Esteban Hyseni, baba i dy fëmijëve, humbi jetën nga një plumb i marrë në pjesën e barkut
Policia:Vetëvrasje ose vrasje nga pakujdesia. Fqinjët: Ishte i qetë, nuk dimë asnjë arsye për vetëvrasje
ELBASAN-Një 32-vjeçar nga Elbasani ka mbetur i vdekur nga goditja me armë, por ende nuk dihet nëse ka qenë një vetëvrasje, apo një shkrehje arme nga pakujdesia.
Esteban Hyseni, lindur në Pogradec dhe banues në Elbasan, baba i dy fëmijëve ka qenë i vetëm në shtëpi në momentin e ngjarjes dhe për gjithë sa ndodhi nuk ka pasur kush të dëshmojë. Ai humbi jetën rrugës për në spital, i transportuar nga një makinë e rastit. Ngjarja
Ishte ora 15.00 e ditës së djeshme, kur 32-vjeçari, i plagosur në pjesën e barkut dhe indihmuar nga një automjet i rastit është dërguar në spitalin kirurgjik. Mësohet se i plagosuri nuk ka mundur t'i mbijetojë plagës së marrë dhe për pasojë ka gjetur vdekjen në spital e së bashku me të edhe e vërteta mbi ngjarjen. Menjëherë në banesën e tij që ndodhet në lagjen «Çlirimi» të qytetit të Elbasanit kanë mbërritur efektiva të policisë dhe grupi i ekspertizës. Brenda në banesë është bllokuar një armë tip kallashnikov e modifikuar dhe një gëzhojë fisheku.
Pistat
Dyshimet e para kanë qenë lidhur me një pakujdesi të 32-vjeçarit, i cili në atë moment ka qenë vetëm në banesë. Gjithsesi ekziston edhe pista e vetëvrasjes. Një fqinj i familjes tregon se "kallami" ashtu siç e thërrisnin edhe ata për shkak të gjatësisë, kishte qenë pak para se të ndodhte ngjarja me të. Pëllumb Selmani thotë se 32-vjeçari ishte mjaft i qetë dhe nuk shfaqte asnjë shenjë që mund ta çonte në vetëvrasje. "Nuk di se çfarë mund të ketë ndodhur, por kur ishte me mua nuk kishte asnjë fjalë dhe asnjë shenjë mërzie. Ne kemi qëndruar bashkë dhe kemi folur por nuk kuptova asgjë. Sa për armën nuk di ku mund ta ketë gjetur, pasi nuk e dija që e kishte",- thotë ai. Fqinjët e tjerë, sipas tij kanë dëgjuar vetëm të shtënën dhe më pas është parë duke kërkuar ndihmë. "Sa për mua ai nuk ka vrarë veten, por nga pakujdesia është shkrehur arma që kishte",- thotë ai.
Ekspertiza
Esteban Hyseni jetonte me dy fëmijët ndërsa gruaja e tij, Valbona, ndodhej në Itali si emigrante. Sipas fqinjëve dy bashkëshortët nuk ishin të martuar, të paktën ligjërisht, por bashkëjetonin dhe kishin dy fëmijë 11 dhe 6-vjeç. Sipas të dhënave nga ekspertiza, 32-vjeçari ka pasur në dorë armën dhe duke tentuar ta pastrojë është shkrehur një plumb që e ka marrë në bark. Gjithsesi priten provat balistike të armës dhe po kështu sqarimi i plotë i rrethanave në të cilat ka ndodhur. Duke përjashtuar pistën e vrasjes, policia deklaron se mund të jetë ose një vetëvrasje nga pakujdesia ose një përdorim në mënyrë të vullnetshme i armës. Dyshohet se 32-vjeçari e ka gjetur armën në një kazan mbeturinash, teksa grumbullonte materiale për skrap për t'i shitur më pas. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment