Së paku, 25 këngëtarë me pagesa mesatarisht 400 mijë lekë të vjetra për koncert dhe dy deri në tre koncerte në ditë. Veç kësaj, kontratë ekskluziviteti që parashikon refuzim të çdo oferte për pjesëmarrje në koncertet e "rivalëve politikë", si dhe përdorjen e këngëtarëve në një spot që po përgatitet.
Ky është "enturazhi" muzikor i fushatës së PD-së, ku me sa duket, leku nuk është problem. Këngëtarët që marrin pjesë në koncertet e fushatës së koalicionit të djathtë, mund të fitojnë 1 deri në 1.2 milionë lekë në ditë dhe llogaria deri në fund të fushatës është më se e kënaqshme, së paku për ta. Aq më tepër që pagesat janë super korrekte dhe bëhen përpara koncertit.
Në këmbim të kësaj, ata janë të ndaluar kategorikisht të marrin pjesë në koncertet e PS-së dhe do nxjerrin edhe fytyrën në një spot të ri, që, sipas fjalëve brenda stafit të fushatës së PD-së, po bëhet gati.
Përballë kësaj, PS-ja ka grupin e njohur të të rinjve që këndojnë me Edi Ramën (WSF), si dhe merr herë pas here ndonjë këngëtar (nga ata që nuk janë përfshirë në listën e PD-së).
Disa nga këngëtarët që pyetëm për vëzhgimin tonë, na thanë se kjo është një nga fushatat më të begata për punë pagesash. Ndërkohë që bota është nën ngërçin e krizës financiare, sigurisht që Shqipëria e vogël do bënte edhe kësaj here një përjashtim.
Këngëtari më "i dobët" paguhet jo më pak se 300 mijë lekë të vjetra për koncert (një koncert përfshin 4 ose 5 këngë) ndërkohë që mund të realizojë deri në 3 koncerte brenda ditës.
Kurse këngëtarët më me emër, kërkojnë pagesa goxha më të larta, që arrijnë edhe deri 1 mijë euro për koncert.
0 Comments:
Post a Comment