Vrasja në Kamëz, ngujim në mes të Tiranës

Familjarët e autorit të vrasjes së Ismail Dokut, 12 vetë gjithsej, kanë braktisur shtëpitë dhe janë fshehur ndër të afërm

Shefi i policisë: Situatën e kemi nën kontroll. Haxhiajt: Jemi ngujuar nga frika e gjakmarrjes

TIRANË- Tre shtëpitë e familjes Haxhia pas Institutit Buqësor në Kamëz janë mbyllur që prej katër ditësh dhe po prej kaq kohësh, 12 pjesëtarët e kësaj familjeje mes të cilëve 4 fëmijë, janë larguar nga lagja e tyre për t'u strehuar ndër miq, ndërsa jetojnë të trembur nga gjakmarrja.

Një nga vëllezërit e Hasan Haxhisë, i arrestuar nga policia për vrasjen e komshiut të tij 70- vjeçar, ka kontaktuar dje me "Shekullin", ku ka treguar se që prej 5 ditësh ai dhe personat e tjerë të familjes strehohen ndër miq e të afërm, ndërsa thotë se kanë frikë të ndjekin edhe punët e tyre të përditshme. "Shtëpitë ruhen nga policia, por ne nuk mund të kthehemi aty, pasi shtëpitë e njerëzve të viktimës ndodhen përballë atyre tonave dhe unë nuk kam besim se ata nuk do të hakmerren, qoftë edhe kundër fëmijëve e grave", -thotë Dritani, ndërsa na shpjegon se në vendin ku ka ardhur për të na takuar, ka ardhur i shoqëruar nga 5 makina të tjera.

***

Shefi i komisariatit nr.5 në kryeqytet, Roland Pelushi, sqaron se komisariati që ai drejton është në dijeni të situatës dhe ndërkohë ka marrë masat për të mbajtur nën vëzhgim palët dhe për të shmangur një krim të ri. "Agjentë të policisë dhe oficerë të saj janë angazhuar për të mbajtur nën kontroll familjen e viktimës, deri në momentin që situata të qetësohet, ndërkohë që prej 5 ditësh një patrullë e policisë kalon vazhdimisht në zonë", -thotë Pelushi. Nga ana tjetër, në kohën që Hasan Haxhia, i akuzuar për vrasjen e 70-vjeçarit Ismail Doku ndodhet pas hekurave në qeli, gruaja e tij bashkë me dy vajzat, vëllezërit me fëmijët e tyre dhe prindërit janë larguar dhe janë fshehur ndër të afërm, të frikësuar nga hakmarrja. Dyert e shtëpive të tyre i gjetëm të mbyllura edhe mbrëmë në darkë, ndërsa e vetmja mundësi për t'u takuar me ta duhet të organizohet më parë deri në detaje nga të afërmit që "i kanë marrë në mbrojtje". "Unë nuk mund të dal. Kam frikë se ndiqem. Madje më kanë thënë se ndiqem",- thotë Dritani, një nga vëllezërit Haxhia, i cili nuk përpiqet të fshehë ankthin qëka pushtuar atë dhe të afërmit e tij. Ai thotë se po ashtu të ngujuar janë edhe babai i tij Ahmeti, e ëma Lulja, vëllai i madh, Arbeni me bashkëshorten, Valentinën dhe dy vajzat Enkeledën dhe Englantina Haxhian, vëllai më i vogël, Sokol Haxhia dhefamilja e të arrestuarit, e shoqja Aleksandra dhe dy vajzat Milanela dhe Orkida.Të 12 personat, sipas Dritanit kanë gjetur strehim ku të munden, por ata nuk e dinë se kur do mund të kthehen në shtëpinë e tyre, ndërsa thonë se as si "endacakë" nuk mund të jetojnë për një kohë të gjatë. "Ne kërkojmë që shteti të na japë mbrojtje", -thotë Dritani, i cili siç mësojmë është student në Institutin e Kamzës.

***

Policia nga ana e saj njofton se deri tani ka mundur të kontrollojë situatën. Shefi i komisariatit shpjegon se ata po punojnë që të bindin edhe të afërmit e viktimës, se drejtësia do të vendoset nga shteti. "Ne do të presim deri sa ata të mbarojnë ritet tradicionale të zisë dhe pastaj do të kërkojmë një takim që t'i bindim se fati i çështjes do të vendoset nga drejtësia dhe është marrë në dorë nga gjykata, në bazë të ligjeve të shtetit shqiptar",- thotë shefi i komisariatit, Pelushi.Ndërkohë ai siguron se janë marrë të gjitha masat për të shmangur një vrasje tjetër mes dy familjeve, qoftë edhe duke mbajtur nën vëzhgim palët dhe duke komunikuar me to, për t'i bindur që gjithçka ta lënë në dorë të drejtësisë.

Vëllai i të arrestuarit për vrasjen e 70-vjeçarit Doku, kërkon siguri nga shteti për veten dhe familjen e tij

Dritan Haxhia: Kërkojmë mbrojtje nga shteti

Ai duket se ka ditë që nuk është kujdesur siç duhet për veten, ndërsa ka pamjen e një njeriu që i duhet të tregojë kujdes për gjithçka duke parë herë pas here nga dera e vendit ku jemi ulur. Këtu thotë se ka ardhur i shoqëruar dhe në tavolinë qëndron i ulur gjithmonë me djem të tjerë, por ndërkohë tregon se e ka të pamundur t'u kthehet aktiviteteve të përditshme dhe nuk pranon të bëjë një foto, në të cilën do mund të njihej. Madje nuk pranon as të na shoqërojë deri të shtëpitë e braktisura, te të cilat na dërgon një nga të njohurit e tij. Ndërsa na shpjegon se gjithçka që e shtynë atë të ngujohet edhe pse as ai as të tjerët nuk kanë lidhje me krimin, janë rregullat e hakmarrjes, që duket se kanë zbritur deri në Tiranë dhe funksionojnë në mënyrën absurde.

Pas ngjarjes a keni pasur kontakte me familjen e viktimës?

Jo nuk kemi pasur asnjë kontakt, por ne u larguam përnjëherë prej andej dhe kemi marrë vesh që ata duan të hakmerren.

Por nëse nuk jeni kërcënuar, nga se keni frikë?

Unë kam informacion që më ndjekin dhe nuk mund të rri lirshëm deri sa pala tjetër nuk ka dërguar fjalë se nuk do të hakmerret te familjarët që nuk kanë lidhje me ngjarjen. Deri tani, ne nuk na kanë dërguar asgjë as që të paktën fëmijët dhe gratë nuk do të jenë të përfshira në këtë punë.

Çfarë kërkoni nga shteti?

Po ne kërkojmë siguri për vete dhe për familjet tona. Pasi nuk mund të vazhdojmë të jetojmë të fshehur edhe për shumë kohë.

Si arriti deri në këtë pikë konflikti mes vëllait tuaj dhe viktimës?

Me sa di unë bëhet fjalë për një konflikt që kishte filluar para një muaji, kur ai (viktima) ishte grindur me bashkëshorten e vëllait për vendin e hedhjes së plehrave dhe pastaj grindjet u acaruan edhe më tej. Por për ne tani më e rëndësishme është që të jemi të sigurtë, që fëmijët të jenë të sigurtë. Bisedoi: V. Karaj

Konfliktet mes fqinjëve që çuan në vrasjen e 70-vjeçarit Ismail Doku

Vrasja për shtyllën e energjisë dhe plehrat

Krimi, që ka ngujuar 12 pjesëtarët e familjes Haxhiaj, mes të cilëve 4 fëmijë dhe 3 gra ka ardhur pas një përplasjeje banale për vendin ku fshati Zall Mner i Ri, i transferuar nga Bovilla hidhte plehrat dhe është acaruar pas grindjeve të herëpashershme mes palëve. Policia thotë se vrasja kishte ardhur pas të paktën katër përplasjeve me fjalë dhe kërcënime mes autorit Hasan Haxhiaj, efektiv i Repartit të Reagimit të Shpejtë të Ushtrisë dhe viktimës Ismail Doku e të afërmve të tij. Nga hetimet rezulton se konflikti ka filluar pas këmbënguljes së viktimës që banorët e zonës të mos i hidhnin plehrat në përroin aty afër shtëpisë së tij, në një copë tokë që duket se ishte caktuar për këtë punë nga qeverisja lokale. Kjo e bezdiste të moshuarin, i cili sipas kryeplakut të zonës kishte "zaptuar" tokën ku hidheshin plehrat dhe kërkonte që ato të mos depozitoheshin më në atë zonë. "Unë nuk dua të bëj me faj viktimën, por disa ditë më parë ai ka sharë dhe kërcënuar gruan e autorit, pasi kjo kishte hedhur plehrat në atë zonë", -tha për 'Shekullin" ditën kur ndodhi krimi kryetari i pleqësisë së lagjes.Ndërkohë, policia pohon se konfliktet, edhe pse ende në proces hetimi, kishin qenë të përsëritura mes dy personave. Sipas tyre, shtylla elektrike prej të cilës merrte dritë shtëpia e të moshuarit ishte vendosur në tokën e fqinjit (vëllait të autorit) dhe duket se gjatë pasdites, Doku dhe Haxhia kanë pasur përplasjen e radhës për këtë shtyllë. Një banor i zonës që kërkon të mbetet i paidentifikuar, ka treguar se i moshuari i shoqëruar edhe nga i biri kishte kërcënuar oficerin e Repartit të Reagimit të Shpejtë dhe ky i fundit ka reaguar duke nxjerrë armën dhe qëlluar 70-vjeçarin. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors