Masakra e pyjeve, 7 në pranga për dëmin 40 mln dollarë

Vlorë, arrestohen tre administratorë firmash dhe katër zyrtarë të policisë pyjore. Akuza: Kthyen pyjet në shkretëtirë

VLORË- Masakra me pyjet e Vlorës ka shpënë dje nën pranga tre administratorë firmash dhe katër punonjës të Ndërmarrjes Pyjore të Vlorës. Operacioni i koduar “ILQE 804” ka nisur muaj më parë dhe është finalizuar vetëm në orët e para të ditës së djeshme me shtatë arrestime dhe dy persona të shpallur në kërkim.

Të nëntë të pandehurit akuzohen se përveç dëmit të pallogaritshmë ekologjik kanë shkaktuar edhe një dëm financiar prej 36 miliardë lekësh duke kthyer në shkretëtirë një nga kanionet më të bukur në jug të vendit. Burimet zyrtare të policisë pohuan dje arrestimin e Qatip Veshaj, Adil Leskaj dhe Ardian Haskaj përkatësisht administratorë të firmave Shushica, Leskaj e Bushi si dhe Sotir Qorraj me detyrë shef i shërbimit të policisë pyjore, Shyqyri Hoxhaj me detyrë shef sektori në ndërmarrjen e pyjeve dhe Pavli Curraj e Bilal Lalaj këta të fundit me detyrë inspektor të policisë.

Rreth katër muaj më parë prokuroria e Vlorës ka nisur hetimet në lidhje me masakrën pyjore që është kryer në këtë rreth. Burime nga ky institucion shpjeguan se edhe 22 persona të tjerë po ndiqen penalisht në gjendje të lirë në lidhje me këtë çështje. Hetimet janë zhvilluar në fshatra të lumit të Vlorës kryesisht Tërbaç, Bolenë, Kuç, Vranisht, ku janë prerë mbi 120 mijë metër kub lëndë drusore, dru lisi, por edhe është dëmtuar një dru i rrallë, druri Ilqe, i cili është i mbrojtur me ligj. E gjithë sasia përdorej për të bërë lëndën e qymyr drurit, e cila dërgohej më pas në kaminat e përpunimit në vend, por edhe në Greqi. Ndër zonat e dëmtuara, të cilat nga pyllëzimi kanë kaluar thuajse në shkretëtira, është dhe një ndër kanionet që ndodhet në zonë, ndër më të bukurit në vend, i cili ishte masakruar. Prokuroria ka nisur hetimet pas një kallëzimi të kryer nga një nga banorët e zonave të lumit të Vlorës Fatmir M, pikërisht banor në fshatin e Vlorës Tërbaç. Sipas prokurorit të çështjes, Dorian Tafili, masakra kishte kohë që kishte nisur, por askush, as nga ndërmarrja pyjore nuk ka denoncuar çështjen.

Pas katër muajsh hetime prokuroria ka kërkuar në gjykatë miratimin e nëntë urdhër- arresteve. Shtatë prej tyre janë ekzekutuar nga policia por administratorët e dy firmave kanë arritur që të shpëtojnë pasi nuk ndodheshin në banesat e tyre. Sipas të dhënave të dosjes hetimore, dëmi që i është bërë shtetit është në vlerën 36 miliardë lekë ose 40 milionë dollarë. Vlera e dëmit është llogaritur vetëm për periudhën 2003-2007.“Një ndër dëmet më të mëdha është prerja e drurit të Ilqes, dru i rrallë ky që në vendet e Evropës gjendet vetëm në Kuç dhe Kroaci. Të gjitha prerjet e pyjeve nga shoqëritë tregtare janë bërë jashtë sezonit dhe në parcelat me zgjedhje nuk është përdorur fare rregulli I prerjes. Gjatë kësaj periudhe në prerjet e pyjeve nuk është përdorur metoda e damkosjes, e cila është shumë e rëndësishme për llogaritjen e volumeve të lëndës drusore dhe disiplinimin e prerjeve. Mungesa e damkosjes në pjesën me të madhe të kësaj zone tregon se është punuar me hamendje duke mos përcaktuar volumet e sakta për parcelat”, tha prokurori i çështjes, Dorian Tafili.

Të arrestuarit

1-Qatip Veshaj, 60 vjeç lindur dhe banues në Vlorë, administrator shoqërisë “Shushica” shpk

2- Adil Leskaj, 39 vjeç lindur dhe banues në Vlorë administrator i shoqërisë “Leskaj” sh.p.k

3-Adrian Haskaj, 38 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, bashkë administrator i shoqërisë “Bushi 2002”, shpk

4-Sotir Qorrai, 45 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, me detyrë Shefi i Shërbimit Policisë Pyjore në ndërmarrjen e pyjeve Vlorë

5-Shuqyri Hoxhaj, 50 vjeç lindur dhe banues në Vlorë, me detyrë Shef Sektori në ndërmarrjen e pyjeve Vlorë

6-Pavli Curraj, 43 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, me detyrë inspektor i Policisë Pyjore në ndërmarrjen pyjore Vlorë.

7-Bilal Lalaj, 54 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë me detyrë inspektor i Policisë Pyjore në Vlorë. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors