PEQIN -Një parakalim i gabuar i ka kushtuar jetën një 34- vjeçari nga fshati Gjocaj i rrethit të Peqinit. Durim Sinani u ekzekutua me breshëri kallashnikovi nga Roland Sallufi, i cili është shpallur në kërkim. Ngjarja e rëndë u shënua pasditen e djeshme, në rrugën nacionale Peqin-Elbasan.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit, bëjnë me dije se rreth orës 17:00, Sinani dhe Sallufi ishin duke udhëtuar me mjetet e tyre për në drejtim të qytetit të Elbasanit. Mësohet se Durim Sinani ka parakaluar me makinën e tij tip 'BMW X5' me targa TR 4455R, autoveturën që drejtohej nga Roland Sallufi.
Kaq ka mjaftuar që të nisë konflikti mes tyre. Sipas burimeve nga policia lokale, Sallufi ka reaguar shumë ashpër. Brenda pak sekondave ai ka arritur të parakalojë Sinanin dhe pasi i ka thënë që të ndalonte, i ka kërkuar shpjegime për parakalimin e gabuar. Ata kanë filluar të debatojnë dhe të shkëmbejnë sharje të ndërsjella. Situata ka dalë jashtë kontrollit duke përfunduar në dhunë fizike.
Në sherr e sipër, Roland Sallufi nga qyteti i Peqinit, pasi ka marrë armën e zjarrit tip automatik kallashnikov në makinën e tij ka qëlluar në drejtim të 34-vjeçarit Durim Sinani. Ky i fundit ka mbetur i plagosur rëndë. I riu u dërgua urgjentisht në spitalin rajonal të Elbasanit, ku dhe ndërroi jetë pas një ore. Bluzat e bardha të këtij spitali pohuan se viktima kishte pësuar plagë të rënda në trup dhe me gjithë ndihmën e dhënë prej tyre nuk arriti t'u shpëtonte kthetrave të vdekjes.
Ngjarja e rëndë ka alarmuar policinë, e cila ka mbërritur shpejt në vendin e ngjarjes. Efektivat blu kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e krimit si dhe automjetin e braktisur nga vrasësi. Pas kryerjes së veprimeve hetimore paraprake, rezultoi se viktima dhe ekzekutori u grindën për motive banale.
Pavarësisht kësaj, po hetohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Po të njëjtat burime sqarojnë se janë shoqëruar tre persona, të cilët po udhëtonin me makinën e autorit të krimit. Forca të shumta policore kanë krehur gjithë zonën përreth, ndërsa janë ngritur postblloqe në segmentet rrugore të qarkut të Elbasanit për të mundësuar vënien në pranga të ekzekutorit. Me gjithë kërkimet intensive deri në orët e vona të mbrëmjes, policia nuk arriti të arrestojë Roland Sallufin. (Gazeta Shqiptare)
0 Comments:
Post a Comment