Gjykata e Tiranës konverton masën e sigurisë ndaj gruas së Kosta Trebickës, nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”. Vendimi është dhënë pak ditë më parë nga Gjykata e kryeqytetit, bazuar mbi kërkesën e Zyrës Task-Force në Prokurorinë e Tiranës. Kjo e fundit kishte kërkuar “arrest shtëpie” për shtetasen Brunela Trebicka, e cila akuzohet në procedimin penal kundër ekspertëve kontabël të dyshuar për “shpërdorim detyre”. Burime të Gjykatës së Tiranës thanë se ky institucion kishte vendosur në datë 24 tetor 2009 masën e sigurisë “arrest shtëpie” për gruan e biznesmenit të vdekur në Korçë vitin e kaluar.
Në këtë kohë, sipas gjykatës, shtetasja Brunela Trebicka nuk ndodhej në Shqipëri. Masa e arrestit është “lehtësuar” për shkak se sapo ka marrë dijeni për hetimin dhe akuzat e ngritura ndaj saj, Brunela Trebicka është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është paraqitur para organeve gjyqësore. Një veprim i tillë, sipas gjykatës, ka shërbyer si masë lehtësuese në caktimin e masës së sigurisë, e cila është lehtësuar nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”. Me këtë masë sigurimi, gruaja e biznesmenit Kosta Trebicka, duhet të paraqitet një herë në javë para policisë gjyqësore deri në përfundim të hetimit.
Gruaja e Trebickës
Sipas vendimit të gjykatës, shtetasja Brunela Skënder Trebicka, 38 vjeçe, banuese në Tiranë, me arsim të lartë, akuzohet për “vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës”. Ajo është e pandehur në një dosje ku akuzohen edhe pesë ekonomistë të tjerë, të cilët sipas prokurorisë kanë krijuar kompani biznesi fantazmë, për të realizuar veprime të paligjshme financiare. Në bashkëpunim me pesë të pandehurit e tjerë të dosjes, sipas vendimit të Gjykatës, shtetasja Brunela Trebicka ka krijuar një subjekt fantazmë, të cilit me anë të falsifikimit të dokumenteve i adresoheshin fatura shumash të majme, të cilat në fakt i përkisnin dhjetëra bizneseve që vepronin vërtet në treg në Tiranë, Durrës, Fier, Lushnjë dhe disa qytete të tjera.
Kompania fantazmë
Kompania fantazmë ishte emëruar “Klodi”. Sipas letrave, zyrat e saj ishin në Elbasan, por në të vërtetë ky subjekt nuk ka kryer asnjë lloj aktiviteti në biznes. I vetmi funksion ka qenë nxjerrja e faturave false në emër të kësaj kompanie fiktive, për llogari të shmangies së tatimeve dhe detyrimeve të tjera nga bizneset e vërteta që vepronin në treg. Në vendimin e gjykatës sqarohet se kompania fiktive ka lëshuar fatura sikur ka shitur mall për materiale që në fakt janë blerë nga kompani të tjera dhe qëllimi ka qenë fshehja e burimit. Sipas përllogaritjeve të bëra nga autoritetet tatimore, dëmi i shkaktuar shtetit me anë të skemës së abuzimeve me kompaninë fantazmë, është 1.2 miliardë lekë. Në këtë dosje voluminoze, e cila po hetohet nga Task-Force pranë Prokurorisë së Tiranës, akuzohen edhe shtetasit Shkëlqim Sako, Ajeta Shkëmbi, Marjana Palla dhe Nevila Bami. Të gjithë këta persona, përfshi edhe Brunela Trebickën, kanë hedhur poshtë dyshimet e ngritura ndaj tyre duke mos pranuar akuzat. Ndërkohë në vendimin e gjykatës thuhet se dosja e prokurorisë përmban prova të mjaftueshme për dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale “vjedhje me anë të shpërdorimit te detyrës”.
Persona në hetim
1. Shkëlqim Sako
2. Ajeta Shkëmbi
3. Marjana Palla
4. Nevila Bami
5. Brunela Trebicka
0 Comments:
Post a Comment