Kujt i ka telefonuar Delijorgji tri ditët para arrestimit?

E nderuar zonja Prokurore, Besoj se i keni parë pamjet tronditëse që ka transmetuar dje televizioni News 24. Kishin kaluar 12 ditë nga ai errupsion i frikshëm që bashkë me breshrin e predhave hodhi mbi kokat e qytetarëve rrënojat e ngrehinës së një shteti të kriminalizuar. Dje, kamerat fi lmuan dy prej fi rmave të Delijorgjit. Puna aty vazhdonte krejt normalisht.

Një qetësi olimpike, a thua se ajo kërpudhë hiroshime nuk kishte fare lidhje me aktivitetin e këtyre firmave, por kishte rrafshuar një pyll diku në Afrikën e largët.

Në një njoftim të zyrës suaj të shtypit të plot gjashtë ditëve më parë, thuhet se keni kërkuar sekuestrimin e pronave të shtetasit Mihal Delijorgji. Grupet tona të gazetarëve shkuan në dy prej tyre. Aty puna vazhdonte normalisht. Asnjë zyrtar nuk kishte shkuar për të sekuestruar, apo qoftë bllokuar, pronat e njeriut që duket se kishte blerë gati të gjitha strukturat e shtetit shqiptar. Nuk kishte shkuar askush në tre pallatet shumëkatëshe që ndërtohen tek ish-Uzina Enver. Kjo ndodhi në zemër të kryeqytetit. Por pamjet më tronditëse vinin nga Shkozeti, pikërisht në magazinën e madhe, ku Delijorgji mblidhte gëzhojat për t’i nisur më pas drejt portit të Durrësit. Pak muaj më parë, në këtë magazinë ndodhi një shpërthim. U plagosën dy punëtorë. Kjo magazinë ndodhet ngjitur me një shkollë, ku mësojnë qindra fëmijë. Vetëm providenca duhet t’i ketë shpëtuar të miturit nga ai shpërthim. Policia e mbylli menjëherë atë ngjarje. Në publik u tha se në magazinën ku mblidheshin gëzhojat, plasi një bombul oksigjeni. Kjo ngjarje u harrua deri sa shpërtheu bomba prej 3 kiloton e Gërdecit. Jam skandalizuar jo vetëm se në dyert e kësaj magazine nuk kishte shkuar asnjë zyrtar për ta bllokuar, por se aty po punohej dhe dje me një qetësi dhe sfidë kriminale ndaj kujtdo që ka pak cipë në faqe.
Zonja Prokurore,
Në këtë letër dua t’u pyes nëse prokuroria po heton lidhur me një lajm të botuar në shtypin shqiptar. Tri ditë nga ngjarja tragjike, nga llogaria e Delijorgjit, në një prej bankave greke me seli në rrugën e Kavajës janë tërhequr 2 milionë euro. Kush i ka këto 2 milionë euro? Kjo mund të jetë një nga pistat e hetimit, do të doja t’u thosha, nëse do më lejonit të bëja një sugjerim. Përgjigja e kësaj pyetjeje jep shpjegime dhe për habinë tronditëse që ka shkaktuar në opinionin publik reagimi i politikës dhe drejtësisë lidhur me këtë çështje. Kjo pyetje është e lidhur dhe me disa pyetje të tjera. Përse arrestimet nuk u kryen në rrethanat e flagrancës? Çfarë i detyroi prokurorët e çështjes, që autorët e kësaj vrasjeje kolektive t’i lënë plot tre ditë në liri pa kufi. Ju e dini shumë më mirë se unë, se tri ditë liri pas krimit, shpesh janë të mjaftueshme për të mbuluar shumë gjurmë komprometuese. Përse kërkesa e sekuestrimit të pronave dhe llogarive bankare u bë vetëm gjashtë ditë nga dita e tragjedisë?
Një njeri me logjikë normale e ka të qartë se çfarë mund të ketë ndodhur gjatë tri ditëve që pasuan mosarrestimin në kushtet e flagrancës të Delijorgjit, Pinarit dhe Minxholit. Koha ishte kaq e mjaftueshme, madje tepronte dhe për të dhënë intervista në ndonjë televizion, në ekranin e të cilit Delijorgji pyetej jo si autor i krimit, por si ekspert municionesh.
Zonja prokurore,
Gjithsesi, këto tri ditë nuk duhet të kenë kaluar pa lënë gjurmë. Mjafton të sekuestroni tabulatet e njerëzve, për të cilët institucioni që ju drejtoni ka ngritur deri tani akuzën qesharake te moszbatimit të masave të sigurisë për lëndët plasëse. Me kë ka folur në telefon Delijorgji gjatë këtyre tri ditëve dhe me kë kanë komunikuar më pas këta të fundit? Nëse hetimet nuk i japin përgjigje kësaj pyetjeje dhe asaj se ku kanë përfunduar 2 milionë eurot, kam të drejtën të pohoj me trishtim se zgërdhitjen cinike të Delijorgjit duke dalë nga salla e gjyqit, mund ta marr si një sfidë ndaj të gjithë shoqërisë. Uroj që ajo zgërdhitje pas asaj tragjedie mos të ishte një mesazh i tillë: “Ku dini ju se çfarë ndodh, unë ju dhjes mu në drejtësi!”
Zonja prokurore, ju kërkoj ndjesë për shprehjen vulgare dhe uroj sinqerisht që të gaboj në këtë parashikim. Megjithatë do të doja t’u shprehja publikisht dyshimet që qarkullojnë në opinionin publik. Unë ende nuk dua të besoj se tri ditët që ju dhanë Delijorgjit nuk kanë shërbyer për të përcaktuar skenarin e mëposhtëm: Delijorgjit i premtohet një dënim minimal, me kusht që të mbajë të fshehta lidhjet e tij me majat e politikës, ndërkohë që 2 milionë eurot të përdoren nga sekserët e tij për të mbuluar shpenzimet operative të kësaj çështjeje gjyqësore. Shumë vetë kanë vendosur tashmë bastin se Delijorgji me heshtjen e të dyja krahëve të politikës do të lirohet në sallën e gjyqit pasi të jetë dënuar me periudhën e paraburgimit, në kohën kur politika do jetë duke u kacafytur për listat e zgjedhjeve që vijnë.
Zonja prokurore
Ju e dini më mirë se unë se kjo çështje është një rast tipik mafioz, por me përmasa të tilla sa dhe Provenzano do dukej një nxënës shkolle. Unë dyshoj se në tri ditët para arrestimit është rikonfirmuar pakti mafioz i heshtjes. Ju keni gjithë pushtetin dhe mundësinë për ta çmontuar këtë pakt. E keni më të lehtë se fëmijët e Gërdecit që çmontonin predha. E kuptoj që ndodheni në dilemën për të thelluar më tej hetimet. Por duhet ta kuptoni se fatet e këtij janë tani në duart tuaja. Ju duhet të keni parasysh se dosja që ndodhet në Prokurorinë e Përgjithshme, po hetohet në vitin 2008 dhe jo në vitin 1978. E dini tashmë se Shqipëria është një shoqëri e hapur, ku faktet nuk mund të mbulohen apo tjetërsohen dhe media jep çdo ditë fakte dhe dokumente që janë shumë më të avancuara se akuza që ju keni shqiptuar publikisht. Besoj e dini se ata që ju kanë zgjedhur në postin e shefes së institucionit të akuzës, nuk janë të përjetshëm. Ju keni mundësinë që duke hetuar plotësisht, të qerrhoni këtë klasë politike, që tragjedia e Gërdecit dëshmoi se është e lidhur me mafien më të rrezikshme, atë të trafikut të armëve. Nuk duhet të sugjestionoheni. Tregohuni realiste dhe pragmatike. Politikanët më të lartë janë po aq të plotfuqishëm, por dhe aq të dobët sa ishte byroja politike në vjeshtën e vitit 1990. Mjafton pak vullneti i juaj dhe gjithë ngrehina e kalbur e politikës shembet si shtëpitë e Gërdecit. (Balkanweb)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors