Shkodër, mjetet e konfiskuara "zaptojnë" komisariatet

Përveç amortizimit dhe ndotjes së ambientit, prania e këtyre mjeteve ka ngushtuar së tepërmi hapësirën e lëvizjes

SHKODËR- Mjetet motorike të bllokuara që kanë mbushur mjediset e jashtme të Drejtorisë së Policisë së qarkut të Shkodrës janë kthyer në një problem për efektivat e policisë. Në Shkodër numërohen të konfiskuara 53 mjete, ndërkohë që mësohet se janë në proces edhe 133 të tjera. Sipas burimeve zyrtare, janë automjete, që janë të bllokuara prej sektorit të qarkullimit rrugor, apo me vendim prokurorie, pasi dyshohen se me to janë kryer vepra penale, por që kanë vite të tëra që qëndrojnë në këto ambiente.

Përveç amortizimit të tyre dhe ndotjes së ambientit, prania e këtyre mjeteve për një kohë të gjatë në këtë vend e ka ngushtuar së tepërmi hapësirën e lëvizjes. Mjaft prej mjeteve të bllokuara këtu, kryesisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor lihen nga vetë pronarët, pasi vlera e asaj që duhet të paguajnë e kalon vlerën e vetë mjetit. Për t'i dhënë rrugë një problemi të tillë, nga drejtoria e përgjithshme e policisë është nxjerrë një urdhër ku shpjegohen procedurat që duhet të ndiqen për këto automjete. Tre muaj pasi kalon afati i bllokimit të mjetit, për të fillojnë procedurat e plotësimit të dosjeve për sekuestrimin e tyre dhe brenda 10 ditësh pronarët duhet të paguajnë gjithë detyrimet për të marrë mjetin. Ndryshe ai kalon në konfiskim.

***

Mjetet që konfiskohen do të seleksionohen në varësi të gjendjes fizike dhe kalojnë në rezervat e shtetit, duke shkuar një pjesë për skarp dhe ato në gjendje të mirë, shiten përmes tenderit. Këtu përfshihen dhe mjete që bllokohen nga prokuroria dhe ky afat për to vlen pas marrjes së vendimit të gjykatës. Për këtë në drejtorinë e policisë së Shkodrës janë ngritur komisionet përkatëse të verifikimit dhe për secilin prej automjeteve që ndodhen këtu janë përgatitur ose janë në proces hartimi i dosjes përkatëse.Aktualisht në drejtorinë e policisë së qarkut të Shkodrës nga komisionet përkatëse në të tre komisariatet, rezultojnë të konfiskuara 53 mjete, 20 prej të cilave janë dërguar ose janë në një proçes të tillë në rezervat e shtetit, përkatësisht në Reç dhe në Lundër, ndërsa për 33 të tjera pritet miratimi nga Ministria e Brendshme për t'i dërguar në rezervat e shtetit. Në këtë komisariat janë në proces konfiskimi dhe 133 mjetetë tjera. Nëkomisariatin e policisë Pukë janë konfiskuar 3 mjete dhe janë në proçes 7 të tjera, ndërsa në atë të Malësisë së Madhe janë 34 mjete që presin konfiskimin. Lëvizja e këtyre mjeteve dhe dërgimi i tyre në destinacionin përkatës kërkon dhe një kosto financiare e cila nuk ka qenë e parashikuar në buxhetin e këtij viti, dhe pritet të përfshihet në atë të vitit 2008. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors