Një fëmijë 13-vjeç, vrasësi i gruas në Berat

Nxënësi i klasës së 7-të, R.H, pranoi krimin për grabitje. Mbyti me rripin e pantallonave, Ëngjëllushe Sinjarin

Policia: Djali, i ndaluar më parë për vjedhje me dhunë. Nëna: Kthehet vonë në shtëpi, nuk di ç'bën ditën

BERAT- Autor i vrasjes së 47-vjeçares, Ëngjëllushe Sinjari, gjetur pa jetë ditë më parë, në kodrat e fshatit Pashalli është një fëmijë 13-vjeçar. Djali, R.H, nxënës në klasën e 7 në qytetin e Beratit, edhe më parë kontigjent i policisë për vjedhje me dhunë ka pohuar gjakftohtë krimin e kryer. Është shtirur si jetim për t'i hyrë në zemër gruas dhe kur ajo e ka ftuar të rrijë në shtëpinë e saj, rrugës për në banesë, duke përfituar nga reshjet dhe momenti që janë strehuar në një bunker e ka mbytur me rripin e pantallonave.

Krim, që sipas djalit është bërë me motivin e qartë të grabitjes. Vrasje nga e cila mundi të përfitonte 13 mijë lekë të vjetra, që i gjeti në teshat e 47-vjeçares. Sipas policisë së Beratit, djali, i dyshuar është shoqëruar në komisariat për vjedhje, mbrëmjen e së premtes, por pas kësaj, ka pohuar krimin e kryer.

Rrëfimi

I mituri ka treguar se ngjarja ndodhi mesditën e së hënës, në 12 nëntor. Sipas tij, rreth orës 12.30 minuta ai ishte takuar me gruan në fshatin Poshnje, para një lokali. «Gruaja ishte e ulur në gjunjë para lokalit dhe unë iu afrova dhe hyra në muhabet me të»- ka nisur rrëfimin ai. Sipas tij, në fillim, 47-vjeçarja nuk ka dashur të flasë, por ai i ka thënë se është jetim dhe i pangrënë. Pas kësaj, gruas i është dhimbsur dhe i ka premtuar ta marrë me vete në shtëpinë e saj, në fshatin Skrevan. «U nisëm në këmbë për në shtëpinë e saj dhe u ngjitëm në kodrën e Goricës»- ka vazhduar më tej rrëfimin autori. Sapo kanë mbërriturtek gropa e madhe mbi fshatin Pashalli, sipas djalit, nisi një shi i madh dhe ata iu afruan një bunkeri ku gruaja ndezi një zjarr për t'u ngrohur. Sipas dëshmisë, në momentin që ajo u ul të ndizte shkarpat, 13-vjeçari e ka mbytur me rripin e pantallonave. Madje ka treguar se për të qenë i sigurt, e ka tërhequr rripin duke e mbajtur në sup. Kur ka parë se gruaja kishte vdekur i ka bërë kontroll për paratë. Pas kontrollit ka gjetur në rrobat e saj vetëm 13 mijë lekë të vjetra. Më pas i mituri e ka hedhur viktimën në kanalin në hyrje të bunkerit dhe është larguar në shtëpi. Pyetjes së nënës për baltën që kishte në rroba, i është përgjigjur qetë: Po luaja me shokët!

Policia

Janë dashur 5 ditë hetimi intensive, që policia të arrijë deri te autori i vërtetë i krimit. Në vargun e dyshimeve të saj, tek njerëzit kontigjent, policia ka hedhur dyshime edhe tek 13-vjeçari, i cili vetëm 1 muaj më parë kishte kryer një krim thuajse të ngjashëm. Ai kishte tentuar të vriste një grua 63-vjeçe endacake dhe me të meta mendore me qëllim për ta grabitur. «Krimin e pohoi vetë djali, ndërkohë që pyetjet për një tjetër vepër penale, për vjedhje»- thanë burimet policore. Pas kësaj, në komisariat është shoqëruar nëna e djalit e më pas është thirrur një avokat dhe një psikologe.

Në prani të tyre, fëmija ka dëshmuar gjithë skenën, mënyrën se si kishte mashtruar gruan për të hyrë në bisedë më të dhe më pas edhe vrasjen. Policia, në prani të avokatit e psikologes ka shkuar së bashku me djalin në vendin e ngjarjes, ku ai ka rindërtuar edhe njëherë skenën dhe ka treguar mënyrën si kishte vepruar.

Sulo Gozhina

Nëna: Nuk e komandoj dot djalin

Nëna e 13-vjeçarit e shokuar nga ngjarja ka dëshmuar në polici se djali i saj, ditën e hënë ka ardhur vonë në shtëpi. "Ai ishte i bërë shumë pis nga rrobat, por më tha se luante me shokët",- ka thënë ajo, duke mos pranuar dot se djali i saj mund të bëjë të tilla krime. Ajo tregon se ai largohej shpesh nga shtëpia dhe kthehej gjithmonë vonë në shtëpi. Po kështu ai grindej shpesh me shokët e tij dhe me banorët e lagjes, ndërsa asnjëherë nuk tregonte se çfarë bënte ditën. "Burrin nuk e kam në shtëpi, pasi punon emigrant në Greqi dhe unë nuk e komandoj dot djalin",- ka pohuar gruaja, duke mbetur pa fjalë nga rrëfimi i të birit.



Policia: Autori, kontigjent policie

Autori i krimit, sipas policisë, ka qenë edhe më parë i shoqëruar për vepra të ndryshme, si vjedhje dhe vjedhje me dhunë. "Për vetë moshën nuk kishin se çfarë t'i bënim, pasi sipas ligjeve nuk mundet të merreshin masa shtrënguese për të",- thonë burimet policore. Sipas tyre, në vendin tonë ende nuk ka një vend për mbajtjen e të fëmijëve problematikë.

Premçi: Djali e pohoi dhe riprodhoi krimin

Drejtori i policisë së Beratit, Shemsi Premçi ka deklaruar dje se autori është zbuluar pas ngushtimit të rrethit të të dyshuarve. Ndonëse pranon se nuk ka menduar se autor ka qenë i mituri. "Të premten, agjentët e krimeve kishin thirrur një 13-vjeçar për një vepër penale, vjedhje dhepo prisnin një avokat për ta marrë në pyetje. Pikërisht duke mësuar emrin e tij si dhe një ngjarje që po ky i mitur kishte kryer vetëm një muaj më parë në dt, 08.10.2007 në Urën Vajgurore, vendosa ta dëgjoj. Ndërsa ka treguar për vjedhjen në një moment djali ka pohuar i qetë edhe vrasjen që kishte bërë 5 ditë më parë»- thotë drejtori Premçi. Më pas për t'u bindur plotësisht vendosën që djali të bënte riprodhimin e ngjarjes në terren. "Djali i përshkoi të gjitha qetësisht dhe me detaje"- thotë ai. Sipas tij, në bashkëpunim me organin e prokurorisë u vendos kryerja e ekspertizës psikiatrike për shtetasin R.H. me qëllim përcaktimin e shkallës të përgjegjshmërisë. Më pas për veprime të mëtejshme materialet iu referuan prokurorisë të rrethit gjyqësor Berat prej nga pritet edhe masa ndëshkimore që do të merret"- thotë ai. Dje djali është dërguar në ambientete spitalit rajonal të Qarkut të Beratit. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors