Duka ëndërron milionat e Gjermanisë

FIFA publikoi renditjen e muajit nëntor të ekipeve kombëtare mbi bazën e të cilave janë përcaktuar edhe skuadrat që do të bëjnë pjesë në 6 vazot europiane për shortin e Kampionatit Botëror 2010, që do të hidhet të dielën në Afrikën e Jugut. Dy humbjet e muajit nëntor në eliminatoret e Euro 2008, ato me Bjellorusinë (2-4 në shtëpi) dhe Rumaninë (6-1 në Bukuresht) i kushtuan shtrenjtë Kombëtares shqiptare, duke e zbritur në vendin e 38-të në Europë dhe në vazon e pestë ose, siç njihet zyrtarisht nga FIFA, vazo “E”, në të njëjtën vazo ku ishim edhe gjatë shortit të Euro 2008, eliminatoret e të cilave sapo përfunduan.

“ËNDRRA GJERMANI” – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i shoqëruar edhe nga përkthyesi Ajet Xeka, ndodhet prej ditës së enjte në Afrikën e Jugut. Bosi i FSHF-së gjatë ditëve të qëndrimit të tij në Durban është takuar me holologë të tij nga federatat europiane. “Presidenti e ka shfaqur dëshirën e tij për të pasur Gjermaninë në grup”, - thotë zëdhënësi i FSHF-së, Lysjen Nurishmi. “Pse preferon nga të mëdhatë Gjermaninë? Natyrisht se paguan më shumë para nga të drejtat televizive”, - shton ai. Gjermania, sipas Nurishmit, mund të paguajë për ndeshjen që do të luhet në Tiranë (nëse ajo bie në short) deri në 3 milionë euro. Gjatë fushatës së fundit kualifikuese për Euro 2008, FSHF-ja lidhi një kontratë në shumën 2.8 milionë euro me “Sportfive”, kompaninë që fitoi ankandin e të drejtave televizive të ndeshjeve të Kombëtares sonë, përpara se të hidhej shorti për eliminatoret e Kampionatit Europian.

STRATEGJIA E DUKËS – Bosi i FSHF-së është me profesion ekonomist dhe ka nuhatjen e një biznesmeni të suksesshëm, i cili merr edhe rrezikun përsipër. Pikërisht për këtë arsye, ai dhe Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së vendosi për të mos i shitur të drejtat televizive përpara hedhjes së shortit të Botërortit por pas tij, pasi ai shpreson pikërisht të “peshkojë” kundërshtarë të mëdhenj dhe me financa të fuqishme si Gjermania, Anglia, Italia, Franca, që të katërta kundërshtare potenciale të kuqezinjve për Botërorin 2008. E drejta televizive nuk shitet ndeshje për ndeshje, por si paketë. FSHF-ja është duke menduar edhe për zëvendësimin e sponsorit teknik. Burime pranë FSHF-së pohuan se ka shumë mundësi që të zgjidhet kompania italiane “Diadora”. Aktualisht, sponsor është kompania angleze “Umbro”, ndërsa dy edicione më parë ka qenë ajo gjermane “Puma”. “Umbro” mbulon të gjitha veshjet sportive të Kombëtares dhe përfaqësueseve të vogla, ndërkohë që “Tramondi” furnizon kuqezinjtë me topa futbolli.

GRUSHTI BJELLORUS - Një muaj më parë renditeshim në vendin e 34-t (dhe teorikisht në vazon e katërt) duke pasur pas vetes Gjeorgjinë (35), Maqedoninë (36). Ndërkohë që me renditjen e nëntorit, që merret edhe bazë për hedhjen e shortit të Botërorit, jemi në të 38-in (- 4 vende), katër vende më pas, ndërkohë që e gjejmë veten pas Gjeorgjisë, ndërsa Maqedonia, që u drejtua gjatë fushatës nga slloveni Sreçko Katanec (kandidati i përfolur për të marrë drejtimin e Kombëtares), ndodhet në vendin 33-të (+ 5 vende) dhe e konsoliduar në vazon e katërt. Efekti i kësaj përmbysjeje është falë “grushtit” bjellorus, që pas dy fitoreve të bujshme me Shqipërinë (2-4) dhe Holandën (2-1) u ngjit në vendin e 34-t (nga i 43-ti që ishte një muaj me parë) dhe në vazon e katërt, atë që kishte ëndërruar dhe e kishte shumë pranë Shqipëria. Rezultati negativ me skuadrën e Shtanges dhe Hlebit, më 17 nëntor, solli dhe “thyerjen e hundëve” të kuqezinjve, ndërkohë që humbja katastrofike me Rumaninë e Picurkës e Dikës vulosi rrëzimin e Shqipërisë në vendin e pestë në grup, por edhe dorëheqjen e trajnerit Bariç.

TË DYTËT – Shqipëria, me 407 pikë, është e dyta në vazon e pestë, menjëherë pas Bjellorusisë e 37-a me 414 pikë. E vetmja kënaqësi e drejtuesve të FSHF-së pa dyshim është fakti se të paktën kemi lënë pas Slloveninë (e 39-ta), kundërshtarin tonë në grup, ndaj së cilës arritëm dy barazime të bardha si në Shkodër ashtu dhe në Celje. Lista e nëntë ekipeve të vazos “5” plotësohet me Letoninë (vendi i 40-t, 383 pikë), Islandën (41, 380), Armeninë (42, 367), Austrinë (43, 366), Kazakistanin (44, 297) dhe Azerbajxhanin (45, 274).

170 SHTETE

Në total, në shortin e Kampionatit Botëror do të marrin pjesë 170 shtete, nga të cilat vetëm 31 do të fitojnë të drejtën për në fazën finale, që do të zhvillohet në vitin 2010 në Afrikën e Jugut, ku kjo e fundit është e kualifikuar direkt si vend organizator. Faza kualifikuese e Botërorit 2010 (një pjesë e saj ka filluar) do të zgjasë për më shumë se 800 ditë dhe do të përfundojë në nëntor të vitit 2009.

32 FINALISTËT

Italia, kampione në fuqi e Botës, titull i fituar në Kampionatin Botëror 2006, duhet të kualifikohet për të qenë pjesë e 32 finalisteve. Vendet për në fazën finale të “Afrika 2010” janë ndarë në këtë mënyrë: 13 për Europën, 6 për Afrikën (këtu përfshihet edhe vendi organizator), nga 4 për Azinë e Amerikën e Jugut dhe 3 për zonën e Amerikës Qendrore dhe Veriore.

ZONA EUROPIANE

Europa është kontinenti që përfaqësohet me më shumë skuadra në finalet e Botërorit 2010, me 13 të tilla. 53 skuadrat europiane do të ndahen në nëntë grupe. Fitueset e grupeve do të kualifikohen automatikisht, ndërsa tetë të dytat më të mira do të zhvillojnë midis tyre ndeshje plejofi për katër vendet e mbetura. Në zonën europiane bën pjesë edhe Shqipëria.



VAZO A

1. Italia 1498 pikë

2. Spanja 1349

3. Gjermania 1296

4. Çekia 1290

5. Franca 1243

6. Portugalia 1241

7. Holanda 1170

8. Kroacia 1129

9. Greqia 1114



VAZO B

10. Anglia 1113

11. Rumania 1088

12. Skocia 990

13. Turqia 924

14. Bullgaria 877

15. Rusia 861

16. Polonia 855

17. Suedia 853

18. Izraeli 852



VAZO C

19. Norvegjia 827

20. Ukraina 824

21. Serbia 820

22. Danimarka 797

23. Irlanda V. 780

24. Irlanda 731

25. Finlanda 697

26. Zvicra 657

27. Belgjika 600



VAZO D

28. Sllovakia 590

29. Bosnja 585

30. Hungaria 581

31. Moldavia 579

32. Uellsi 560

33. Maqedonia 552

34. Bjellorusia 549

35. Lituania 549

36. Qipro 493



VAZO E

37. Gjeorgjia 414

38. Shqipëria 407

39. Sllovenia 403

40. Letonia 383

41. Islanda 380

42. Armenia 367

43. Austria 366

44. Kazakistani 297

45. Azerbajxhani 274



VAZO F

46. Lihteshtejni 260

47. Estonia 223

48. Malta 183

49. Luksemburgu 127

50. Mali i Zi 65

51. Andorra 57

52. Ishujt Faroe 12

53. San Marino 6
(Albania-Sport)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors