Nis rruga në Velipojë, shemben 75 ndërtime

Sipas kreut të Komunës, ndërtimi po bëhet falë fondit prej 100 milionë lekësh nga buxheti i shtetit

Shkodër-Fillimi i punimeve për rikonstruksionin e një aksi rrugor të rëndësishëm në plazhin e Velipojës ka sjellë nisjen e shembjes së ndërtimeve në këtë zonë. Sipas kryetarit të komunës Velipojë, Nikollë Marku, janë 75 ndërtime të ndryshme në këtë plazh që do prishen gjatë një jave dhe kjo nuk lidhet me zbatimin e ndonjë masterplani, por thjesht pasi këtë vendim e ka marrë këshilli i komunës.

"Këto ndërtime, të gjitha pa leje,pengojnë rikonstruksionin e rrugës",- tha ai. Buxheti i shtetit, sipas tij, ka dhënë 100 milionë lekë të reja për rikonstruksionin e rrugës së shëtitores së plazhit dhe rrugës të hidrovorit. Ndërtimet nisën të prishen dje nga fadroma e komunës, ndërsa ka qenë inspektorati ndërtimor i kësaj komune që ka ndjekur procesin. Ndërtimet janë njësi shërbimi, kabina private por dhe disa ndërtime dy e trekatëshe që i përkasin individëve të ndryshëm. Sipas Markut, rikonstruksioni i rrugës përfshin sistemin e kanalizimeve, punimeve nëntokësore, asfaltimin e saj etj. Këto rrugë nuk kanë qenë asnjëherë të asfaltuara dhe në segmentin deri tek laguna e Vilunit janë me qindra ndërtime të ndryshme që popullohen dendur gjatë stinës së verës. Kjo ka shtruar dhe domosdoshmërinë e ndërhyrjes në infrastrukturën rrugore të brendshme të plazhit më të madh të veriut. Sipas Markut, fondi është dhënë nga shteti shqiptar me qëllim përmirësimin e infrastrukturës turistike, ndërsa vendimi për prishjen e objekteve që janë pengesë për projektin është marrë nga këshilli i rregullimit të territorit të komunës. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors