Komunistët: Shtëpia e Hoxhës të bëhet muze armësh

Në prag të ditëlindjes së Enver Hoxhës, komunistët e Gjirokastrës kërkojnë riemërtimin e rrugës "Palorto"

Komunistët: Për emërtimin e rrugës të bëhet referendum popullor, që vetë banorët të vendosin

GJIROKASTËR- Rikthimi i shtëpisë së lindjes së Enver Hoxhës në muze armësh sikurse ka qenë dikur është kërkesa e përsëritur e komunistëve gjirokastritë. Kjo kërkesë vjen në prag të 16 tetorit, ditëlindjes së Enver Hoxhës. Sipas tyre, pikërisht në këtë datë, dega e Partisë Komuniste në rrethin e Gjirokastrës do t'ua dërgojë kërkesën në mënyrë zyrtare institucioneve vendore. "Dinjiteti i komandantit tonë të lavdishëm Enver Hoxha është i pakrahasueshëm me të gjithë politikanët të marrë së bashku ditën e sotme dhe për këtë gjë të gjithë duhet të jenë dakord që të drejtat që i takojnë të vihen në vend",- janë shprehur komunistët gjirokastritë. Sipas tyre, ish- diktatori Hoxha është një njeri që ka qeverisur Shqipërinë për 50 vjet me radhë dhe për këtë arsye duhet të marrë edhe nderimet që i takojnë, sidomos në qytetin e tij të lindjes.

Përveç kërkesës për rikthimin e shtëpisë së lindjes së Enver Hoxhës në muze armësh, sikurse ka ekzistuar deri në vitin 1990, komunistët kanë ribërë publike edhe kërkesën tjetër që lidhet me vendosjen e emrit të Enver Hoxhës rrugës që të çon në lagjen "Palorto", ku edhe ka lindur. Madje komunistët kanë kërkuar që kjo çështje kaq e rëndësishme të zgjidhet me anë të një referendumi popullor, ku njerëzit me votën e tyre do të vendosin. "Rruga me emrin e udhëheqësit tonë është nder dhe lavdi për të gjithë",- kanë theksuar më tej ata. Por kërkesat e anëtarëve të PK-së, gjatë viteve të fundit kanë qenë të ndryshme, duke nisur nga shtëpia e lindjes, te rruga, apo edhe kthimin e godinës që ka funksionuar si Komitet e ku tashmë ndodhen Bashkia dhe Prefektura.

Shtëpia e lindjes së Enver Hoxhës, tashmë funksionon si një muze etnografik, por për anëtarët e Partisë Komuniste ajo duhet të jetë vetëm një muze armësh, ndërsa rrugës e cila prej 16 vjetësh nuk ka një emërtim duhet t'i rikthehet emri i saj. Çështja e emrit të rrugës u bë edhe shkak për debate të shumta në fillimin e vitit 2005 në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës pikërisht për këtë arsye. Megjithatë ajo nuk është emërtuar ende. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors