Kërcënohet në rrugë prokurori ushtarak

TIRANË- Kërcënohet në mes të rrugës prokurori ushtarak. “Shiko punën tënde dhe mos u merr me policët se do ta kesh punën keq”. Kjo ka qenë fjalia kërcënuese që prokurori i seksionit ushtarak pranë Prokurorisë së Tiranës, Bashkim Malaj, ka mundur të fiksojë nga dy kërcënuesit e tij, tre ditë më parë në rreth-rrotullimin e “Zogut të Zi”. Prokurori Malaj po priste një makinë të rastit për të ikur në shtëpi, në kohën që ia kanë prerë rrugën të rinjtë. Pas këtij kërcënimi, prokurori i Malaj ka shkuar në shtëpi dhe të nesërmën në mëngjes i është drejtuar kolegëve të tij në prokurorinë e kryeqytetit, duke bërë kallëzimin ndaj dy të rinjve.

Pa mundur t’i njohë kërcënuesit e tij, prokurori ka fiksuar vetëm targën e makinës. “Ngjarja ka ndodhur të premten, rreth orës 18:30 të darkës, ku kisha përfunduar punën në Prokurori dhe dola për të shkuar në shtëpi, në Krujë. Kur mbërrita te stacioni i autobusëve, autobusi i fundit kishte ikur dhe u detyrova të shkoja tek rreth rrotullimi i “Zogut të Zi”, me shpresë se do të gjeja ndonjë makinë të rastit që mund të shkoja në shtëpi. Edhe aty nuk kishte furgonë dhe u detyrova të bëj autostop, pa i kushtuar rëndësi automjeteve. Aty rreth orës 18:30, para këmbëve më kaloi një makinë me ngjyrë të kuqe, tipin e të cilit nuk e vërejta mirë. Mendova fillimisht se makina me dy të rinjtë brenda u ndal për mua për të më ndihmuar deri në vendin më të afërt të banimit. Njëri prej tyre e kishte kthyer kokën nga ana e tjetër, duke mos më lënë pamje për ta fiksuar, ndërsa djali që ndodhej në krahun e pasagjerit doli nga makina dhe m’u drejtua me fjalët: “ç’ke që ngatërrohesh me policët? Nuk ke punë tjetër ti. Shiko punën tënde dhe mos u merr me policët se do ta kesh keq. Ki parasysh këtë që po të them”. Prokurori Malaj ka shtuar më tej në denoncimin e tij se kërcënuesi kishte hipur në makinë duke e sharë dhe ishte larguar. Sipas burimeve nga prokuroria mendohet se dy të rinjtë mund të kenë lidhje me ndonjë punonjës policie, që është hetuar nga prokurori Bashkim Malaj. Burimet zyrtare pranë organit të akuzës konfirmojnë lajmin dhe saktësojnë se po punohet për identifikimin e dy të rinjve që kërcënuan prokurorin Bashkim Malaj për shkak të detyrës. Rasti i kërcënimeve ndaj punonjësve të akuzës, duket se kohët e fundit po bëhet modë, pasi vetëm pak muaj më parë, në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë u kërcënua një prokuror.

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors