Policia speciale maqedonase ka ndërmarrë një aksion në fshatrat e malësisë së Sharrit, në veriperëndim të Tetovës. Sipas njoftimeve, të paktën tetë persona janë vrarë. Policia thotë se të vrarët janë nga radhët e bandave të armatosura, ndërkohë që banorët civilë thonë se ka viktima edhe ndër vetë banorët.
Aksioni është bërë në kërkim të grupeve të armatosura të udhëhequra nga shqiptarët Lirim Jakupi, i njohur si Nacisti dhe Ramadan Shiti, që të dy të persona të kërkuar për krime në Maqedoni dhe të arratisur para pak muajsh nga burgu i Dubravës në Kosovë.
Sipas policisë maqedonase, grupet ishin strehuar në fshatrat Brodec, Veshallë dhe Vicë. Gjatë aksionit janë përdorur helikopterë të forcave maqedonase.
Burime shqiptare thonë se një helikopter është rrëzuar gjatë përleshjeve dhe disa autoblinda të policisë janë shkatërruar, por këtë nuk e konfirmon Ministria e Punëve të Brendëshme.
Sipas banorëve shqiptarë, ka shtëpi të djegura nga zjarri i forcave policore. Po ashtu është rrëzuar edhe minareja e xhamisë së fshatit Brodec. Ende nuk është e qartë se kush janë grupet e armatosura shqiptare të cilat janë përleshur me forcat qeveritare maqedonase.
Policia ka bllokuar hyrje-daljet nga Tetova për në fshtrata e malësisë së Sharrit. Brukseli zyrtar ka kërkuar sqarime nga qeveria në Shkup lidhur me zhvillimet e sotme.
Ndërkohë, në Shkup, policia maqedonase ka bastisur të paktën tre shtëpi të shqiptarëve dhe ka arrestuar disa persona për të cilët thuhet se kanë qenë ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
0 Comments:
Post a Comment