Lul Berisha u përgjua 2 vjet nga Antimafia italiane

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dosjen e hetuar nga italianët për bandën e Durrësit, në lidhje me trafikun e drogës

TIRANË- Antimafia italiane ka përgjuar për dy vjet anëtarët e bandës së Durrësit, pas dyshimeve se shumë prej tyre ishin të implikuar në trafikun e drogës. Në procedimin e dytë penal për bandën e Lul Berishës, Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka kërkuar autoriteteve italiane që me anë të letër-porosivetë sjellë dosjen penale në ngarkim të drejtuesve rivalë të kësaj bande dhe anëtarëve të saj.

"Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për trafikun e drogës dhe armëve nga anëtarët e bandës së Berishës dhe Dokles, për momentin janë pezulluar në pritje të ardhjes së letër-porosisë nga autoritete italiane. Jemi njoftuar zyrtarisht me një shkresë pas arrestimit të pjesëtarëve të "bandave" se për dy vjet, Antimafia italiane i ka përgjuar këta anëtarë",-pohon një prokuror i grupit hetimor për "Shekullin". Mësohet se dyshimet për implikimin e tyre në trafikun e drogës kanë lindur pas arrestimit të dy "korrierëve" të bandës, Jurid Xhunga dhe Julian Meçe, të cilët tashmë janë dënuar për akuzën e "trafikut të lëndëve narkotike".

Dosjes penale të trafikut të drogës dhe armëve për Lul Berishën, Endrit Doklen dhe anëtarët e tjerë të bandës i është bashkuar vetëm procesverbali i deklarimeve të të penduarit Adriatik Coli, i cili ka pranuar që para prokurorëve të Krimeve të Rënda të rrëfejë bëmat e këtyre dy bandave famëkeqe të qytetit bregdetar të Durrësit. "Në dosje janë administruar vetëm dy procesverbalet e deklarimit të shtetasit Adriatik Coli dhe disa shkresa zyrtare të policisë shqiptare dhe asaj homologe italiane, të njoftimit të arrestimit të dy transportuesve të drogës, Jurid Xhunga dhe Julian Meçe, të arrestuar në Itali",-pohojnë burimet e mësipërme. Ndërkohë, grupi hetimor ka ngritur dyshime edhe për raste tjera të transportimit të drogës dhe armëve nga Shqipëria në drejtim të Italisë, me anë të mjeteve lundruese si gomone dhe tragete nga porti i Durrësit. Sipas dyshimeve të grupit hetimor, mendohet se rrjeti i trafikut ishte ngritur që nga vitit 1994 dhe funksiononte deri në kohën e arrestimit të drejtuesve të dy bandave rivale, Dokle e Berisha.

Rrjeti i trafikut të drogës ishte ngritur në kohën kur banda e Durrësit ishte e bashkuar, por që funksionoi edhe pak vite pas ndarjes së tyre më 2002. "Rrjeti funksiononte nga vendi i blerjes së drogës, që ishte Turqia nga ku kalonte nëpër Bullgari-Maqedoni-Shqipëri dhe më pas përfundonte në Itali e vendet perëndimore si Gjermani, Zvicër, Holandë e Belgjikë. Madje, në gusht të vitit 1997, Lul Berisha është arrestuar nga policia e qytetit të Durrësit me të njëjtën akuzë, atë të "trafikut të drogës" të lëshuar nga autoritetet gjermane, por më pas është lënë i lirë nga hetuesit. Ndërkohë, pas ndarjes mes tyre dy bandat rivale i ndanë edhe territoret e trafikut në Durrës. Kjo ndarje për shkak të pazareve të drogës solli më pas edhe atentatet e njëpasnjëshme",-sqarojnë burime nga grupi hetimor.

PËRÇARJA

Rivaliteti në bandë, pas konflikteve për trafiqet

TIRANË- Pas vitit 2002, mes drejtuesve të bandës së Durrësit lindën konflikte që kishin të bënin kryesisht me kontrollin e trafikut të narkotikëve dhe kontrollin e pasurive të vëna nga këto trafiqe. Për rrjedhojë, Klodian Saliu krijoi një bandë të tijën, duke rekrutuar fillimisht Endrit Doklen dhe Adriatik Colin. Rivaliteti mes dy bandave do të ndihej fuqishëm pas atentatit të dështuar ndaj bashkëpunëtorit të ngushtë të Berishës, Indrit Taullaut. Por atentatet e vërtetafilluan pas vrasjes së Klodian Saliut, në shkurt të vitit 2005. Pas vrasjes së Saliut, në krye të bandës vendoset Endrit Dokle, i cili ishte i bindur se vrasja e Klodian Saliut ishte urdhëruar nga Lulëzim Berisha. Për këtë arsye, Dokle, në bashkëpunim me Adriatik Colin, Kujtim Bunën e Sardjan Sulejmanin ekzekutojnë Avni Gashin, për të cilin dyshonin se kishte spiunuar mbi lëvizjet e Saliut ditën e ekzekutimit të tij. Në vazhdim të hakmarrjes ndaj Lul Berishës, Dokle në bashkëpunim me anëtarët e bandës së tij rekrutojnë Altin Ollonin, Alban Nelin, Elvis Hoxhosmani, Selman Hetin dhe Spartak Kalthin. Kundrejt shpërblimeve të vëna nga Dokle, të cilat varionin nga 80 mijë deri në 150 mijë euro, në muajt prill, maj dhe gusht të vitit 2005 u organizuan tre atentate ndaj Lulëzim Berishës, por në të treja rastet kapo-banda arriti të shpëtojë. Madje, atentati i tretë për eliminimin e ish-kapobandës së Durrësit, Lul Berishës, ishte marrë përsipër nga dy kosovarët Ahmet Ajeti dhe Osman Karpuzi, të cilët tashmë janë shpallur në kërkim. F.Vezaj

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda nuk ka ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë

Kontrabanda e cigareve, Apeli i ul 7 muaj burg Zotajt

TIRANË- Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda i ka ulur 7 muaj burg ish-të penduarit të kontrabandës së cigareve, Fatmir Zotaj, ndërsa ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për 21 të pandehurit e tjerë. Togat e zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, pas shqyrtimit të çështjes nga themeli vendosën deklarimin fajtor të të pandehurit Zotaj dhe dënimin e tij me 4 vjet heqje lirie, por pas shqyrtimit të ankimit, Gjykata e Apelit vendosi dënimin e tij me 3 vjet e 3 muaj burg. Me vendimin e djeshëm, të pandehurit Zotaj i bie të lërë qelinë brenda pak ditëve, pasi ka përfunduar shumicën e dënimit. Ndërkohë, për të pandehurit e tjerë nuk pati ndryshime të vendimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë. I pandehuri Ndoc Gjergji, i hetuar dhe gjykuar në mungesë është dënuar me 5 vjet burg nga Apeli, Leonard Koka, Skënder Thaçi dhe Ngushëllim Hyzoti me nga 3 vjet burg, Ardian Cani u dënua sërish me 3 vjet e 4 muaj burg. Nga grupi i të dënuarve kanë përfituar lirimin me kusht Gentian Koçi, pasi ka bashkëpunuar me organin e akuzës gjatë fazës hetimore, si dhe Elmaz Stroka për shkak të moshës së tij. Po ashtu me kusht janë liruar edhe punonjësit e policisë të akuzuar se nuk kishin kryer detyrën që u ishte caktuar në vendrojat pranë kalatës, ku u shkarkuan anijet me cigare kontrabandë. Ata janë dënuar me nga 2 vjet burg, por janë liruar me kusht që brenda 1 viti e gjysmë të mos kryejnë asnjë vepër penale. Ata janë: Pëllumb Aruçi, Telah Shehu, Alfred Çoba, Rexhep Hoxha, Shkëlqim Takaçi, Naun Ranxha, Arben Xhixha, Agim Moka, Fran Prenga dhe Behar Kasa. Akuza për të cilën u dënuantë pandehurit ka qenë ajo e kontrabandës së cigareve nga Mali i Zi, nëpërmjet dy anijeve "Eni" dhe "Poseidon". Sipas vendimit, këto anije duke ndryshuar destinacionin e tyre, në 8,18 dhe 28 mars të vitit 2005, ku janë furnizuar me cigare kontrabandë në Mal të Zi, të cilat më pas i kanë sjellë në Durrës. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors