Ministria e Ekonomisë nuk ka dorëzuar në zyrën e Task-Forcës ofertën më të favorshme, atë të kompanisë gjermane
Prokuroria: Sollën 3 fashikuj në prokurori, por jo ofertën e kompanisë gjermane. Ka shkelje ligjore
TIRANË- Ministria e Ekonomisë i fsheh prokurorisë ofertën e firmës gjermane "Axos" për blerjen Albtelekomit.
Burimet zyrtare pranë organit të akuzës konfirmuan për "Shekullin" se edhe pse i janë kërkuar zyrtarisht të gjithë shkresat dhe materialet që kanë të bëjnë me privatizimin e Albtelekomit, Ministrisë së Ekonomisë, kjo e fundit e ka parë të rrugës të mos japë për hetim ofertën e kompanisë gjermane. "Përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, ditë më parë kanë sjellë në prokurori tre fashikuj me dokumenta që kanë të bëjnë me shitjen e Albtelekomit tek firma turke "Çalik-Energi". Me fillimin e studimit të këtyre materiale, është vënë re mungesa e ofertës së deklaruar nga përfaqësuesit e firmës gjermane "Axos", të cilët kanë pohuar në media se për blerjen e Albtelekomit kanë ofruar 200 milionë euro më shumë se sa firma e shpallur fituese. Asokohe, kjo ofertë është depozituar në ministri, por zyrtarët e Ekonomisë kanë preferuar të mos e dorëzojnë atë bashkë me dokumentet e tjera",-thanë burime nga grupi hetimor.
***
Mungesa e kësaj oferte ka bërë që hetuesit e prokurorisë së kryeqytetit t'i drejtohen sërisht ministrisë së Ekonomisë, me një kërkesë të dytë për të pasur në dosje edhe ofertën e kompanisë gjermane "Axos". Ndaj kësaj kërkese të prokurorisë, personat përgjegjës në ministrinë e Ekonomisë janë përgjigjur se firma gjermane "Axos" nuk e ka depozituar zyrtarisht ofertën e saj pranë Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.Kjo përgjigje,për përfaqësuesit e organin e akuzës komentohet si tentativë për fshehjen e provave materiale, ç'ka detyron Task-Forcën e krimit ekonomik të mbyllë çështjen pa një të pandehur për këtë skandal. Ndërkohë, vetë drejtori i bordit të kompanisë "Axos Capital", Jan Budden, gjatë një interviste dhënë për gazetën "Shekulli" me datë 19 gusht të këtij viti, ka treguar se ofertën e ka depozituar konform ligjeve, ndërsa ka shprehur habi për mënyrën e pashpjeguar sipas tij për skualifikimin nga gara për privatizimin e shoqërisë shtetërore Albtelekom.
***
Në zyrën e Task-Forcës kundër krimit ekonomik mëson se prej shtatorit të këtij viti, dosja e Albtelekomit po studiohet dhe deri më tani është arritur në përfundim se ka elementë të veprës penale në privatizimin e saj, por po punohet për identifikimin e personave përgjegjës të kësaj pabarazie në tender që më pas ka sjellë edhe shitjen e Albtelekomit tek turqit e "Çalik". Gjithashtu pohohet se po punohet edhe në kryerjen e verifikimeve të të gjitha shkresave që kanë të bëjnë me shitjen e Albtelekomit, që nga vitit 2005 e deri 2007 kur u bë nënshkrimi i kontratës, duke verifikuar mënyrën e procedimit të përgatitjes së hapjes së tenderit, procedurat e tenderit, rishikimi i Komisionit Vlerësues të Ofertave dhe duke zbardhur mënyrën e përzgjedhjes së firmës fituese, si dhe konfliktet e interesit brenda Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe firmës fituese.
AXOS
Oferta e skualifikuar, 200 mln euro më shumë se "Çalik"
TIRANË- Në ofertën e paraqitur, kompania "Axos" kishte shprehur qëllimin për ta zhvilluar "Albtelekomin" në qendër të shërbimeve të telekomunikacionit rajonal. Albtelekomi parashikohej të ofronte shërbime konkurruese të telefonisë fikse dhe mobile (GSM dhe ËiMax) për 50 % të popullatës deri në vitin 2012. Përveç 200 milionë eurove shtesë, krahasuar me ofertën fituese të "Çalik", marrëveshja do të përfshinte përhapjen e shpërndarjes së teledensitetit (telefonisë fikse për 100 banorë) nga niveli 8 % që është sot në 25 % brenda 5 vitesh, si dhe ndërtimin e një rrjeti ËiMax, duke qenë se licenca për këtë teknologji do të përfshihej në transaksion. Gjithashtu, në ofertë parashikohet reduktimi i listës së pritjes për t'u pajisur me numra të rinj, si dhe ulja e tarifave dhe ngarkesës së roamingut ndërkombëtar, sipas standardeve të BE-së. Rritja vjetore e biznesit parashikohej në 15 %, ndërsa konkurrenca në treg do të pësonte një rritje të ndjeshme. Nga ana tjetër, firma zotohej se do të ishte në gjendje të lidhte në rrjetin e saj të telefonisë fikse rreth 120 mijë konsumatorë në vit. (Flamur Vezaj / Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment