Panik në spitalin gjinekologjik. Evakuohen rreth 60 paciente së bashku me bebet e sapolindura
Elbasan-Një zjarr i rënë në katin e parë të godinës së spitalit obstetrik-gjinekologjik në Elbasan ka vënë në rrezik nënat dhe foshnjat e porsalindura. Zjarri është regjistruar dje rreth orës 16.00 në një nga dhomat e katit të parë, ku edhe kalonte një kabëll i energjisë elektrike. Tymi ka përfshirë të gjithë katet dhe ka vënë në alarm personelin mjekësor. Menjëherë kanë mbërritur në vendin e zjarrit dy automjete të zjarrfikësve, duke ndërhyrëpër izolimin dhe shuarjen e tij.
Evakuimi
Për të shmangur të papriturat është bërë evakuimi i nënave dhe foshnjave nga kati i parë. Për këtë në ndihmë ka ardhur edhe policia. Ndërsa zjarrfikësit po përpiqeshin të shuanin zjarrin, janë zbritur me shpejtësi rreth 60 paciente dhe janë sistemuar në pavijonet e spitalit kirurgjik, lokale dhe godina përreth maternitetit. Situata për rreth 30 minuta ka vënë në alarm të gjithë spitalin për shkak të rrezikut të përhapjes së zjarrit dhe tymit që pothuajse kishte përfshirë të gjithë godinën. Përpjekjet e zjarrfikësve kanë bërë që brenda një kohe të shkurtër zjarri të izolohet dhe situata të normalizohet disi. Margarita Kogunja tregon e frikësuar se kanë ndjerë erën e tymit fillimisht dhe më pas infermierët i kanë thënë të zbresin pasi mund të kishte probleme me zjarrin. " Ne filluam të dalim një e nga një edhe pse ende nuk mund të lëviznim të paktën disa prej nesh. Frika e zjarrit mund të rrezikonte sidomos fëmijët dhe infermierët kanë nxjerrë përpara foshnjat duke i dërguar në pavijonin e kirurgjisë"- tregon ajo. Ndërtesa 3 -katëshe, sipas saj, nuk ka shkallë sigurie dhe për këtë duhet të zbrisnin të gjithë nga një palë shkallë. "Ishte shumë e vështirë dhe fatmirësisht që zjarri u fik shpejt pasi në të kundërt ne do të rrezikonim të asfiksoheshim. Situata është përjetuar keq nga të gjithë dhe sidomos nga ne nënat duke parë rrezikun për fëmijët",- thotë ajo.
Shkaku
Sipas të dhënave paraprake nga hetimet, zjarri është shfaqur pas një kontakti të kabëllit elektrik për shkak të ngarkesës dhe që është shpërndarë në rrjet. Dëmet janë vetëm materiale dhe nga ana e specialistëve është punuar për riparimin e linjës së furnizimit me energji elektrike të spitalit. Për gati 30 minuta nënat dhe foshnjat janë përballur me kaosin dhe panikun e zjarrit ndërsa kishin sjellë në jetë ose prisnin të lindnin fëmijën e tyre. Zjarri i rënë në një dhomë të katit të parë të godinës së Maternitetit nxori edhe shumë probleme lidhur me sigurinë e këtij institucioni ku mungojnë shkallët e emergjencës, format e transportit të pacientëve dhe po kështu elementët për ndërhyrjen e parë në shuarjen e zjarrit. Drejtori i spitalit, Arben Parqalloi, u shpreh se menjëherë u morën masa urgjente për të shpëtuar jetën e bebeve dhe nënave të shtruara në spital. Ndërsa shefi i repartit të zjarrfikëseve, Aleks Hodo, pohoi se zjarri u izolua shpejt dhe në kohë rekord u krye edhe evakuimi i spitalit. Në vendngjarje kanë arritur ekspertët dhe një grup hetimor. Nga të dhënat e para rezulton se zjarri është provokuar nga ngarkesa në rrjet si pasojë e vendosjes së ngrohësve nëpër dhoma. Pas fikjes së flakëve, personeli dhe mjekët kanë ajrosur spitalin dhe janë kujdesur për jetën e nënave të shtruara në maternitet. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment