SHKODËR- Rrjeti i ujërave të bardha dhe të zeza në qytetin e Shkodrës, i cili paraqitet mjaft problematik, duket se do të mund të përmirësohet. Në tre vitet e ardhshme do të investohen 15.4 milionë euro për furnizimin me ujë të pijshëm e kanalizimet në qytet dhe kjo pritet të sjellë një përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës së kanalizimeve. Projekti po financohet nga tre donatorë ndërkombëtarë e ka si synim zgjerimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të furnizimit me ujë të pijshëm në qytetin e Shkodrës.
Burime nga Bashkia e qytetit pohuan se qeveria austriake, që nga viti 1996, ka investuar rreth 6.8 milionë euro në përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit të Shkodrës, investim ky i shtrirë në disa faza dhe që e ka përmirësuar ndjeshëm këtë shërbim. Nga kjo është bërë e mundur që qyteti të furnizohet në mënyrë të vazhdueshme me ujë të pijshëm dhe të evitohen përmbytjet në disa rrugë të tij. Ndërsa problem i kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza mbetet shqetësues. Burime nga bashkia Shkodër theksojnë se vetëm 30% e rrjetit të KUB dhe KUZ , është në gjendje normale pune. Nisur nga kjo domosdoshmëri, donatorët e huaj ADA, Kfë dhe SECO, kanë vendosur të punojnë bashkarisht dhe të krijojnë një konsorcium investitorësh. Banka gjermane Kfë është donatori më i fuqishëm me 7.5 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar ajo ka bërë dhe studimin e fizibilitetit të KUB e KUZ në Shkodër. Marrëveshja përkatëse është nënshkruar në bashkinë e Shkodrës ndërsa për të filluar puna pritet tëmerren dhe miratimet e qeverive përkatëse. Në këtë bashkëfinancim, qeveria shqiptare kontribuon me 500 mijë euro. Zgjerimi i sistemit të kanalizimeve dhe ndërtimi i mëvonshëm i impiantit për përpunimin e ujërave të zeza do të ndikojë në përmirësimin e ekosistemit dhe mjedisit në liqenin e Shkodrës si dhe cilësinë e ujërave nëntokësore të zonës. Sipas kryetarit të Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka, ky projekt synon të kontribuojë në mbrojtjen e burimeve natyrore të ujit në Rajonin e Shkodrësdhe në përmirësimin e kushteve të jetesës së popullsisë, nëpërmjet rehabilitimit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe sistemimit të ujërave të zeza. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment