Argita, ndërmjetëse e firmave të çimentos

TIRANË- Opozita lëshoi dje një tjetër akuzë për angazhimin e zyrës avokatore të vajzës së kryeministrit Berisha,Argita Berisha, si përfaqësuese ligjore e dy kompanive të fuqishme, që do të investojnë për ngritjen e impianteve të prodhimit të çimentos në Fushë -Krujë.

Deputeti socialist Taulant Balla gjatë shqyrtimit në Kuvend të dy projekt-marrëveshjeve “Për miratimin e marrëveshjes minerare të shfrytëzimit, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë ANTEA CEMENT, SHA” dhe “Për miratimin e Marrëveshjes minerare të shfrytëzimit, ndërmjet Ministrisë sëEkonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë “CEMENTOS AGILA, SHPK”, kërkoi dje sqarime nga kryeministri Sali Berisha se cila ishte zyra avokatore që kishte ndërmjetësuar me këto dy kompani. “Kush ka ndërmjetësuar si zyrë avokatore për këto dy kompani? Unë e di që është zyra e vajzës suaj. Sa është niveli i ndotjes që do të krijohet nga ndërtimi i këtyre dy fabrikavetë çimentos”, - pyeti deputeti Balla kreun e qeverisë. Por kryeministri Berisha ka pohuar të kundërtën e deklaratave të Ballës. Sipas tij, avokati i njërës prej kompanive investuese ishte një përfaqësues i shquar i të majtës. “Avokat i kompanisë spanjolle ka qenë një eksponent i shquar i së majtës, ish ministër. Edhe i kompanisë tjetër ka qenë po një përfaqësues i së majtës. Unë i falënderoj ata për punën dhe bashkpunimin që kanë bërë”, - tha Berisha. Ai ka nënvizuar më tej se nivelet e ndotjes ku do të ngrihen dy fabrikat e çimentos janë brenda normave të përcaktuara nga BE-ja. Por nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, vërejti se kryeministri t’i tërheqë ato që tha, pasi negociuesit ligjorë të firmave në fjalë nuk kanë qenë të majtë. “Nuk janë avokatë socialistë ata që kanë negociuar me Berishën. Kryeministri t’i gjejë ku i ka interesat personale. Keni dhënë 280 mijë hektarë pyje dhe fond kullosor me 1 euro. Duhet të bëni të ditur që këto investime do të realizohen për 5-6 vjet”, - tha Braçe. Edhe deputeti Balla tha se kryeministri kishte fshehur të vërtetën. “Kryeministri ngatërron projektligjet e miratuara në korrik që lidhen me këto dy kompani me marrëveshjet që po shqyrtohen sot”, - shtoi Balla. Sipas tij, në dy marrëveshjet konçesionare që po miraton Kuvendi, nuk është parashikuar riparimi i dëmit nga ana e dy kompanive që do të kryejnë investime për 99 vjet.

Kontratat

Vlera e investimeve për realizimin e dy projekteve në fushën e prodhimit të çimentos arrijnë në 500 milionë euro. Të dy kompanitë kanë përcaktuar sheshet e ndërtimeve për projektet e tyre, për të cilat qeveria miratoi pak kohë më parë ndryshimin e destinacionit të zonës, duke i kaluar ato në zona minerale. Kompania greke "Antea Cement" ka parashikuar për këtë projekt, një investim prej rreth 250 milionë euro. Kjo fabrikë do të ketë një kapacitet prodhues fillimisht mbi 2 milionë ton e më tej do të vijë në rritje. Edhe projekti i kompanisë spanjolle "Cementos Aguila" parashikon një investim prej rreth 250 milionë euro dhe kapacitet prodhues të fabrikës mbi 2 milionë ton si fillim. Por për ndërtimin dhe kryerjen e aktivitetit të tyre në këtë zonë, qeveria është e detyruar që t'i japë 2 kompanive 360 hektarë pyje, për t’i kthyer në fusha të shkreta.

Berisha mohon: Ndërmjetëse jo vajza ime

TIRANË- Kundrejt deklaratës së deputetit socialist, Taulant Balla, Kryeministri Sali Berisha ka pohuar të kundërtën. Sipas kryeministrit, avokati i njërës prej kompanive investuese ishte një përfaqësues i shquar i të majtës. “Avokat i kompanisë spanjolle ka qenë një eksponent i shquar i së majtës, ish ministër. Edhe i kompanisë tjetër ka qenë po një përfaqësues i së majtës. Unë i falënderoj ata për punën dhe bashkëpunimin që kanë bërë”, - tha Berisha. Ai ka nënvizuar më tej se nivelet e ndotjes ku do të ngrihen dy fabrikat e çimentos janë brenda normave të përcaktuara nga BE-ja

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors