Banda e Niklës, 91 vjet burg për grabitje e pengmarrje


Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon dënimin e Flamur Hakës e Petrit Lleshit dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Ja akuzat

TIRANË- Banda e Niklës, e akuzuar për 7 grabitje të dhunshme, një rrëmbim personi dhe një atentat rrezikon të marrë nga gjykata 91 vjet burg. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë lexoi dje konkluzionet përfundimtare për shtatë të pandehurit e bandës së drejtuar nga Flamur Haka dhe Petrit Lleshi, duke kërkuar deklarimin fajtorë të tyre për nëntë vepra penale.

Sipas përfaqësuesve të prokurorisë, Adnan Xholi, Olsian Çela, Julian Papa dhe Edvin Kondili, shtatë të pandehurit kanë kryer 7 vjedhje me armë e dhunë në bashkëpunim, një rrëmbim personi me qëllim përfitimin si dhe një vrasje me paramendim të mbetur në tentativë. "Veprat penale, të pandehurit i kanë kryer në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por të drejtuar nga të pandehurit Petrit Lleshi dhe Flamur Haka. Këta vendosnin për objektivin dhe planin e vjedhjes ",-thuhet në konkluzionet e prokurorisë. Sipas përfaqësuesve të akuzës, të pandehurit Petrit Lleshi dhe Flamur Haka kanë kryer veprat penale të "vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë" ndaj Bledar Ullirit, "rrëmbim personi me qëllim përfitimin" ndaj shtetasit Kujtim Shtufi, "vjedhjen me dhunë" ndaj dy kambistëve Avni dhe Ramiz Gjuta si dhe akuzën e "armëmbajtjes pa leje", të gjitha këto në bashkëpunim.

Pretenca

"Për kryerjen e këtyre veprave penale kërkojmënga Gjykata e Krimeve të Rënda dënimin e tyre me nga 16 vjet burg secili"-kanë thënë prokurorët e Krimeve të Rënda për dy drejtuesit e bandës së Niklës. I pandehuri Kreshnik Berisha akuzohet se ka kryer veprën penale të "vjedhjes me armë" katër herë, "vjedhjes me dhunë" 2 herë si dhe "vjedhjes", të gjitha këto në bashkëpunim. Për të është kërkuar dënimi me 15 vjet burg, ndërsa për të pandehurit e tjerë janë kërkuar dënime më të lehta. Sipas prokurorisë, të gjitha këto krime u faktuan dhe u vërtetuan, jo vetëm në fazën hetimore por edhe në fazën e shqyrtimit të çështjes pranë Gjykatës, ku procesi vazhdon që nga data 30 maj e vitit 2006. "Në nëntë rastet e ndryshme, të pandehurit e kësaj bande kanë kryer grabitje me armë, rrëmbime personash, gjobëvënie dhe vjedhje të tjera. Madje, në një rast i kanë vënë gjobë një personi, duke u hequr sikur autori i saj ishte Nehat Kulla",-thuhet në konkluzionet e prokurorisë, të përshkruara në 47 faqe.

Akuzat

Sipas prokurorisë, në shkurt të vitit 2005 është regjistruar procedimi penal kundër shtatë të pandehurve, Flamur Haka, Petrit Lleshi, Agron Tafani, Kreshnik Berisha, Mustafa Xheka, Edmond Sina dhe Ervin Belba. "Veprimtaria e kësaj bande ka filluar në prill të vitit 1998, kur dy prej anëtarëve të saj kanë vjedhur makinën e Bardhyl Medollit në vendin e quajtur Bregu i Lumit në Tiranë. Pak muaj më pas, në fillim të vitit 1999, anëtarët e kësaj bande i kanë vënë gjobë prej 2 milionë lekësh shtetasit Petrit Metohu. Letra kërcënonte Metohun se nëse nuk do të paguante paratë, do t'i vriteshin fëmijët. E veçanta e këtij rasti është se në fund të letrës, kishin nënshkruar sikur autor i gjobëvënies ishte Nehat Kulla dhe grupi i tij. Një tjetër grabitje e bandës e cila është faktuar, është kryer më 6 maj 1999. Rreth orës 21:30 të asaj nate, tre persona kanë hyrë në banesën e Gëzim Qefalisë, ku ndodhej edhe kosovari Ismet Kryeziu dhe i kanë marrë këtij të fundit 850 franga dhe 5200 marka. Ndërkohë, vetëm gjashtë muaj më pas, Flamur Haka dhe Petrit Lleshi kanë rrëmbyer shtetasin Kujtim Shtufi dhe e kanë shpënë në një banesë në afërsi të urës së Tapizës. Më datë 19 nëntor 1999 ata i kanë telefonuar shtetasit Dodë Luli duke i kërkuar 50 milionë lireta italiane në këmbim të lirisë së Shtufit. Pak orë më vonë, nën presionin e policisë, ata janë tërhequr nga kërkesa e tyre dhe kanë lënë të lirë Shtufin vetëm pasi i kanë marrë 20 mijë lekë, 300 mijë lireta si dhe një zinxhir floriri. Në qershor të vitit 2000 sërish Haka dhe Lleshi kanë tentuar që të vrasin shtetasin Bledar Ulliri, i cili për fat ka shpëtuar vetëm me një plumb në këmbë.

21 prill 1998

Kreshnik Berisha dhe Edmond Sina kanë ndaluar makinën e Bardhyl Medollit, i cili ndodhej me kunatin, motrën e tij dhe dy fëmijë të vegjël. Të akuzuarit i kanë dalë përpara me armë më dorë e i kanë marrë makinën

Fillim i vitit 1999

Anëtarët e kësaj bande kanë hedhur një letër në shtëpinë e Petrit Metohut, ku i kërkohej të paguante dy milionë lekë, përndryshe do t'i vrisnin fëmijët. Letra ishte nënshkruar sikur atë e kishte dërguar Nehat Kulla

6 maj 1999

Kreshnik Berisha dhe Agron Tafani kanë hyrë në shtëpinë e shtetasit Gëzim Qefalia, ku ndodhej edhe kosovari Ismet Kryeziu. Nën kërcënimin e armëve ata kanë mundur t'i marrin shumën e 850 frangave dhe 5200 markave

18 nëntor 1999

Flamur Haka dhe Petrit Lleshi kanë marrë peng shtetasin Kujtim Shtufi dhe pak orë më pas, kanë telefonuar Dodë Lulin duke i kërkuar 50 milionë lireta për ta liruar. Pas presionit të policisë ata kanë liruar pengun

10 korrik 2000

Kreshnik Berisha, Petrit Lleshi dhe Ervin Belba, të pajisur me shkopinj i kanë zënë rrugën dy kambistëve Avni dhe Ramiz Gjuta. Me anë të kërcënimit ata kanë mundur që t'iu marrin atyre shumën e 1.4 milionë lekëve

5 dhjetor 2000

Rreth orës 12.00 të asaj dite, anëtarë të bandës kanë ndaluar në rrugën "Don Bosko" makinën e firmës së këpucëve "Filanto". Nën kërcënimin e armëve, ata kanë mundur të marrin shumën e rreth tre milionë lekëve

10 qershor 2000

Flamur Haka dhe Petrit Lleshi kanë tentuar të vrasin shtetasin Bledar Ulliri. Ata e kanë ndjekur Ullirin nga pas dhe pasi i kanë prerë rrugën me makinë e kanë qëlluar me breshëri automatiku. Fatmirësisht ai është larguar

30 maj 2003

Anëtarë të kësaj bande kanë kryer grabitjen e makinës së shtetasit Hektor Begeja. Ai kishte parkuar makinën përballë Akademisë të Arteve, por kur është kthyer makina e tij ishte vjedhur nga Berisha dhe persona të tjerë

9 shkurt 2005

Kreshnik Berisha dhe Mustafa Xheka kanë kryer grabitjen e kambistit Reshit Beja, tek Fusha e Aviacionit. Mëngjesin e asaj dite ata i kanë grabitur me armë Bejës rreth 34 mijë euro, 4.4 milionë lekë si dhe 4400 dollarë (Shekulli?

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors