Dënohet incidenti në Shkup


Organizata dhe vëzhgues në Maqedoni kanë ngritur alarmin për përkeqësimin e marrëdhënieve ndër etnike.

Një incident ku disa përkrahës të një klubi futbolli sulmuan një fëmijë shqiptar në Shkup, ka shkaktuar tension politike me karakter ndëretnik.

Në fundjavë një djalë 11-vjeçar u qëllua më gurë në kokë dhe mori lëdime serioze, ndonëse tani është jashtë rrezikut për jetën.

Ai u sulmua kur në Sheshin e Shkupit vërshuan tifozë të një klubi futbolli, që njohen si “komitë”.

Policia ka identifikuar një person dhe njoftoi se kishte ngritur padi kundër tij.

Për një hetim të plotë u zotua edhe kryeministri Nikolla Gruevski.

“Atë që ndodhi në shesh, vetëm mund ta dënoj. Dua të theksoj se çdo incident i tillë, pa marrë parasysh se kush është sulmuar dhe cilës përkatësi etnike i përkasin personat, është për ta dënuar ", tha Kryeminisri Gruevski.

Ndryshe e shikon ngjarjen BDI-ja, e cila është partnere në koalicion qeverisës në Maqedoni.

Nëpërmjet një komunikate kjo parti e quajti sulmin me 'elemente fashiste' dhe kërkoi masa të menjëherëshe për të ndaluar atë që e quan 'huliganizëm' të shfaqur nga fansat “komiti”.

I njëjti grup përkrahësish sportivë, verën e kaluar u përfshi në një incident të ngjashëm, kur sulmuan banorë shqiptarë të një lagjeje në Shkup, duke u përleshur me ta.

Reagime ka patur edhe nga partitë e opozitës.

Për Demokracinë e Re klima politike do të nxisë edhe më tej grupe të ndryshme për të provokuar incidete, kurse LSDM-ja tha se dikush në Ministrinë e Punëve të Brendshme më në fund duhet të mbajë përgjegjësi se 'ka dështuar të pengojë huliganët sportivë'.

Mediat në Shkup vlerësojnë se ngjarja, e cila po merr dimensione etnike dhe politike, ndodh në kohën kur marrëdhëniet mes komuniteteve konsiderohen të përkeqësuara.

“Faji kryesor qëndron tek institucionet që nuk marrin masa fare për të ndaluar incidente të tilla, të cilat mund të përshkallzëojnë situatën ndër etnike e cila është e ndërlikuar”, tha gazetari Isuf Kadriu.

Disa raporte të organizatave të ndryshme thonë se tensioni ndëretnik është rritur.

Shkak për këtë përmendet projekti “Shkupi 2014”, por edhe disa projekte të tjera qeveritare.

Toni i ashpër i deklaratës së BDI-së, ndërkohë, po evidenton këndvështrimet e ndryshme që kjo forcë politike ka me partnerin e saj VMRO DPMNE, e cila incidentin e fundit e shikon vetëm si një rast rrahjeje që duhet të dënohet.

Këto dy parti prej disa kohësh kanë përplasje, ndërkohë që opozita i konsideron përgjegjëse për klimën e krijuar. (BBC)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors