Marrëveshja, patentat shqiptare pas 15 gushtit njihen në Itali

Pas 15 gushtit, patentat shqiptare do të njihen edhe në Itali. Marrëveshja dypalëshe do të gjejë zbatim këtë mes gushti, kur shqiptarët e pajisur me patentë në vendin e tyre do të kenë mundësi të drejtojnë me të njëjtën leje edhe në vendin fqinj. Burime zyrtare njoftojnë se "Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për konvertimin e lejeve të drejtimit të automjeteve", nënshkruar më 27 tetor 2008, do të hyjë në fuqi zyrtarisht më 15 gusht 2009.

Marrëveshja midis dy qeverive do të ketë një kohëzgjatje prej pesë vjetësh". Marrëveshja përcakton që nëse mbajtësi i lejes së drejtimit të lëshuar nga autoriteti shqiptar ose italian vendos rezidencën në territorin e palës tjetër, ai mund ta konvertojë lejen e tij të drejtimit në patentën e shtetit tjetër, pa iu dashur të japë provime teorike dhe praktike, me përjashtim të rrethanave të veçanta.
Sipas saj, patenta e lëshuar nga autoritetet e Shqipërisë apo Italisë humbet vlefshmërinë për lëvizje në territorin e palës tjetër pas një viti nga data e marrjes së rezidencës së mbajtësit të saj në territorin e palës tjetër. Kjo vlen vetëm për patentat e marra përpara fitimit të rezidencës në territorin italian. Ndërsa, në rast se patenta aktuale ka vlefshmëri të përkohshme, mund të konvertohen ato që janë bërë të vlefshme në mënyrë të përhershme përpara marrjes së rezidencës në Itali.

Mbajtësi i patentës shqiptare, që është rezident në Itali prej më shumë se katër vjetësh, e konverton këtë dokument vetëm nëse u nënshtrohet provimeve të rishikimit të lejes së drejtimit kur është vërtetuar që nuk ka drejtuar automjete për një periudhë trevjeçare.

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors