Furgoni në humnerë, 1 i vdekur, 8 të plagosur

Furgoni ishte nisur nga Tirana drejt Korçës. Shkak i aksidentit është bërë rrëshqitja e mjetit, në kthesën e Fikasit

Humb jetën 79-vjeçari Reshat Hoxhallari. Ndër 3 të aksidentuarit në gjendje të rëndë edhe një fëmijë 1 vjeç

ELBASAN-Një person ka mbetur i vdekur dhe 8 të tjerë të plagosur gjatë një aksidenti rrugor, kur furgoni me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi në humnerë, nga 30 metër lartësi. Aksidenti ndodhi mëngjesin e djeshëm, në vendin e quajtur kthesa e Fikasit, dhe fillimisht nga rënia e mjetit të 9 pasagjerët mbetën të dëmtuar, shumë prej tyre në gjendje të rëndë. Pas dy orësh nga ngjarja, humbi jetën Reshat Hoxhallari, 79-vjeç. Ndërkohë që sipas burimeve policore të plagosur janë shtetasit; Teodora Mazniku, 50- vjeç; Harifiko Hoxhallari, 80-vjeç; Olsa Hoxhallari, 16-vjeç; Flora Uruçi, 27-vjeç dhe fëmija i saj, Shpresa Uruçi, 1-vjeç; Genci Braushi, 35-vjeç; Xhemal Islami, 26-vjeç dhe drejtuesi i mjetit, Faik Rakipi, 59-vjeç.

Ngjarja

Ngjarja ndodhi rreth orës 07.30 të mëngjesit të djeshëm, kur mjeti furgon me targa Tr 390 B po udhëtonte nga Tirana në drejtim të Korçës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, por edhe dëshmive të të aksidentuarve në vendin e ngjarjes, ata ishin nisur drejt Pogradecit dhe Korçës që në orët e para të mëngjesit. Sipas të dhënave të para nga policia rrugore, furgoni mendohet të ketë rrëshqitur si pasojë e lagështirës së krijuar në rrugë. Ndërkaq saktësohet se një sasi vaji automjeti që është gjetur në vendin e ngjarjes, mendohet të ketë shkaktuar rrëshqitjen, ose në mos e ka favorizuar më së shumti atë. Vetë të dëmtuarit nuk dinë të tregojnë detaje rreth asaj që ndodhi, pasi sipas tyre, gjithçka ka ndodhur sa hap e mbyll sytë dhe shumë prej tyre kanë qenë thuajse të topitur e të përgjumur. Në fraksion minutash e kanë gjetur veten në humnerë, pa kuptuar se çfarë kishte ngjarë.

Të plagosurit

Në fillim të gjithë pasagjerët kanë qenë të lënduar, shumë në gjendje të rëndë. por nuk ka kaluar më shumë se dy orë kur mes tyre është shënuar viktima e parë e aksidentit. Burime spitalore bëjnë të ditur se ka humbur jetën nga plagët e rënda Reshat Hoxhallari, 79-vjeç, dhe është transportuar në gjendje kritike, Teodora Mazniku, 50-vjeç, me banim në Tiranë. Të tjerë të aksidentuar nga dalja nga rruga e furgonit, sipas policisë kanë mbetur Harifiko Hoxhallari, 80-vjeç, në gjendje të rëndë, Olsa Hoxhallari, 16-vjeç me banim në Tiranë, që sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën. E dëmtuar ka mbetur Flora Uruçi, 27-vjeç, dhe vajza e saj një vjeç, Shpresa, që mësohet se është në gjendje kritike për jetën. Të dëmtuarve u shtohen edhe Genci Braushi, 35-vjeç, me banim në Tiranë, Xhemal Islami, 26-vjeç, me banim në Tiranë dhe drejtuesi i mjetit, Faik Rakipi, 59-vjeç, lindur në Tepelenë. Të aksidentuarit kanë marrë menjëherë ndihmën e parë dhe për këtë është angazhuar i gjithë personeli mjekësor. Sipas të dhënave nga spitali, të aksidentuarit kanë pësuar dëmtime të mëdha dhe ndodhen në reanimacion.

Shkaku

Kthesa ku ndodhi aksidenti njihet si mjaft e rrezikshme dhe sipas policisë aty janë regjistruar një numër i madh aksidentesh me pasoja. Policia e mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, pas ndihmës për transportin e të dëmtuarve në spital, ka bërë këqyrjen e vendit ku ndodhi aksidenti dhe ekspertizën për të dhënë detajet e para rrethe shkaqeve dhe rrethanave. “Të dhënat e para nxjerrin si përfundim se shkak i aksidentitme pasoja ka qenë rrëshqitja e mjetit. Madje në vend u gjet një sasi vaji automjeti, që mendohet se ka ndikuar në rrëshqitjen e tij”,- thanë burimet zyrtare të policisë. Po hetohet shpejtësia me të cilën ka qenë duke udhëtuar mjeti dhe sasia e lagështirës në rrugë për favorizimin e rrëshqitjes. Megjithatë policia është ende e rezervuar për të dhënë një version përfundimtar për ngjarjen. “Priten përfundimet e policisë dhe ekspertëve për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti me përmasa”,- thotë ajo.

Në gjendje të rëndë

Teodora Mazniku, 50-vjeç

Harifiko Hoxhallari, 80-vjeç

Shpresa Uruçi, 1-vjeç

Jashtë rrezikut

Olsa Hoxhallari, 16-vjeç

Flora Uruçi, 27-vjeç

Genci Braushi, 35-vjeç

Xhemal Islami, 26-vjeç

Faik Rakipi, 59-vjeç

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors