Takimi vjetor i Transparency International për Europen dhe Azinë u zhvillua në Tiranë. Një rast për të diskutuar për një nga sfidat e forta që përballen shoqëritë, korrupsioni. Kryeministri i Shqipërisë tha se reformat e thella kanë garantuar rezultate efikase kundër korrupsionit mbështetur nga masa efikase të penalizimit të të gjithë rasteve korruptive.
Kryeministri e konsideroi mjaft të rëndësishëm rolin e shoqërisë civile në përpjekjen antikorrupsion. Gjatë një konference për shtyp, Miklos Marshall, Drejtor për Europën dhe Azinë Qendrore i TI, tha se qeveria shqiptare ka shënuar progres të ndjeshëm gjatë viteve të fundit në përpjekjet antikorrupsion.
"Gjatë këtyre viteve ka patur përparim të madh, ka tregues që dëshmojnë se ka përparim në tre drejtime, në masat për të nxitur zhvillimin ekonomik, në masat që e bëjnë më atraktive klimën e biznesit dhe aty ku duhen bërë ende përpjekje janë reformat në Administratën Publike.
Ky vend është në rritje pavarësisht problemeve që keni. Keni probleme me varfërinë dhe korrupsioni mbetet ende një çështje serioze, megjithatë shoh ndryshime të rëndësishme."
Gjatë këtij takimi në Tiranë të TI, kryeministri paraqiti të gjitha masat e marra nga qeveria për efikasitet ndaj korrupsionit, duke nisur me shkurtimin e shpenzimeve të administratës nga 3 në 2 % të GDP, futjen e sistemit elektronik në prokurimet publike, vendosjen e çmimeve të renferencës në shëndetësi, apo dhe miratimin e ligjit kundër nepotizmit dhe shpërblimit e mbrotjes së informatorëve të korrupsionit.
0 Comments:
Post a Comment