Drejtoria shtyn orarin e trenit të fundit në favor të studentëve dhe shton numrin e trenave
Durrës-Protestat e studentëve për të ndryshuar orarin e lëvizjes së trenave nga Durrësi në Tiranë dhe anasjelltas kanë sjellë orar të ri, të favorshëm për ta dhe rritje të numrit të trenave në dispozicion. Sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave Shqiptare, që nga dita e premte treni i fundit nga Tirana drejt Durrësit do të niset në orën 20:45 dhe jo në orën 18:30 si më parë.
"Në këtë mënyrë lehtësohet ndjeshëm kthimi pranë familjeve në Durrësi i një grupi të madh studentësh, të cilët i përfundojnë leksionet universitare në orën 20.00"- bëjnë të ditur burimet zyrtare të kësaj drejtorie. Sipas tyre, në oraret e pasdites do të ketë në dispozicion dhe 3 trena të tjerë, për të lehtësuar lëvizjen dhe për të shmangur fluksin e udhëtarëve. Në gjashtë çiftet e trenave që udhëtojnë nga Durrësi në Tiranë dhe anasjelltas janë prenotuar me abone mujore rreth 310 studentë si dhe një grup tjetër punonjësish.
Sipas burimeve, mësohet se ndryshimi i orarit u vendos pas një testimi me 160 studentë-udhëtarë dhe duke përzgjedhur oraret më të favorshme për ta. Trenat nga Durrësi drejt Tiranës janë shpërndarë sipas orarit nga 06:10 deri në 18:40 të mbrëmjes, ndërsa ato që kthehen nga kryeqyteti fillojnë udhëtimet në ora 05:55 dhe përfundojnë në ora 20: 45. Në të gjithë linjat e tjera nga kryeqyteti drejt Pogradecit, Vlorës dhe Shkodrës udhëton çdo ditë nga një çift trenash. "Numri i përgjithshëm i udhëtarëve që kanë preferuar trenat që nga fillimi i këtij viti arrin në rreth 1 milion udhëtarë"- theksojnë burimet nga drejtoria e hekurudhave. (Sheulli)
0 Comments:
Post a Comment