Kadare në finalen “Angelus”

Me romanin “Pallati i ëndrrave” shkrimtari shqiptar u kualifikua dje për në finalen e çmimit

Dje, më 25 shtator juria e çmimit polak “Angelus” ka kaluar në finalen e shtatë romaneve më të mirë të botuar në gjuhën polake për vitin 2006, edhe “Pallatin e ëndrrave” të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare.

Menjëherë pas vendimit të jurisë, lajmin e mirë e përcolli Dorota Horodyska, përkthyesja e veprës. Më 1 dhjetor shpallet vepra më e mirë letrare e adhur nga ndonjë vend i Evropës Qendore dhe Lindore dhe deri tani sfidën e kanë përballuar letërsitë e autorëve nga Austria, Polonia, Bjellorusia, Kroacia dhe Hungaria me nobelistin Imre Kertesh. Në ceremoninë e finales së edicionit të dytë që mbahet në qytetin Wroclaë ku më 2005 u themelua çmimi “Angelus”, fituesi merr shpërblimin 37 500 euro dhe një statuetë.

“Angelus”. Çmimi për Letërsinë e Evropës Qendrore (çmimi më i rëndësishëm në fushën e prozës të përkthyer në gjuhën polake), financohet nga Ministria polake e kulturës dhe trashëgimisë kombëtare dhe nga e përditshmja polake Dziennik. Në konkurrim hynë letërsia e 21 vendeve të kësaj pjese të Evropës.

Letërsia shqipe u përfaqësua në edicionin e parë me Luan Starovën i cili me romanin “Koha e dhive” shkoi deri në finale ku fitues u shpall ukrainasi Jurij Andruhovic me romanin “Dymbëdhjetë rrathë”.

Në edicionin e dytë konkurrimi ka nisur në maj të këtij me 41 vepra. Ishte shtëpia botuese polake “Pogranicze” që futi në garë “Pallatin e ëndrrave”, vepër e cilësuar si “një alegori e pushtetit”. Ndërsa vetë autori Ismail Kadare dikur do thoshte se është “libri më i guximshëm që kam shkruar ndonjëherë; në terma letrarë, është ndoshta më i miri”. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors