Emigrantët shqiptarë: Shpresa, na e zbardh faqen!


Bashkatdhetarë të ndryshëm janë drejtuar tek hotel "President" për të takuar futbollistët tanë kuqezinj

Ndeshjet Greqi Shqipëri apo edhe Shqipëri Greqi, veç tensionit të një ndeshjeje të zakonshme sportive, pra veç etheve të saj, ku përfshihen loja, golat, rastet, spektakli, emocionet e gjithçka tjetër që ka një ndeshje futbolli, ky derb ballkanik ka edhe diçka tjetër, që vërtet lidhet me ndeshjen, por nga ana tjetër nuk ka asgjë me të. Sepse në lojë jo rrallë është futur politika, patriotizmi.

Kësisoj, ndeshja e futbollit ka dalë jashtë kuadratit të fushës së blertë, duke u rënduar tej mase me gjëra që nuk i takojnë sportit. Të paktën kështu ka ndodhur deri tani. Dëshërojmë të mos ndodhë më. Futbolli të luhet ashtu siç është luajtur gjithnjë, brenda fushës së blertë, dhe idhtarët e tjerë, ata që deri tani kanë bërë rolin e të fortit, të "heqin" heshtat e parzmoret dhe t'u binden rregullave të lojës së futbollit, këtij sporti të bukur, emocionues e tejet miqësor.

Ky është edhe mesazhi që përcjell për "Sportin shqiptar" në prag të ndeshjes Greqi Shqipëri trajneri i ekipit Shpresa të Shqipërisë, Artan Bushati, në prag të ndeshjes Greqi Shqipëri, që do të luhet me 21 nëntor në Athinë, ora 16.15 në stadiumin "Apostolos Nikolaidhis", aty ku i zhvillon ndeshjet skuadra e Panathinaikosit. Artan Bushati shfaq hapur synimet e tij për të zënë vendin e dytë. Ai vlerëson si ekipin më të mirë atë të Italisë, por vlerëson shumë edhe ekipin grek.

Trajneri i ekipit shqiptar thotë se vjen në Greqi për t'u ndeshur si i barabartë me skuadrën greke, por dëshëron që ndeshja midis këtyre dy ekipeve të jetë një "fair-play" i vërtetë. Bushati thotë se Shpresa nuk ka si qëllim primar rezultatin, por përgatitjen e futbollistëve, që të jenë të aftë për të veshur fanelën e ekipit përfaqësues. Dhe ai është i gëzuar se disa futbollistë të tij janë bërë pjesë e skuadrës sonë kombëtare. Artan Bushati flet edhe për marrëdhëniet e shkëlqyera që ka me trajnerin e ekipit kombëtar, kroatin Otto Bariç.

Kuqezinjtë e vegjël zbritën në Athinë Duke u gdhirë e hënë, ka zbritur në aeroportin "Elefteros Venizellos" Shpresa e Shqipërisë. Që këtu ata i kanë hypur autobusit e i janë drejtuar hotelit luksoz "President", që gjendet fare pranë stadiumit "Apostolos Nikolaidhis", në Athinë, ku edhe do të zhvillohet takimi midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Takimi i 21 vjeçarëve ka ngjallur një interesim të madh në mjedisin sportiv grek. Fitorja e thellë 5 0 e shqiptarëve ndaj skuadrës së Ishujve Faroe dhe humbja e vendasve 3 4 me Kroacinë e kanë elektrizuar disi situatën. Tashmë Greqia dhe Shqipëria kanë të njëjtën kuotë pikësh, 10. Eshtë edhe kjo një nga arsyet që ndeshja e Shpresave ka fituar që tani përmasat e një takim mes skuadrave kombëtare. Që në mëngjes, bashkatdhetarë të ndryshëm janë drejtuar tek hotel "President" për të takuar futbollistët tanë dhe drejtuesit e tyre.

Trajneri Artan Bushati, përgjegjësi i ekipit Gjergji Thaka, mjeku Zyhdi Çoba, ndihmëstrajneri Eduard Zhupa, trajneri i portierëve Ilir Bozhiqi, ish-futbollisti i njohur i Flamurtarit e i ekipit kombëtar Petro Ruci, por edhe futbollistë të tjerë, kanë pasur që në mëngjesin e parë pas zbritjes në Athinë përkrahjen e sportdashësve shqiptarë. Pranë ekipit tonë përfaqësues janë gjendur edhe përfaqësues të ambasadës sonë në Athinë, ku zoti Arben Sorra, është interesuar për gjithçka që i duhet ekipit.

Në mes sportdashëve, që kishin ardhur për të takuar kuqezinjtë ishte edhe një nga tifozët më të njohur të Tiranës, Dashamir Hysa. "Erdha të takoj djemtë,- thotë ai,- ata po na nderojnë. Dua që të na nderojnë me fitore edhe këtu në Athinë. Unë kam besim te trajneri Bushati dhe te futbollistët e tij. Ata do të bëjnë më të mirën",- thotë Dashi, që mendon se do të jetë mes tifozëve më të zjarrtë, në qendër të tribunës.

Shpresa në stërvitje, dëmtohet Shoshi

Dje pasdite, Shpresa jonë ka kryer një stërvitje në një nga komplekset më të bukura sportive të Greqisë, në "Agio Kozma", pikërisht aty ku i zhvillon stërvitjet ekipi kombëtar grek. Trajneri Bushati është i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij dhe shton se sulmuesit e tij, sidomos Sukaj, Abilaliaj e ndonjë tjetër, kanë një formë shumë të mirë. Por mërzia e tij nuk fshihet pas këtyre fjalëve të mira.

Gjatë stërvitjeve të djeshme, në një ndërhyrje, mbrojtësi i U-21, Marenglen Shoshi, i cili është bashkuar me ekipin në Athinë, është dëmtuar dhe është i pamundur për ndeshjen e të së mërkurës. Një fakt të tillë na e konfirmon edhe mjeku i ekipit, Zyhdi Çoba, i cili me gjithë ndihmën e tij mjekësore, e shikon të pamundur rehabilitimin fizik të mbrojtësit Shoshi për ndeshjen e radhës ndaj Greqisë.

Ndërkohë, ekipi ynë Shpresa do të zhvillojë sot mbasdite, rreth orës 18.00, një stërvitje në stadiumin "Apostolos Nikolaidhis", ku edhe do të zhvillojë një ditë më pas takimin e radhës ndaj skuadrës vendase të Greqisë. (Sporti Shqiptar)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors