Mitingu i PS, Sali Berisha ndalon Ramen me police


Ora 01.00 pas mesnatës duke u gdhirë e premte. Edi Rama, kryetar i PS duket i lodhur. I veshur me këmishë të bardhë dhe me një xhaketë të zezë trikuart, i begenis ata dhjetëra njerëz që janë në bulevard. Të rrethuar me furgonë policie si me tela me gjemba. Shoqërohet nga Besnik Bare, kreu i PS i Tiranës. Ky i fundit i rri nga pas, dhe herë pas here fërkon me duar sytë e tejskuqur duke pulitur qepallat. Po vijnë orët e lodhjes. Rama ecën përgjatë bulevardit, shikon kordonët pa fund të policisë dhe nënqesh.

Afrohet te një grup gazetarësh që kanë zbarkuar në shesh. E meqë janë të gjithë drejtorë lajmesh, kanë sjellë aty të gjitha kamerat. Po filmojnë. Rrethi i policisë duket se është i vendosur për të mos u hapur, dhe për më tepër për të mos lejuar asnjë kamion të PS të afrohet në shesh përballë kryeministrisë. Gazetarët i begenis kreu i G99 Erion Veliaj, i veshur me një këmishë, por që nuk e ndjen fare të ftohtin, tejet i qeshur me “budallallëkun” e radhës sipas tij të Berishës.

Në krah ka Ajolën. Pastaj janë të gjithë aty, Artan Lame, Auron Tare, Shkreli me Ledin, Ditmir Bushati, Fatmir Xhafaj, Kastriot Islami, Saimir Tahiri...Gjithë kandidatët e PS për Tiranën. Shtetrrethimi i policisë duhet të çahet. Pesë makinat e policisë që kanë bllokuar bulevardin, nuk mund të pengojnë lëvizjet e qytetarëve. Një makinë, pa e ditur se ç’ndodh ndërsa akrepat e orës shënonin 02.00 kërkon të kalojë kordonin. Policët para makinës dhe nuk e lënë për asnjë arsye. “Lejeni, lejeni, thotë Erioni, është makina e Shkëlzenit, do me ik në shpi. Ose merrni n’telefon doktorin”.

Plas e qeshura. Qeshin të gjithë. Një militant i PS afrohet te grupi VIP dhe u kërkon: “po ejani ore djema, tia marrim një labeje. Kështu e duan këta. Nuk duan gjë tjetër. Eja këndojmë se një nga një do shtohemi”. Një tjetër i mërzitur ia kthen: edhe për aheng kemi nevojë, po rrimë këtu pa asnjë arsye nga këta policë”. Policët shkëmbejnë cigare me ata që kanë vendosur ta gdhijnë jashtë, ndërsa duke nisur ora 03.00 e mëngjezit, Edi Rama, që nuk e ka lënë ende sheshin, ka filluar telefonat. Megjithatë, kjo ideja e këngës, u duk brilante për VIP-at.

Po lajmërohej fonia. Bulevardi do të buçiste nga kënga “Çohu” derisa të gdhihej, e të tjerë të bashkoheshin me turmën. Disa flinin në ndonjë makinë ndonjë orë e zgjoheshin prapë. Do të zbardhte dhe sheshi do lirohej. Do kishte më shumë qytetarë. Minutat ecnin pa u ndjerë ndërsa rreth orës 3.30 të mëngjezit, Edi Rama niset të flejë disa orë. Herët në mëngjez vinte Papandreu, e pas tij në mbrëmje mitingu. Kishte shumë gjëra për të bërë e ndonjë sy gjumë mund ta lehtësonte. Në bulevard, të rinjtë e G99, ishin ulur përtokë me birra e cigare e ndonjë pizza, dhe vazhduan të prisnin deri në agim.

Mengjesi
Tension dhe përplasje, deri edhe fizike, është parë dje në qendër të kryeqytetit shqiptar, pikërisht dy ditë para zgjedhjeve. Forcat e policisë kanë penguar zhvillimin e mitingut të socialistëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke mos lejuar kalimin e materialeve me të cilat do të ndërtohej tribuna para selisë së Kryeministrisë. Kjo shfaqje është ndjekur dje rreth mesditës, edhe nga dhjetëra gazetarë të huaj që kanë mbërritur në Tiranë për ditën e zgjedhjeve, duke dhënë një imazh negativ për vendin që sapo u anëtarësua në NATO dhe që është aspirant për në BE. Situata e tensionuar është ndjekur nga dritarja e Kryeministrisë edhe nga Sali Berisha, i cili ndërkohë fliste edhe në telefon.

Sheshi para Kryeministrisë u izolua me karroatrecë nga policia që prej orëve të mëngjesit të djeshëm për të penguar zhvendosjen e materialeve të PS-së para kryeministrisë, por kjo shkaktoi irritimin e turmës së njerëzve që po punonin aty si edhe të drejtuesve të partisë në opozitë. Forcat e shumta policore, të ndërhyrjes së shpejtë, ato speciale dhe të ndihmuar edhe nga Garda e Republikës, bllokuan me automjete policore të dy anët e bulevardit. Në një moment, organizatorët e mitingut janë drejtuar të gjithë nga ana e bulevardit, ku priste kamioni i materialeve penguar nga makinat e policisë dhe karroatrecët. Opozitarët kanë shtyrë dhe më pas zhvendosur këto makina, duke i hapur rrugën kamionit.

Por, në këtë moment, një prej shefave të policisë, Krenar Ahmeti është futur poshtë kamionit dhe i lidhur me pranga, ka qëndruar ashtu disa momente. Ai është tërhequr nga ky veprim i çuditshëm, vetëm kur e kanë marrë në telefon dhe i kanë bërë thirrje të largohet, shefat e tjerë. Një person nga turma e socialistëve ka humbur ndjenjat dhe është dërguar në spital menjëherë. Mes simpatizantëve janë parë gjatë gjithë kohës drejtuesit socialistë, Fatmir Xhafaj, Kastriot Islami, Besnik Baraj, por edhe kreu i G99, Erion Veliaj. Situata ka qenë e tensionuar edhe gjatë orëve të natës, deri në orët e para të mëngjesit.

Vëzhgues të ngjarjes kanë qenë edhe ambasadori amerikan, John Ëithers dhe ai i OSBE-së, Robert Bocsh, i cili negocioi gjithë pasditen e së enjtes mes palëve si dhe vizitoi vendngjarjen. Pak minuta më vonë në bulevard ka ardhur edhe kryetari i opozitës, Edi Rama, i cili është ndalur vendin ku pritej të ngrihej tribuna e mitingut. Ai vëzhgoi situatën dhe bisedoi me drejtues të shtabit organizator dhe krejt i qetë u largua sërish, në këmbë drejt qendrës. Situata është zhbllokuar vetëm rreth mesditës, dhe socialistët kanë mundur të ndërtojnë skenografinë e mitingut të pasdites. (Darina Tanushi / Gazeta Shqiptare)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors