Kupa e Shqipërisë, sfida sonte në Durrës

Një finale e tillë meriton të quhet klasike, por kur e thua këtë fjalë në këtë fund sezoni, sikur të mbetet në grykë. Dinamo e Tirana do të diskutojnë kupën e Shqipërisë, sonte në orën 19:00 në “Niko Dovana” të Durrësit, ndërsa kanë qenë hija e vetvetes gjatë gjithë këtyre 9 muajve.

Madje, blutë dinamovitë janë errësuar shumë më tepër se një hije, sado e zezë që të jetë ajo, pasi ende është në pragun e greminës duke pasur në prag ndeshjen e plej autit ndaj Besëlidhjes. Pra, në prag të jetës dhe vdekjes për të qendruar në Superligë.

Dinamo e di se ajo ndeshje është kryesorja, gjithsesi presidenti Sulaj i ka premtuar tashmë 60 000 dollarë për skuadrën nëse e fiton Kupën e Shqipërisë, sepse skenari më i mirë do të ishte triumf në Durrës, pjesëmarrje në Ligën e Europës dhe qendrim në Kategorinë Superiore. Aq më shumë që në ndeshjen ndaj lezhjanëve shkohet me moral më të lartë nëse fitohet ndaj Tiranës.

Tek Tirana kanë më shumë besim, ndoshta edhe sepse skuadra bardheblu më shumë është forcuar sesa është dobësuar, ndryshe nga rivali i sotëm që ka humbur shumë emra të rëndësishëm që nga janari e deri tani.

Të dyja skuadrat duan të bëjnë histori pasi kanë nga 13 kupa secila, dy më pak sesa Partizani dhe ajo që fiton lë prapa tjetrën. Gjithçka është gati në Durrës, larg Tiranës së trazuar dhe në pritje për t’u qetësuar, veçse cilado që të fitojë, nuk do të mundet të shpëtojë një sezon kaq negativ. Të paktën, të fitojë një kupë dhe Europën.

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors