Shaban Haka: Arjan Keqin e ka vrarë djali im

Babai i të pandehurit Shkëlqim Haka pranon në gjykatë vrasjen e bërë nga i biri dhe tregon si nisi hakmarrja

TIRANË- "Djali im, Shkëlqim Haka, e ka vrarë Arjan Keqin, pasi ky më vrau djalin tjetër Enver Hakën". Me këto fjalë plaku Shaban Haka iu përgjigji pyetjes së prokurorit të çështjes, Anton Martini se kush e vrau Arjan Keqin më 27 gusht të vitit 1999.

Në pamundësi për të ndenjur në këmbë para Gjykatës së Krimeve të Rënda për të dëshmuar në lidhje me vrasjen e efektivit të policisë, Arjan Keqi, plaku u ulë përball togave të zeza në një karrige duke deklaruar kalvarin e vrasjeve mes familjes Haka dhe Keqi nga Kruja. "Pas vitit 1997 ndodhën shumë vrasje. Mes tyre dhe djali im Enver Haka ishte një nga viktimat e atyre armëve pas një zënke banale. Vrasjen e djalin tim e ka bërë pas zënkës Arjan Keqi. Dhe djali tjetër që është i vrarë edhe ai Shkëlqim Haka ka organizuar vrasjen e Arjan Keqit duke e vrarë më 27 gusht të vitit 1999. Pak kohë pas vrasjes së tij, djali im u vra.


Të gjitha këto vrasje erdhën për hasmëri pastaj",- tha Shaban Haka. Sipas akuzës, i pandehuri në këtë proces Shefqet Seferi është ndërlidhësi i personit që ishte në konflikt më efektivët e policisë Arjan Keqi dhe Durim Kasmi duke i paguar dy "vrasësit" Sokol Halilaj dhe Dritan (Gramoz) Rexhepi, që për organin e akuzës janë cilësuar si vrasës me pagesë. Sipas prokurorisë, mbi tre të pandehurit Rexhepi, Halilaj dhe Seferi rëndon akuza e vrasjes me paramendim për shkak të cilësive të veçanta të personit, e kryer më shumë se një here në bashkëpunim. Ngjarja për të cilën po gjykohen tre të pandehurit, ka ardhur menjëherë në verën e vitit 1999, ku dy punonjësit e policisë së shtetit kishin pasur një grindje me një person që më pas i ka kërkuar Seferit të kryente vrasjen me pagesë. Pas kësaj, sipas akuzës, Seferi është lidhur me dy vlonjatët Halilaj dhe Rexhepi duke i paguar për ekzekutimin e dy policëve, mesditën e 27 gushtit të vititi 1999. Fillimisht u bë arrestimi i Shefqet Seferit dhe më pas të Sokol Halilajt, i cili pas deportimit nga Italia iu vendosën prangat në Rinas. Ndërsa, Dritan Rexhepi u arrestua për një ditë me të pandehurin Seferi, po në pakujdesi të policëve të komisariatit të Durrësit mundi të largohet nga ambientet e këtij komisariati. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors