Sulejman Demollari : “Vështirë t’ia prishim festën Rumanisë”


Intervistë Ekskluzive – “Jam një kampion në Rumani dhe në muzeun e Dinmos së Bukureshtit është edhe një portret i madh i imi. Futbolli rumun është shtrenjtuar, tani lojtarët marrin shuma të mëdha deri në 500 mijë euro në sezon”. Trajneri i fundit shqiptar i Kombëtares dhe lojtari më i mirë i huaj që ka luajtur në Rumani, Sulejman Demollari flet për ndeshjen me Rumaninë, e fundit për të dy skuadrat. Sulejman Demollari është një nga specialistët që e njeh me mirë se kushdo tjetër futbollin rumun.

Jo vetem se ish-lojtari i Dinamos së Tiranës dhe Dinamos së Bukureshtit, tashmë 43-vjeçar, ka qenë një nga lojtarët më të mirë të huaj që kanë luajtur në Rumani, teksa është shpallur edhe një herë golashënuesi më i mirë i kampioantit rumun më sezonin 1991-1992, kur me Dinamon e Bukureshtit në 30 ndeshje të atij sezonin shënoi 30 gola, por se ka patur fatin të luajë për katër sezone në kampionatin rumun dhe disa nga kundërshtarët e tij të dikurshëm sot janë në stafin drejtues të Kombëtares rumune, përfshirë trajnerin Picurka apo dhe ndihmësin e tij Lupeskun, me të cilin "Demo", siç thirrej ai ka luajtur së bashku në një skuadër. Sulejman Demollari ka zhvilluar 99 ndeshje duke shënuar gola në Rumani, madje edhe në ndeshjen e parë të tij në kampionatin rumun, Dinamo-Petrohul, më 25 gusht 1991, shënoi 2 gola në fitoren 6-0. Demollari është vlerësuar nga media sportive rumune si lojtari më i mirë i huaj që ka luajtur në Rumani.



Demollari, Shqipëria do të luajë kundër Rumanisë së kualifikuar dhe kryesuese e grupit menjëhere pas humbjes befasuese me Bjellorusinë.

Për ne çdo ndeshje është e vështirë. Kur humbëm edhe ndeshjen me Bjellorusinë, që vinte në Tiranë me katër pikë më pak se ne, çmund të themi për ata kundër Rumanisë, që ndodhet me 15 pikë më shumë se ne, po në 11 ndeshje. Bjellorusia na doli më e vështirë se të tjerat. Ashtu siç u a kam shprehur edhe gjatë ditës së sotme (djeshme) gazetarëve të shumtë që më kanë marrë nga Rumania, ndeshja në të vërtetë nuk ka brenda saj asnjë intrigë futbollistike. Rumania është e kualifikuar përpara se të luhej edhe takimi ndaj Bullgarisë. Nga ana tjetër ajo na ngacmon ne si shqiptarë, pasi të gjithë e dimë se Shqipëria në Bukuresht luan shansin e fundit për të ashtuquajtërën “vazo 4”.

Ju konsideroheni një njohës shumë i mirë i futbollit rumun. Cili mund të ishte parashikimi juaj?

Personalisht, si një futbollist që ka luajtur me Kombëtaren edhe disa ndeshje kundër Rumanisë, por edhe si një ish-trajner i përfaqësueses, duke i shtuar edhe faktin tjetër se kam luajtur për shumë vite në Rumani, do të dëshiroja që takimi të mbyllej në paqe, pra me një barazim. Do të ishte shumë mirë për ne. Nga ana tjetër dua të theksoj një fakt, se Rumania nuk ka humbur asnjë takim në shtëpi dhe ka krijuar mentalitetin për të luftuar deri në fund për të fituar një takim. Ka vetëm një barazim 2-2 në shtëpi me Bullgarinë.

Ndeshja Rumani-Shqipëri mbyll edhe fushatën kualifikuese në grup. Sa ndikon kjo?

Takimi me Shqipërinë është edhe i fundit për Rumaninë përpara publikut të tyre, kështu që ata do të luftojnë për të fituar dhe për të thënë se e merituan kualifikimin. Rumania vjen pas humbjes me Bullgarinë, të vetmen në grup dhe Shqipëria do ta ketë shumë të vështirë. Gjithsesi, në futboll njihen të trija rezultatet, pavarësisht se logjika apo statistikat të çojnë në përfundimin se Rumania është favorite absolute për ta fituar takimin. Pavarësisht se nuk do të jetë ajo atmosferë e zjarrtë, tifozeria rumune dëshiron ta kthejë në një festë ndeshjen me Shqipërinë.

Pak më parë thatë se gjatë ditës së sotme ju kanë telefonuar gazetarë nga Rumania. Çfarë kërkuan të dinin ata nga ju?

Po, më telefonuan disa gazetarë sportivë të përditshmes sportive më të rëndësishme ne Rumania. Kërkuan informacione për ekipin Kombëtar, për atmosferën në ekipin shqiptar dhe së fundi më pyetën, se a do të isha në delegacionin sportiv që do të mbërrinte në Bukuresht. Kur mësuan faktin se nuk do të isha, sinqerisht, ata mbetën të habitur, duke qenë se unë edhe sot e kësaj dite konsiderohem ende si futbollisti më i mirë i huaj që ka luajtur në Rumani.

Ju keni qeni trajneri i fundit shqiptar që keni drejtuar Shqipërinë, përpara se ajo të merrej në dorëzim nga italiani Dosena, për t’u vazhduar me gjermanin Brigel e tani kroatin Bariç.

Të lutem, mos e ngacmo këtë temë. Më erdhi edhe keq, pasi unë përpara tri javësh isha në Rumani, por në të vërtetë si një ish-trajner i Kombëtares dhe person me njohje të rëndësishme në botën futbollistike në Rumani do të më bëhej qejfi të isha pjesë e delegacionit shqiptar pasi do ta prezantoja më shumë Shqipërinë. Ajo që do të kishte vlerë, është fakti se unë jam njeri i futbollit.

Mendoni se janë harruar trajnerët e dikurshëm të Kombëtares?

Nuk them se janë harruar apo neglizhuar. Unë mendoj se ende nuk ka ardhur plotësisht koha që Shqipëria të harxhojë shuma të mëdha parash për trajnerë të huaj. Unë tani drejtoj disa skuadra fëmijësh dhe po të shohësh kushtet ku ata stërviten do të duket shumë herë më e madhe shuma që përfiton Bariç. Personalisht nuk jam kundër trajnerit të huaj. Por, a ka ardhur koha të kemi një trajner të huaj? Kjo është pyetja ime.

Shqipëria i ka mbaruar ndeshjet në shtëpi, të cilat nisën me një humbje me Rumaninë (0-2) dhe përfunduan po me humje me Bjellorusinë (2-4).

Unë i kam parë të gjashtë ndeshjet e Shqipërisë, përfshirë edhe atë me Slloveninë (0-0) në Shkodër. Mendoj se nuk kemi arritur akoma në nivelin e profesionizmit. Nëse themi se ndeshja me Rumaninë për 70 minuta ishte a barabartë, më në fund fitoi ajo, pasi u tregua gjatë gjithë takimit si e tillë. Gabimi i Kastratit ishte shumë amator. Edhe ndeshja me Bjellorusinë u krijua një atmosferë fitoreje, madje edhe trajneri (Bariç) deklaroi se do të merrte katër pikë në dy ndeshje (me Bjellorusinë e Rumaninë), por në fushë lojtarët bënë një paraqitje skandaloze. Duhet profesionalizëm.



“Rumania, shkollë e famshme”


Demollari, një nga emrat e spikatur të futollit shqiptar vlerëson me nota maksimale futbollin rumun. Sula ka lënë emrin e tij në Rumani pas është spallur kampion me Dinamon e Bukureshtit. “Shkolla rumune është e famshme, mjafton të përmend Stefan Kovaç, trajnerin e Ajaksit të madh të viteve 1970 në të cilin bënte pjesë edhe Johan Krujfi, tri herë rresht kampion i Europës. Një tjetër emër i madh është edhe profesorin Emerih Jenein, kampion i Europës me Steaua-në e Bukureshtit në vitin 1986, apo Mirçea Luçeskun, ish-trajneri im te Dinamo e Bukureshtit, por që ka drejtuar edhe Interin, Breshian e tani te Shahtari Donteskut në Ukrainë”.



“Përse Rumania është kjo?”


Demollari është i qartë. “Rumania ka bërë investime të mëdha në futboll, dhe pa dyshim që do të ketë edhe rezultate”, - argumenton Sula. “Ka një progres të jashtëzakonshëm në infrastrukturë. Kompleksi i ri i Dinamos së Bukureshtit është nga më modernët në Europë, njësoj si te Milani apo te Bajerni i Munihut. Fusha e tretë stërvitore ku stërviteshim ne në atë kohë (mesi i viteve 1990) ishte me shtufë, tani është e shtruar me tartan. Janë hapur fusha të reja kudo. Ish-futbollistët me të cilët edhe unë kam luajtur janë bërë trajnerë futbolli, janë drejtorë teknikë, presidentë klubesh. Shkurt, janë njerëzit e futbollit që përsosin futbollin. Kjo është e rëndësishme”.


“Jam konsulent talentesh”


Në shtypin sportiv shqiptar është përmendiur fakti se Demollari bën pjesë në stafet e disa ekipeve rumune. “Po është e vërtetë, - pranon Demollari. “Bëj pjesë si konsulent në sektorin e talenteve te Dinamo e Bukureshtit dhe ndonjë ekipi tjetër, ku kam si detyrë të ofroj talente nga Shqipëria. Nuk kam kushtet unë për të shkuar atje. Është shumë e vështirë, pasi që një skuadër rumune të presë një futbollist shqiptar duhet të jetë shumë i talentuar dhe të bëjë diferencën me ata të vendit. Janë provuar disa dhe nuk kanë bindur”. Demollari ka qenë një ndër lojtarët shqiptarë që kanë luajtur në Rumani. “Kanë luajtur edhe Perlat Musta, Ilir Bozhiqi, Agim Canaj, por edhe Arben Minga, Albert Duro e Alert Alcani”.


“Picurka, miku im”

Trajneri i Rumanisë, Viktor Picurka është një njohje e vjetër e Sulejman Demollarit. “Vazhdojmë të kemi kontakte. Jemi miq, por kam luajtur edhe kundër tij, kur unë aktivozhesha te Dinamo e Bukureshtit dhe ai tek Steaua”


Yjet e Rumanisë

Demollari pranon se Rumania ka disa yje në gjirin e saj që bëjnë diferencën dhe ku ai sheh edhe suksesin e saj. “Mutu është një nga sulmuesit më të mirë për momentin në Europë, ndërsa vlerat e Kristian Çivu as që diskutohen”


Bekali i Rumanisë

Një nga shqiptaro-rumunët më të famshëm në botën e futbollit është edhe Xhixhi Bekali, ish-president i Dinamos së Bukureshtit. “Bekali ka nënën nga Plasa e Korçës. Ka bërë investime të mëdha në futbollin rumiun dhe respektohet shumë”.


Miqtë e mi, trajnerë

“Të gjithë trajnerët me emër më respektojnë në Rumani. Xheorxhe Haxhi me njeh mirë. Lakatush, me të cilin kam luajtur dhe që në ndeshjen e parë kundër Shqipërisë, ishte ndihmës i Picurkës, ka marrë drejtimin e Steau-as, ku kam luajtur për 2 muaj” (Albania-Sport)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors