Reagon bashkia e Vlorës: Më shumë se afati, shqetësues mungesa e transparencës. Pengohet qarkullimi
Vlorë-Ndonëse është mbyllur afati i punimeve për rrugën Transballkanike në Vlorë, punimet ende janë shumë mbrapa. Sipas nënkryetarit të bashkisë së Vlorës, Halim Dervishaj, firmat prej një muaji nuk po kryejnë punime, duke sjellë jo vetëm vonesa, por edhe shqetësim në qarkullimin normal të automjeteve. "Shqetësimi ynë më i madh nuk është shkelja e afateve, pasi diçka e tillë mund të ndodhë, por shqetësimi ynë mbetet moskryerja e shpronësimeve, si dhe mungesa e fondeve, të cilat zgjatin në një kohë të papërcaktuar përfundimin e rrugës",- tha dje ai gjatë një komunikimi me mediat. Sipas tij, afati kohor i mbylljes së punimeve për rrugën ishte data 15 nëntor, ashtu si është edhe i shpallur në projekt.
Numri dy i bashkisë së Vlorës, i cili ishte dje në rrugën Transballkanike për të bërë me dije faktet, shprehu shqetësimin për mos fillimin e punimeve të fazës së dytë. "E përsëris edhe një herë që nuk na shqetëson shkelja e afatit, pasi në projekte këto edhe mund të ndodhin për shkaqe objektive, por në rrugë ka mbi një muaj që nuk punohet, ku firmat kanë deklaruar jo zyrtarisht mungesën e fondeve"- ka sqaruar ai. Sipas Dervishajt, ky shqetësim është bërë me dije nga ana e bashkisë edhe më parë.
Ai ka deklaruar se kanë pasur shumë ankesa, të cilat i kanë përcjellë në pushtetin qendror. Por megjithë këto, sipas tij, për këtë projekt shumë të rëndësishëm ka munguar dhe vijon të mungojë transparenca. "Ne i kemi kërkuar strukturave të qendrës të jenë serioze me projektin dhe zbatimin e tij, pasi pezullimi dhe zvarritja, e cila po shtrihet në kohë ka sjellë vështirësi në akse të qytetit, por edhe projekte të tjera që ne presim të zbatohen pas punimeve të Tranballkanikes",- tha ai dje gjatë konferencës. Përsa i përket komunikimit me qendrën, Dervishaj tha se janë drejtuar deri edhe te kreu i qeverisë dhe tani nuk u ka mbetur tjetër veç të presin. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment