Falë ndërhyrjes së KFOR, SHPK dhe TMK klandestinët shpëtojnë: Janë të gjithë mirë
Drejtori i Policisë, Burgaj: Klandestinët nga fshati Lomje do të riatdhesohen nga autoritetet maqedonase.
Kukës-Tentuan të kalojnë ilegalisht drejt Maqedonisë, por mbetën të izoluar në dëborë dhe falë sinjalit të dhënë në policinë fqinje mundën t'i shpëtojnë ngrirjes.
Burimet zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se 6 emigrantë shqiptarë nga një fshat i Kukësit kishin mbetur të ngujuar në dëborë, në bjeshkët e Sharrit të Maqedonisë. Pas ndërhyrjes së shpejtë të KFOR, SHPK dhe TMK, me ndërhyrjen edhe të një helikopteri ata kanë mundur të shpëtojnë dhe tashmë janë në pritje të riatdhesimit.
***
Lajmi u bë i ditur paraditen e djeshme, përmes një komunikate të lëshuar nga Shërbimi Policor i Kosovës. "Më datën 16 Nëntor 2007 rreth orës 19:30, policia në pikën kufitare të Vërmicës ka pranuar një informatë nga një shtetas i Shqipërisë, fshati Morin, Kukës se mes fshatrave Brodosanë, komuna Dragash dhe Buzovc, republika e Maqedonisë kishin mbetur të ngujuar në borë tre persona. Pas verifikimit të kësaj informate nga pika kufitare e Morinit, Republika e Shqipërisë, kemi pranuar informata se fjala bëhet për gjashtë persona, në kërkim të të cilëve janë vënë pjesëtarë të SHPK-së, KFOR-it dhe TMK-së"- thuhet në komunikatë. Të njëjtat burime kanë saktësuar se sipas informatave të para u identifikuan tre prej klandestinëve "Ata janë, Kastriot Veizi, 22- vjeç; Muhedin Veizi, rreth 30-vjeç dhe Lavdrim Veizi, 22-vjeç nga fshati Lojme i Kukësit", thuhet në njoftimin zyrtar të Shërbimit Polcor të Kosovës.
***
Në ndihmë të operacionit të KFOR-it, TMK-së dhe SHPK-sëpër gjetjen e klandestinëve të mbetur në dëborë është vënë edhe një helikopter i KFOR-it . Bëhet e ditur se pas disa orë kërkimesh, 6 klandestinët janë identifikuar dhe më pas janë shpëtuar duke i transportuar për në fshatin Buzovc të Maqedonisë. Klandestinët nuk kanë pasur nevojë për ndërhyrje mjekësore, pasi gjendja e tyre ka qenë e mirë. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur edhe drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit, Hysni Burgaj. "6 klandestinët janë të gjithë nga rrethi i Kukesit, komuna e Zapodit dhe gjenden të strehuar në fshatin Buzovc të malësisë së Sharrit në Maqedoni"- tha ai. Ndërkaq shefi i policisë kufitare të Qarkut të Kukësit, Beqir Cena, ka bërë të ditur se kanë filluar procedurat e riatdhesimit të 6 klandestinëve.
***
Komuna e Zapodit në rrethin e Kukësit, përbëhet nga 6 fshatra me rreth 3500 banorë. Kjo është një komunë tejet e varfër, ku e vetmja mundësi punësimi është punësimi sezonal në fshatrat shqiptarë të Maqedonisë. Të rinj të kësaj komune, por edhe të komunave të Shishtavecit e Topojanit, emigrojnë ilegalisht në Maqedoni përmes kufirit jeshil duke kaluar fillimisht në Kosovë dhe më pas në Maqedoni siç ka ndodhur në rastin e 6 klandestinëve nga fshati Lojme. Por në të shumtëne rasteve, klandestinët kalojnë në Maqedoni në trekëndëshin e kufirit Kosovë-Shqipëri-Maqedoni tek Guri i Mëngjesit në Shishtavec të Kukësit. Në vitin 1996, një grup klandestinësh nga fshati Gjegjan i Kukësit kanë mbetur të ngujuar në dëborë në bjeshkët e Gostivarit, ku disa prej tyre kanë shpëtuar gjallë vetëm pas ndërhyrjeve mjekësore. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment