Sipas mjekëve të Pukës, problemet shëndetësore kanë ardhur nga lodhja dhe pagjumësia: Mos spekuloni
Pukë- Nxënësit kosovarë të gjimnazit “Eqerem Çabej“ të Prishtinës, që u trajtuan mbrëmë në spitalin e qytetit të Pukës, nuk kanë pasur helmim ushqimor. Shqetësimet e tyre kanë ardhur nga lodhja, pagjumësia dhe stresi. Ky është pohimi i bërë dje nga mjekët e drejtuesit e spitalit të Pukës, ku dhe u trajtuan adoleshentët nga Kosova, të cilët kishin qenë prej katër ditësh në një ekskursion në Shqipëri.
Sipas drejtorit të spitalit të Pukës, Nikolin Bardhoku, ka qenë policia ajo që ka lajmëruar spitalin për nevojën me trajtim mjekësor të nxënësve kosovarë, që me katër autobusë po i drejtoheshin qytetit të Pukës. “Menjëherë janë nisur autoambulancat e spitalit, bashkë me personel, që u kanë dalë përpara autobusëve 15- 20 km larg Pukës dhe kanë shoqëruar në spital nxënësit e sëmurë”- thotë ai. Sipas Bardhokut, ata janë trajtuar në dy pika, tek urgjenca dhe reparti infektiv, pasi sipas thënieve të tyre dyshohej se ishin helmuar. “Pas ekzaminimeve doli se shqetësimet e tyre ishin nga lodhja,”- thotë ai.
Ndërsa shefi i shërbimit në këtë spital, mjeku Musa Velaj, shprehet se nxënësit kosovarë janë trajtuar me serume dhe janë bërë analizat. “Pas ekzaminimeve rezultoi se nuk kishim të bëjmë me toksikim alimentar, siç na u paraqit, pasi dhe shenjat nuk flisnin për helmim ushqimor. Gjendja shëndetësore e tyre diagnostikohet si asteni e lipotemi e shkaktuar nga lodhja, pagjumësia etj”- thotë ai. Nxënësit kishin 40 orë që udhëtonin. Pas një trajtimi në spital prej 2.5 orësh, ata së bashku me shokët e tjerë që i prisnin, rreth orës 24.00 të së enjtes janë nisur drejt Kosovës, ku janë shoqëruar dhe me autoambulanca me personel mjekësor të spitalit të Pukës. Kjo për të qenë në gatishmëri të ndonjë përkeqësimi të shëndetit të tyre, por nuk ndodhi. Një ndihmesë vendimtare ka dhënë mjekja që shoqëronte nxënësit, një mjeke nga Mitrovica, e cila ka ndihmuar si në drejtim të informacionit të saktë për shqetësimet e paraqitura nga nxënësit ashtu dhe për drejtimin e mjekimit. Mjeku infeksionist, Dodë Suta tregon se kanë qenë nxënësit, ata që kanë pohuar fillimisht se ushqimi që kishin konsumuar gjatë rrugës, mbante një si erë jo të zakonshme. Për këtë u bënë analizat e gjakut të nxënësve që paraqisnin shqetësime dhe doli se nuk kishte elemente të helmimit ushqimor në to. Policia ka shoqëruar autobusët me nxënësit nga Kosova deri në kufirin tonë. Një situate e ngjashme pati ndodhur dhe vitin e kaluar në Durrës, dhe më 22 shtator 2005 në Shkodër.
Kërkesa
Ekskurionet, jo kaq të ngarkuara
Sipas drejtorit të spitalit të Pukës, me të njëjtat shenja, por të lehtësuara kanë qenë rreth 50 % e numrit prej rreth 200 nxënësish. “Vizitat që organizon shkolla të mos jenë kaq të mbingarkuara dhe me një program të ngjeshur. Një adoleshent nuk mund të përballojë një program të tillë shoqëruar me rrugëtime të gjata në rrugë me kthesa brenda ditës, vizita nëpër qendra historike, kulturore e turistike, netë pa gjumë, mbrëmje vallëzimi etj”- thotë ai. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment