Ministri i ri, i shkarkuar nga KLD


Alibeaj fitoi betejën e tij ligjore vetëm përmes ankesës në Gjykatën e Lartë

TIRANË- Plot 7 vite më parë, Enkeleid Alibeaj, i propozuar nga kryeministri Sali Berisha për postin e ministrit të Drejtësisë, është shkarkuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për braktisje të detyrës. Alibeaj, i cili dy vitet e fundit ka shërbyer në Kryeministri si Drejtor Departamentit të Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit, ka një histori të gjatë gjyqesh, pikërisht për hrefuzimin që ai i bëri dekretit të Presidentit të Republikës, për të ushtruar funksionin e tij si gjyqtar në Skrapar. Në vitin 2000, Këshilli i Lartë i Drejtësisë shkarkoi nga detyra gjyqtarin, Enkeled Alibeaj, për mosparaqitje në detyrë për një kohë të gjatë pa arsye. Historia nis me vitin e fundit të Shkollës së Magjistraturës, ku në bazë të ligjit "Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor", Alibeaj u emërua provizorisht në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të kryer stazhin profesional të parashikuar nga ligji "Për Shkollën e Magjistraturës". Pas përfundimit të periudhës së stazhit, me dekret të Presidentit të Republikës, Alibeaj u emërua gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Skrapar.

Për shkak të pretendimeve, lidhur me mos vlerësimin si duhet të rezultateve të tij në shkollë dhe për shkaqe personale, Alibeaj po këtë vit paraqiti dorëheqjen nga detyra e gjyqtarit dhe që nga ky moment, ai nuk e konsideroi më veten në këtë funksion. Megjithatë KLD, pasi shqyrtoi dorëheqjen e tij, mbështeti përmes vendimit të marrë, kërkesën e Ministrit të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj tij. Por një vit më pas, Enkeleid Alibeaj iu drejtua Gjykatës së Lartë. Alibeaj kërkoi anulimin e vendimit të KLD-së, duke pretenduar se ai ka pushuar funksionin e gjyqtarit me heqje dorë nga kjo detyrë, duke pranuar në të njëjtën kohë se i vetmi sanksion ndaj tij ishte pagimi i një shume të hollash, sipas ligjit, për Shkollën e Magjistraturës. Duke u bazuar në këtë pretendim, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vendosën pranimin e ankimit të kërkuesit Enkelejd Alibeaj, duke anuluar në këtë mënyrë vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si të pambështetur në ligj.


Berisha propozoi juristin Enkeleid Alibeajn, bashkëpunëtor i ngushtë i Rusmalit. Mohon gjithashtu ndryshime në qeveri

Ministri i Drejtësisë, Berisha propozon njeriun e Rusmalit

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka vendosur të pranojë dorëheqjen e Ilir Rusmalit si ministër i Drejtësisë dhe ka zgjedhur si pasardhës të tij, Enkelejd Alibeaj, një jurist që ka marrëdhënie shumë të mira me Rusmalin dhe që ka bashkëpunuar ngushtë me të. Vetëm një ditë pasi Rusmali dha dorëheqjen, kryeministri Berisha ka propozuar Enkelejd Alibeajn, aktualisht Drejtor i Departamentit të Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit në Kryeministri. Alibeaj ka ardhur pranë Partisë Demokratike para zgjedhjeve parlamentare të 2005, atëherë kur PD-ja krijoi Komitetin e Orientimit të Politikave. Alibeaj u propozua si anëtar i KOP-it nga rrethi i miqësisë së vajzës së Berishës, Argita. Nën cilësinë e juristit, atëherë Alibeaj ishte në grupin që merrej me hartimin e platformës anti-korrupsion të PD-së, platformë e cila do të zbatohej kur PD-ja të vinte në pushtet. Pas fitores së zgjedhjeve, ai u bë pjesë e qeverisë, ku aktualisht është drejtor i një drejtorie mjaft të rëndësishme të Këshillit të Ministrave, asaj Antikorrupsion. Vetë kryeministri Berisha, ndërsa ka prezantuar dje Alibeaj si kandidatin që do t'i propozojë Kryesisë së PD-së për postin e ministrit të Drejtësisë, e ka vlerësuar atë si një nga bashkëpunëtorët e tij më të çmuar.

"Unë kam bindjen më të madhe se zoti Alibeaj, një magjistrat brilant, do t'ju përkushtohet reformave në sistemin e drejtësisë dhe të gjitha agjencive që kjo ministri, ndër më të rëndësishmet e vendit, ka nën autoritetin e saj",- është shprehur Berisha. Ai nuk ka lënë pa përmendur as bashkëpunimin që ka pasur me Rusmalin, duke e konsideruar atë mjaft luajal dhe të frytshëm, ndërsa vetë ish-ministrin e ka konsideruar si një "politikan afatgjatë", me të cilin do të bashkëpunojë edhe pas dorëheqjes. "Pas dorëheqjes, kontributi dhe bashkëpunimi i tij i çmuar do të vazhdojë",- u shpreh Kryeministri. Ashtu si edhe herë të tjera, kur në konferenca për shtyp pyetet për konfliktet brenda PD-së, Kryeministri mohon gjithnjë që ato të ekzistojnë, duke dhënë përgjigje tipike, që vetëm ai i përdor, siç ishte ajo e "eskimezëve në shkretëtirë", teksa është pyetur për klanet në selinë blu. Berisha ka përjashtuar mundësinë e ndryshimeve në qeveri, kur është pyetur nëse do të riformatojë qeverinë, si rezultat i akuzave që janë publikuar në shtypin e përditshëm për disa ministra. "Shtypi bën akuza të shumëllojta, por në raste se jeni në gjendje që të më jepni një akuzë konkrete, atëherë të jeni të sigurt se unë do ta shqyrtoj",- tha ai. *Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors