Bie nga tarraca e pallatit, vdes 32-vjeçarja

Majlinda Ponde, nënë e dy fëmijëve, humbi jetën pasi ra nga pallati 5-katësh ku banonte

Gruaja kishte humbur çelësat dhe ra teksa tentonte të hynte në ballkon nga tarraca. Babai: S'e ndihmova dot

GJIROKASTËR-Tentativa për të hyrë në shtëpi, duke u kacavjerrë përmes tarracës i ka kushtuar jetën një 32-vjeçarjeje nga Gjirokastra. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në qytetin e gurtë, ndërkohë që viktima e aventurës së rrezikshme është Majlinda Ponde. Pas marrjes së dëshmive nga familjaret dhe të dëshmitarëve që kanë parë skenën e tmerrshme, grupi i ekspertëve që punon për këtë ngjarja ka arritur në përfundimin se vdekja ka qenë aksidentale.

Gruaja, nënë e dy fëmijëve, është kthyer nga puna për në banesën e saj, në lagjen "Puntore" të Gjirokastrës. Sipas dëshmitarëve që janë gjendur krejt rastësisht në vendin e ngjarjes ora shënonte 16.35 minuta, kur gruaja është shfaqur në tarracën e pallatit ku banonte. Majlinda, sipas fqinjëve, banonte në katin e pestë të pallatit 5-katësh dhe ishte nënë e dy fëmijëve. Gruaja, mësohet se kishte humbur çelësat e shtëpisë dhe për këtë është kujtuar kur ka mbërritur në afërsi të hyrjes. Duke mos menduar tjetër zgjidhje më të shpejtë për të hyrë në apartament, nuk e ka bërë të gjatë dhe i është ngjitur tarracës. Një gjetje më shumë se e guximshme, por duket se gruaja ka menduar t'ia hedhë fare lehtë. Me sy të lirë, e ka menduar të arritshme, që të hynte në ballkonin e apartamentit, duke përdorur tarracën. Kështu, pasi është ngjitur në tarracë, sipër katit të pestë është munduar të zvarritet poshtë, për të hyrë në ballkon. Për fatin e saj të keq, gjërat nuk shkuan si i kishte menduar. Ka qenë një moment, kur është gjetur gati në rënie dhe ka kërkuar ndihmë. Për disa çaste është mbajtur në kabllot që gjendeshin në këtë anë të tarracës, por kjo nuk ka zgjatur shumë. Pesha e trupit e ka tërhequr poshtë, ndërkohë që duart nuk po mundnin ta mbanin të varur. Gjithçka ka ndodhur sa hap e mbyll sytë dhe 32-vjeçarja nuk ka mundur dot të presë të tjerët që t'i vinin në ndihmë dhe kështu ka përfunduar poshtë nga një lartësi e konsiderueshme. Dëshmitarët kanë përjetuar momente tmerri kur kanë parë gruan të binte poshtë dhe kanë konstatuar se fill pas rënies ajo nuk kishte më shenja jete.

Dëshmitar i ngjarjes së rëndë ka qenë babai i 32-vjeçares si dhe shumë fqinjë të gruas. Sipas burimeve zyrtare të policisë dhe dëshmisë që babai i Pondes dha për policinë, vajza e tij nuk ka pasur asnjë arsye që t'i jepte fund jetës. Ai ka treguar se ishte menjëherë pas saj dhe ka parë me sytë e tij gjithçka, pasi ishte duke i shkuar së bijës për vizitë. Madje ka tentuar t'i vijë në ndihmë, por ka qenë e pamundur pasi situata rrodhi shumë shpejt. Të njëjtën gjë kanë dëshmuar edhe të njohurit e gruas së re, që la jetimë dy fëmijë. E njoftuar për ngjarjen, policia dhe grupi i ekspertëve mbërriti me shpejtësi në lagjen "Puntore" dhe nisi hetimet si dhe bëri ekspertizën e rastit. "Nga veprimet e para hetimore si dhe nga dëshmitë e marra në vendngjarje nga babai i saj, i cili po shkonte tek e bija dhe e ka parë të gjithë ngjarjen si dhe të komshinjve që e kanë parë këtë ngjarje, rezulton se vdekja është aksidentale",- ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai. Sipas tij, i ati i vajzës është përpjetur t'i japë ndihmë, në momentin që ajo rrëshqiti dhe mundi të mbahej për disa sekonda në një kabëll të tarracës, por s'ka mundur dot ta shpëtojë, pasi e ndjera nuk rezistoi dot dhe ra. "Kjo shtetase kishte humbur çelësin e shtëpisë dhe është përpjekur të zbresë nga tarraca, pasi shtëpinë e ka në katin e fundit. Nuk ka mundur dot pasi ka rrëshqitur dhe për pasojë ka rënë në oborrin e këtij pallati, duke humbur jetën menjëherë", - sqaroi ai. Trupi i pajetë është përcjellë menjëherë drejt morgut. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors