Lajmi i bujshëm i pak ditëve më parë për blerjen e ekipit të Bolonjës nga biznesmeni shqiptar, Rezart Taçi, ka rezultuar një blof spektakolar. "Rezart Taçi heq dorë nga blerja e 80% të aksioneve të ekipit italian të Serisë A", - shkruhej dje në faqen zyrtare të internetit të klubit të Bolonjës. Lajmi u përcoll menjëherë nga mediet më të rëndësishme sportive italiane.
"Dush i ftohtë për familjen Menarini dhe gjithë ambientin e Bolonjës. Rezart Taçi, biznesmeni shqiptar i naftës, i ka njoftuar shoqërisë kuqeblu heqjen dorë nga blerja e 80% të aksioneve të klubit", - shkruante "Sport Mediaset"
"Lajmi që asnjë prej tifozëve të Bolonjës nuk e priste, është bërë i ditur në orën 20:26 në sitin e klubit të Bolonjës", - shkruante gazeta "La Gazzetta dello Sport".
Presidenti i Bolonjës, Menarini, shprehu keqardhjen për këtë gjë, në gazetën "Sport Mediaset", i befasuar.
Njeriu që pak vite më parë punonte në Itali si kamerier ndezi shpresat e tifozëve për një ekip të madh, duke premtuar një merkato "alla Real Madrid".
Presidenti i ekipit të Bolonjës u shpreh se do të vazhdojë tratativat për shitjen e klubit me shoqëri të tjera.
Heqja dorë nga blerja e Bolonjës vjen vetëm një ditë para se ai të zyrtarizonte blerjen e ekipit, për të cilin Taçi do të paguante 20 milionë euro, ndërsa kishte premtuar shpenzimin e 40 milionë eurove për merkato futbollistësh, një shifër kjo që konsiderohet luks dhe për ekipet më të mëdha në botë.
0 Comments:
Post a Comment