Pakt me prindërit për fitimet, trafikon të miturit në Itali

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda dorëzon në gjykatë dosjen hetimore ndaj të pandehurit në mungesë, Sokol Ruko, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të të miturve me qëllim lypjen”. Burimet zyrtare pranë këtij institucioni theksuan se: “pas hetimit disamujor, janë mbledhur fakte dhe prova që vërtetojnë se i pandehuri Sokol Ruko, nga tetori i vitit 2002 deri në maj të vitit 2003 ka trafikuar në Itali dhe më pas i ka nxjerr për të lypur dy vëllezërit me iniciale B.M. dhe G.M. nga rrethi i Fierit”.

Sipas kërkesës për gjykim, aty nga fillimi i muajt tetor të vitit 2002, i pandehuri Ruko ka shkuar në shtëpinë e të miturve dhe u ka propozuar prindërve që t’ia jepnin atij dy djemtë për t’i çuar në Itali, duke u premtuar ndarjen e fitimeve. Pas këtij propozimi, babai i dy të miturve ka rënë dakord, që fëmijët e tij të nisen me të pandehurin Sokol Ruko për në Itali. “Fillimisht, i pandehuri Ruko ka shkuar vetë në Itali dhe të dy vëllezërit kanë mbërritur më vonë. Udhëtimi i tyre është bërë në mënyrë ilegale me skaf nëpërmjet Vlorës. Për çdo gjë që ka të bëjë me pagesën e rrugës dhe me organizimin e saj është kujdesur i pandehuri Sokol Rukaj, nëpërmjet familjarëve të tij. Në Itali, i pandehuri i ka pritur duke u kujdesur për strehimin e tyre dhe gjetjen e vendit të punës”,-thuhet në kërkesën për gjykim. I pandehuri i ka nxjerrë në rrugë për të lypur dy të miturit, një ditë pas mbërritjes së tyre në Itali. “Këtë veprimtari, dy vëllezërit e kanë ushtruar që nga momenti që kanë mbërritur në Itali dhe të gjitha fitimet që i merrnin gjatë lypjes ata ia dorëzonin në darkë të pandehurit Sokol Ruko, i cili jetonte bashkë me ta në një shtëpi”,-thuhet nga akuza. Veprimtarinë e lypjes e dy vëllezërve G.M. dhe B.M. e kanë vazhduar për rreth shtatë muaj dhe në momentin që Sokol Ruko është larguar nga Italia ata janë kthyer në Shqipëri. Dy vëllezërit i kanë kërkuar Rukos paratë e fituara prej tyre me anë të lypjes, por i pandehuri nuk u ka dhënë asnjë grosh, duke i shtyrë ata drejt denoncimit. Tashmë, në gjykatën e Krimeve të Rënda pritet të fillojë procesi gjyqësor për këtë rast të trafikimit të të miturve, edhe pse i akuzuari për këtë krim nuk është në pranga. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors