Vlorë, pranga 3 grabitësve të arkës së Novoselës

Policia ka arrestuar dje në mëngjes shtetasit Dragush Brahimaj, Kreshnik Brahimaj e Sokol Fejzullahu

VLORË- Tre persona janë vënë në pranga orët e vona të së enjtes pas një operacioni të zhvilluar nga drejtoria e policisë së Vlorës. Operacioni i koduar me emrin “Peshtani” ka shpënë në pranga tre të dyshuarit për vjedhjen e arkës së komunës Novoselë, ndodhur tre ditë më parë. Në arkën e komunës ndodheshin rreth dy milionë lekë të reja, të cilat janë marrë nga tre të arrestuarit e djeshëm. Lajmi është pohuar dje nga burimet zyrtare të policisë lokale. Sipas tyre, të arrestuarit janë Dragush Brahimaj, Kreshnik Brahimaj dhe Sokol Fejzullahu.

Mbrëmjen e tre ditëve më parë, tre persona hynë në komunën Novoselë të Vlorës duke thyer dritaren e saj. Njëri prej tyre ishte i dashuri i ish- arkëtares së komunës dhe kishte të dhëna shumë të sakta se ku ndodhej arka e sa para kishte në të. Disa minuta më pas ata kanë mundur që të gjejnë arkën dhe me anë të një çelësi që kishin me vete e kanë hapur duke marrë paratë. Më pas janë larguar me shpejtësi. Vjedhja është konstatuar mëngjesin e të nesërmes nga zyrtarët e komunës, të cilët kanë bërë edhe denoncimin në polici. Sipas burimeve, fillimisht dyshimi kryesor ishte te i fejuari i ish- arkëtares, ku kjo e fundit vetëm rreth dy muaj më parë kishte lënë detyrën. Pasi ishte shoqëruar në komisariat, 45- vjeçari Brahimaj, ka pohuar se çelësi mund t’i ishte vjedhur të fejuarës së tij e më pas, të ishte kopjuar dhe ishte realizuar vjedhja. Por më pas ai është dorëzuar përpara policisë dhe ka treguar gjithçka. “Të arrestuarit, në datën 03.10.2007 rreth orës 02.00 në fshatin Novoselë të rrethit të Vlorës, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë vjedhur arkën e Komunës Novoselë, në të cilën kanë marrë shumën prej dy milionë lekësh të reja. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre, policia ka arritur të sekuestrojë shumën e lekëve që janë vjedhur në arkën e Komunës Novoselë, si dhe të mbledhë prova që implikojnë tre të arrestuarit në këtë vjedhje”,- thanë burimet zyrtare të policisë. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors