Banorët e rrugës "Skënderbeg", në Shkodër ankohen se ende nuk kanë marrë paratë që u takojnë
Shkodër-Ndërsa kanë muaj që u janë prishur një pjesë e banesave, për t'i dhënë mundësi zgjerimit e ndërtimit të trotuareve, banorë të lagjes "Tre Herojtë" në rrugën "Skenderbeg" në Shkodër akoma nuk kanë marrë asnjë njoftim për shpronësimin e tyre.
Këtë hall ndajnë 6 familje në dy anët e rrugës "Skënderbej" që shprehen se kanë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që vërteton pronësinë e tyre dhe së bashku me të gjithë dokumentet e kërkuar e kanë dorëzuar në zyrën e urbanistikës në bashkinë e Shkodrës. Ina Delaj , një prej banoreve të kësaj rruge shprehet se atyre u është dëmtuar prona për qëllime publike dhe e kanë pranuar këtë pasi shteti është ai që vendos. "Kemi dokumente pronësie të rregullt dhe kërkojmë paratë që na takojnë nga shpronësimi që na është bërë , pasi si kudo ne duhet të përfitojmë me ato çmime që vendos shteti sipas kategorive"-thotë ajo. Banorët ankohen se edhe pas disa muajsh, nuk kanë marrë asnjë njoftim për shpronësimin, ndërkohë që gjithçka sa i përket dokumenteve është në rregull.
"Më është prishur banja e një pjesë korridori për trotuarin dhe kam vetëm 8000 lekë të reja pension. Më është dashur të hyj 130.000 lekë borxh për të ndrequr atë që më është prishur, ndërsa askush nga shteti nuk vjen të më thotë se sa lekë më takojnë për atë pjesë të pronës sime që më është marrë"- thotë Marije Serreqi, duke shtuar se nuk do lejojë vazhdimin e punës pa marrë paratë. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment