve të fundit.

Situata

Reshjet e ditëve të fundit sollën një përmirësim të lehtë në situatën hidroenergjetike të vendit, por sipas KESH është ende shpejt për të folur për një dalje nga situata kritike. Ndërkohë që piku i prurjeve në lumin Drin arriti në 820 m3/sek, nga 50 mesatarisht që ishin gjatë muajit paraardhës, gjatë ditës së djeshme prurjet në këtë lum kanë qenë 266 m3 ndërsa niveli i Fierzës ka arritur ne 269.4 metër, nga 263 që shënonte një javë më parë. Megjithatë, burime nga Korporata bëjnë me dije se me nivel 275 m të Fierzës mund të thuhet që është tejkaluar faza kritike, ndërkohë që për të fituar një siguri për ecurinë e situatës, do të duhej që hidrocentrali më i madh në vend të arrinte nivele maksimale prej 296 m.

Ditët me reshje gjatë javës së kaluar ndihmuan në frenimin e Fierzës pasi dy hidrocentralet e tjerë më të vegjël të kaskadës, Komani dhe Vau i Dejës u mbushën duke tejkaluar nivelin maksimal. Në këtë situatë, për të evituar derdhjen e mundshme u prodhua energji, që u lëshua në rrjet gjatë orëve të paradites.

Reshjet

Niveli maksimal i HEC të Komanit është 175 m ndërsa niveli maksimal i Vaut të Dejës 76 m, në ditët e reshjeve këto dy hidrocentrale janë u vunë në punë me kapacitet të plotë. Por rezerva e vërtetë hidrike sipas specialistëve të KESH, e cila jep edhe siguri për sistemin është në Fierzë. Në këtë kuptim nuk mund të flitet për dalje nga situata kritike por vetëm për një përmirësim të lehtë. Ditët në vijim pritet të ketë një vijimësi të reshjeve. Burimet nga Korporata bëjnë të ditur se nëse situata në dy hidrocentralet e tjera vijon në nivelet e sotme, atëherë edhe situata e kufizimeve do të vijojë të jetë me reduktime. Por KESH nuk ka ndërmend që të përdorë rezervuarin e Fierzës, që është edhe më i rëndësishmi. Dy vitet e krizave të mëdha të energjisë, kanë bërë që sjellja e KESH të jetë tejet e matur pasi kapriçot e reshjeve në këto 2 vite e kanë çuar Fierzën disa herë drejt pikës së vdekjes.

Box

Treguesit e djeshëm

Prodhimi 7.871

Importi 9.503

Konsumi 17.374

Fierza 269.41m /296 m maksimali

Prurjet 266 m3/sek

Rritja 42 cm/ditë

Komani 169.70m /nga 175 m maksimali

Vau i Dejës 73.99m /75 m maksimali

(Julian Llupo / Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors