Jam gati të pozoj nudo, nëse...


“E para, duhet të lindësh si Liberta Spahiu. E dyta, të jesh simpatike, e ëmbël dhe plot finesë. E treta…më mirë lëre fare këtë punë sepse përjetësisht e bukur si Libi ndodh njëherë në një milion!”. Këto janë disa nga komentet që bëhen në forume të ndryshme për një nga top modelet më të famshme të Kosovës, Liberta Spahiu. Komentet vazhdojnë kështu: “Pista sado e thjeshtë të jetë, duket aq e veçantë kur mban mbi vete një yll që shndrit. Kryqëzimi i këmbëve dhe çdo lëvizje e saj duket aq e përkryer. Po ashtu çdo rrobë e prerë në trupin e saj duket tamam si një vepër arti.

Një përqendrim bukurie që të shkakton “dridhje”… padyshim sizmografët do të mund të regjistronin ndonjë gradë Richter! Dhe stilistët nuk e çojnë fare ndërmend se mund “të humbasin betejën”, të kryejnë një sfilatë të dështuar. Sepse është ajo…Liberta!” E lindur më 04.01.1985 në Prishtinë, në moshën 15 vjeçare fillimisht u shfaq në “Kosova Neë Face 2000”, me një mori fotosh të realizuara nga fotografi Fadil Berisha. Që nga ajo kohë Liberta u ngjit shkallëve të botës së modes, duke qëndruar gjithmonë në krye si një hyjneshë në fron. Iu deshën 15 vjet Kosovës për të pasur një supermodele që do ta prezantonte atë denjësisht në fushën e modës. Me një fizik të Libertës mund të kesh luksin të veshësh rrobat më elegante të Botës! Gjatësia 172 cm dhe pesha 52 kg, e bëjnë atë një modele perfekte. Në internet qarkullojnë foto të panumërta të modeles së njohur nga Kosova, kryesisht në pasarela, por edhe disa të tjera pak më të veçanta, të cilat mesa duket Liberta i ka bërë në një moment të caktuar, por më vonë është penduar dhe është kujdesur që ato të hiqen nga qarkullimi. Në pamundësi për ta realizuar këtë, ato vijojnë të publikohen në disa site shqiptare… Megjithatë, Liberta nuk është fanatike. Ajo e di mirë zanatin që ka zgjedhur dhe, kush më mirë se ajo vetë mund ta shpjegojë?! Ja, lexojeni në intervistën e mëposhtme…

Konsideroheni si modelja më e suksesshme për momentin, ndërsa jeni dhe shumë seksi. Nga kush e keni trashëguar këtë bukuri?

Mmm... jam mix e mamit dhe babit.

Si arrini të jeni gjithmonë në formë, pasi dihet që modelet duhet të kenë linja perfekte të trupit ?

Epo kjo ka të bëjë me faktorin gjenetik, edhe pse nuk e teproj me asgjë.

Do të veçonit ndonjë “dështim” në karrierë, për të cilën edhe jeni dëshpëruar?

Nuk do të kisha mundur ta quaj dështim. Po e përmend një fakt, kur dikur pata një mundësi që më ishte ofruar për të shkuar në Londër, mirëpo për rrethana objektive - studimet, nuk arrita të realizoj ëndrrën e dikurshme për tu bërë modele e kalibrit evropian.

Përveç pjesëmarrjes nëpër sfilada mode, me çfarë merret tjetër Liberta?

Pas diplomimit dhe inkuadrimit në televizionin “Klan Kosova”, çështja rreth modelimit nuk është më në plan të parë.

Keni marrë pjesë edhe nëpër spektakle bukurie, do të veçonit ndonjë që ju ka lënë më shumë mbresa ?

Po, spektakli “Miss Albania”, që u mbajt në vitin 2001 ishte shumë i veçantë për mua. Por kënaqësi më të madhe më ka dhuruar pjesëmarrja ime në “Miss Bikini of the World”, që u mbajt në Maltë.

A është e vështirë të jesh modele në Kosovë, pasi dihet që numri i tyre dita ditës po rritet?

Jo, aspak nuk është vështirë, meqenëse çdokush merret me organizime të tilla dhe në këto organizime marrin pjesë femra pa kritere të veçanta.

Ju pengon konkurrenca? Me çfarë mbroheni kur është në pikëpyetje ajo?

Unë mbrohem me kualitetet që posedoj, edhe pse po vijnë gjenerata të reja në mesin e të cilave ka edhe bukuri cilësore.

A është keqpërdorur imazhi dhe emri juaj ndonjëherë?

Disa matrapazë që janë marrë me këtë “profesion”, ndoshta edhe e kanë keqpërdorur, por i takon së shkuarës dhe nuk më kanë lënë përshtypje.

Kush mendoni se ju bëri të famshme?

Ajo që më bëri të arrij këtë famë, dhe e para që më nxiti të arrij sukses ka qenë revista “Teuta”, me kryeredaktoren zonjën Sanije Gashin, dhe së bashku me fotografin e njohur Fadil Berisha.

Angazhimi i fundit që keni pasur si modele?

Së fundi kam reklamuar prodhimet e kompanisë “Gjini”, reklamë kjo e punuar nga “Entermedia”, e cila do të dalë së shpejti.

A do të fotografoheshit nudo?

Po, nëse bëhet fotografi që dominon arti, fotografi artistike. Por duke e pasur parasysh që në Kosovë shija për një gjë të tillë është krejt ndryshe, atëherë përgjigjja është “Jo”.

Ndiheni e “fortë” që jeni e bukur?

Ndihem e fortë jo vetëm që jam e bukur, por që kam edhe cilësi të tjera.

A është bukuria një armë e fortë për të gjetur më lehtë dyert, dhe për të kapërcyer pengesat?

Them se PO në mjedisin tonë.

Momenti më i lumtur në jetën tuaj?

Kam pasur shumë momente të lumtura në jetën time, por ai kulminanti mendoj se ka për të ardhur.

Cilat janë pasionet e Libertës? Ju ka ngelur ndonjë vend pa vizituar ?

Një pasion i imi është leximi (romani i fundit Xhevahiri i Medinës), muzika...etj. Sa i përket vendeve të pavizituara ende, ka shumë vende të cilat do të doja ti vizitoj. Këtë fundvit planifikoj ta vizitoj motrën në Tajlandë.

Porosia juaj për të rejat shqiptare?

Të ndërgjegjësohen, që me punë dhe cilësi të arrijnë diçka në jetë.

(Ballkan)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors