Sekuestrohen dy automatikë, dy pushkë, tre armë gjuetie dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh të ndryshëm
Policia ka arrestuar dje në mëngjes shtetasit Geg Gjoka, Luigj Shelqeti, dhe Gjek Shelqeti
LEZHË- Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Drejtorinë e përgjithshme të policisë, kanë arrestuar dje tre persona të kërkuar për ngjarje të ndryshme si dhe kanë sekuestruar një arsenal armësh në banesat e tyre. Vazhdimi i operacionit të koduar “Vjeshta” ka shpënë pas hekurave të burgut shtetasit Geg Gjoka, Luigj Shelqeti, dhe Gjek Shelqeti. Ndërkohë janë sekuestruar dy automatikë, dy pushkë, tre armë gjuetie si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh. Materialet në ngarkim të të arrestuarve i kanë kaluar prokurorisë së Lezhës për hetimet të mëtejshme.
Burimet zyrtare të policisë pohuan dje se operacioni i koduar “Vjeshta” ka sjellë arrestimin e tre personave në qytetin e Lezhës. Personi i parë i arrestuar nga policia ka qenë Geg Gjoka, 62 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Lezhë, i dënuar më parë për vrasje. Ai ishte shpallur në kërkim prej dy ditësh pas rreth orës 07.30 të mëngjesit të së enjtes ka pasur një konflikt me gruan dhe fëmijët e tij. Sherri është ndezur tej mase dhe 62- vjeçari ka marrë një armë që mbante në shtëpi pa leje dhe ka shkuar tek pjesa tjetër e familjes. Ai i ka kërcënuar ata me armë në dorë se do t’i vriste dhe pas një debati të gjatë është larguar nga shtëpia. Familja ka bërë denoncimin përkatës duke pasur parasysh edhe rrezikshmërinë e 62- vjeçarit, i cili është dënuar më parë për vrasje. “Pas arrestimit, në banesën e këtij personi është gjetur dhe sekuestruar një automatik model 56, një armë gjahu teke ruse, si dhe një gjerdan me fishekë”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë.
Ndërkohë uniformat blu kishin informacione për një arsenal armësh që ndodhej në banesat e shtetasve Luigj Shelqeti, dhe Gjek Shelqeti. Oficerët e policisë kanë bërë një kontroll të shpejtë në shtëpitë e tyre ku kanë gjetur një sasi të konsiderueshme armësh. Atyre u janë gjetur edhe armë me vete në momentin e kontrollit nga policia. “Dy shtetasit Luigj Shelqeti dhe Gjek Shelqeti janë arrestuar pasi u janë gjetur dhe bllokuar armë pa leje të cilat i mbanin me vete. Ndërkohë që në banesat e tyre është gjetur një arsenal armësh, një automatik, dy pushkë model 56, dy armë gjahu, të cilat mbaheshin pa leje, një arkë me fishekë luftarakë si dhe një sasi prej 600 copësh të vendosura në dy bidonë dhe një gjerdan me fishekë për armë gjahu”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë. Sipas tyre, të gjitha armët e gjetura dje do të dërgohen në laboratorin qendror të kriminalistikes për verifikime të mëtejshme. Ato do të kontrollohen imtësisht për të parë nëse janë përdorur apo jo në ndonjë krim të mëparshëm.
Të arrestuarit
Geg Gjoka, 62 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Lezhë, i dënuar më parë për vrasje
Luigj Shelqeti, 49 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë
Gjek Shelqeti, 64 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë
Sekuestrimet
Dy automatikë
Dy pushkë model 56
Tre armë gjahu, të cilat mbaheshin pa leje
Një arkë me fishekë luftarakë si dhe një sasi prej 600 copësh të vendosura në dy bidonë
Dy gjerdanë me fishekë armë gjahu
0 Comments:
Post a Comment